BERZH ul parashikimin për rritjen ekonomike

Gent Sejko raportiRaporti 2015-2016

Për 2015-n, projeksioni 2.3%. Të ardhurat ranë nën pritjet. Informaliteti, sfida e 2016-s

Koncesionet – Raporti inkurajon përfshirjen e sektorit privat me koncesione në infrastrukturë dhe energjetikë

Privatizimi – Sipas BERZH, qeveria shqiptare në 2016-n do të privatizojë 100% Kompaninë e naftës Albpeptrol

Informaliteti – Problemi është veçanërisht i mprehtë në bujqësi, ku marrja e faturave të TVSH-së është e vështirë, sipas BERZH

Kreditimi – Suksesi i planit të trajtimit të kredive me probleme është kritik për rivendosjen e rritjes së kredisë

Zamir Alushi

Parashikimi i rritjes ekonomike afatshkurtër mbetet i ulët. Ky është një nga konkluzionet e Raportit Vjetor të Tranzicionit (Transition report 2015-’16) i prezantuar dje, në ambientet e Bankës së Shqipërisë, nga drejtori i Sektorit për Çështjet Ekonomike të Vendeve në BERZH, Peter Sanfey. Sipas projeksionit të BERZH, rritja e Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) ka të ngjarë që të jetë modeste në vitin 2015, në 2.3%. Ky parashikim është më i ulët se sa i qeverisë dhe i FMN-së (2.7%). Rritja e PBB-së ndihmohet nga pastrimi i shumicës së borxheve të qeverisë në vitin e kaluar, normat e ulëta të interesit dhe një ngritje graduale të kredisë bankare. Megjithatë, sipas BERZH, do të vazhdojnë të mbeten të larta rreziqet e zhbalancimeve makroekonomike dhe sektori financiar është i ekspozuar ndaj goditjeve të brendshme dhe të jashtme. Një vështirësi shtesë qëndron në faktin se janë shteruar në masë të madhe hapësirat ​​fiskale (rritja e taksave) dhe normat e ulëta të interesi në rekorde historike. Rritja e shpejtë ekonomike në vitin 2016 pritet të mbështetet nga një mjedis i përmirësuar i jashtëm (veçanërisht në Eurozonë) dhe fillimi i punës së madhe ndërtimore në Gazsjellësin Trans-Adriatik (TAP). Në periudhën afatmesme, sipas BERZH, Shqipëria mund të përfitojë në mënyrë të konsiderueshme nga një rimëkëmbje globale në qoftë se ajo është në gjendje të bëjë përparime të mëtejshme në reformat strukturore dhe të përparojë drejt fillimit të bisedimeve të pranimit në BE.

Ecuria e ekonomisë

Ecuria ekonomike është përmirësuar, por rritja mbetet e ngadaltë. Rritja ekonomike në tre vitet e fundit (2012-14) ishte e kufizuar. Në vitin 2014, rritja e PBB me 2.2% u ndikua kryesisht nga sektori i shërbimeve (me përjashtim të transportit, postës dhe komunikimit). Pra, sipas BERZH, prodhimi kombëtar për vitin e kaluar është më i lartë se objektivi, 2.1%. Nxjerrja e naftës dhe bujqësia kanë dhënë një kontribut pozitiv në rritjen e PBB-së, ndërsa prodhimi dhe ndërtimi kanë rënë në raport me një vit më parë. Në gjysmën e parë të vitit 2015, vëren raporti, ekonomia u rrit me 2.6%, pavarësisht nga dëmet e shkaktuara nga përmbytjet e mëdha në jug të vendit në pranverë. Norma e papunësisë është rritur në 17.6% në fund të vitit 2014 nga 16.8% një vit më parë, me një shkallë papunësie tek të rinjtë (mosha 15-29 vjeç) në 33.8% në fund të vitit 2014, theksohet në raport. Në këto kushte, sipas BERZH, politika e lehtësimit monetar ka vazhduar, ndërsa performanca fiskale është dobësuar në vitin 2015. Gjatë vitit të kaluar, kërkesa e dobët agregate dhe inflacioni i ulët i importuar, si dhe një rënie në çmimet e naftës, kanë mbajtur nivelin e inflacionit poshtë objektivit të Bankës Qendrore prej 3%. Në përputhje me normën e rënies së inflacionit, Banka Qendrore ka vazhduar me lehtësimin monetar me një seri uljesh të normës bazë të interesit. Ndërkohë të ardhurat tatimore në tremujorin e parë të vitit 2015 kanë qenë në mënyrë të konsiderueshme nën pritjet e qeverisë. Arsyet për mungesën përfshijnë dobësitë e fundit të sektorit të naftës, për shkak të çmimeve më të ulëta, si dhe problemet që lidhen me aftësinë e ulët në mbledhjen e të ardhurave nga taksat dhe administrimin e dobët tatimor në një ekonomi me shkallë të lartë informaliteti. “Autoritetet kanë njoftuar përpjekje të pareshtura për të goditur më tej informalitetin. Në qershor 2015, përfundimi i shqyrtimit të pestë të programit të FMN-së u shty për diskutime të mëtejshme në pritje për të gjetur zgjidhje për mungesën e të ardhurave. Megjithatë, FMN-ja vlerësoi autoritetet për një zbatim të suksesshëm të politikave gjatë vitit të parë të programit, e cila po ndihmon për të forcuar qëndrueshmërinë e financave publike dhe shlyerjen e detyrimeve të prapambetura të sektorit publik”, thekson raporti.

Gjetjet kryesore

Të ardhurat tatimore kanë rënë nën pritjet, thekson raporti. “Disiplina fiskale është përmirësuar dukshëm në dy vitet e fundit dhe ka kontribuar në një mjedis të përgjithshëm makroekonomik të përmirësuar, por dobësitë në pikën e mbledhjes së taksave përbëjnë sfidë të vazhdueshme për reduktimin e informalitetit në ekonomi”, rekomandon BERZH-i. Reformat e sektorit të energjisë kanë përparuar. Në prill të vitit 2015, është miratuar ligji i ri i energjisë elektrike, në përputhje me Pakon III të BE-së për Energjinë, i cili paraqet një hap vendimtar përpara në rrugën e gjatë drejt qëndrueshmërisë së tregut të energjisë elektrike. BERZH konstaton se, niveli i kredive me probleme mbetet i lartë sipas standardeve rajonale, por një plan gjithëpërfshirës që është duke u zbatuar nga autoritetet për të trajtuar problemin, do të ndihmojë për të rivendosur besimin dhe rritjen e kreditimit në sistemin bankar.

Prioritetet për 2016

Përpjekjet e rritura të autoriteteve për uljen e informalitetit janë të mirëpritura dhe duhet të vazhdojnë të zbatohen, deklaron BERZH. Problemi i informalitetit që vazhdon prej një kohe të gjatë në ekonomi pengon zhvillimin e bizneseve të ligjshme, si dhe dekurajon mbledhjen e të ardhurave nga taksat. Problemi është veçanërisht i mprehtë në sektorin e bujqësisë, ku marrja e faturave të TVSH është shumë e vështirë, sipas BERZH. Raporti inkurajon përfshirjen e sektorit privat në infrastrukturë dhe energjetikë. “Një koncesion i suksesshëm partneriteti publik-privat për operimin dhe mirëmbajtjen në sektorin e rrugëve mund të ketë efekte të rëndësishme demonstruese për projektet e ardhshme, me kusht që rreziqet fiskale të menaxhohen me kujdes”, rekomandon BERZH-i. Zbatimi i suksesshëm i planit të trajtimit të kredive me probleme është kritik për rivendosjen e rritjes së kredisë, thekson raporti.

 

Guvernatori

Sejko: Kriza ngadalësoi ritmet e investimeve në Shqipëri

Kapitali – Niveli i stokut të kapitalit për banor në Shqipëri është sa rreth 40% e nivelit mesatar të këtij treguesi për Eurozonën

Duke marrë shkas nga konkluzioni i BERZH se është ngadalësuar ritmi i investimeve, në fjalën e tij, guvernatori i BSH-së, Gent Sejko, deklaroi se “një ndër efektet e spikatura të krizës ka qenë ngadalësimi i ritmit të investimeve”. Nga një mesatare prej rreth 36% të PBB-së në dekadën para krizës, investimet ranë në një mesatare prej rreth 28% të PBB-së në vitet pasuese. Një pjesë e këtij ngadalësimi, tha Sejko, i dedikohet reduktimit të investimit në banesa, çka përbën një korrektim të natyrshëm të rritjes së shpejtë të shfaqur në këtë segment në periudhën para krizës. Por, paralelisht me të, deklaroi guvernatori, pjesa tjetër e këtij ngadalësimi i dedikohet reduktimit të investimeve në makineri, pajisje dhe infrastrukturë, çka ndikon negativisht potencialin e zhvillimit të vendit. Sipas disa vlerësimeve, niveli i stokut të kapitalit për banor në Shqipëri është sa rreth 40% e nivelit mesatar të këtij treguesi për Eurozonën. Ky nivel kapitali është natyrisht i pamjaftueshëm për të mbështetur konvergjencën e standardit të jetesës me vendet në fjalë. “Për këtë arsye, nxitja e investimeve dhe zgjerimi i ritmeve të rritjes potenciale duhet të jenë prioritete konstante të punës sonë”, tha Sejko.

 

Deturimet

Në listën e borxhlinjve të Tatimeve, bashki dhe ujësjellës

Shifra – Administrata tatimore ka publikuar listën e 13,778 subjekteve debitore ndaj të cilëve është vendosur barrë hipotekore

Administrata tatimore ka publikuar listën e 13,778 subjekteve debitore ndaj të cilëve është vendosur barrë hipotekore dhe ka nisur procesi i mbledhjes me forcë të borxhit financiar. Mes subjekteve janë edhe shoqëria publike dhe njësi vendore, të cilat nuk kanë shlyer detyrimet ndaj Tatimeve. Kështu, në listë është ndërmarrja Ujësjellës fshat, Gjirokastër, Bashkia e Libohovës, Tregu i shumicës Fruta e perime në Shkodër, Qendra Shëndetësore Libofshë, Hekurudha Shqiptare, Drejtoria e Rrugëve Rurale Berat, Drejtoria Ekonomike e Arsimit Berat, Komuna Qendër Skrapar, Komuna Leshnjë (detyrimet e të cilave u kalojnë bashkive përkatëse), Bashkia Poliçan, Ujësjellësi Poliçan, Ujësjellësi Skrapar, Kombinati Mekanik Poliçan, Qendra Shëndetësore Carshovë, Qendra Shëndetësore Përmet, Bashkia Përmet, Komuna Buz, Bashkia Memaliaj, Ndërmarrja Komunale Memaliaj, Ndërmarrja komunale Tepelenë, Qendra Kulturore Tepelenë, etj. “Në këtë faqe​ është pasqyruar lista e tatimpaguesve me detyrime të papaguar në afat, ndaj të cilëve administrata tatimore, ka vendosur marrjen e masave të sigurimit mbi të gjithë pasuritë për ekzekutimin e detyrimeve dhe se ka filluar procedura e mbledhjes me forcë të tyre”, njofton Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve.

©Copyright Gazeta SHQIP

Për t'u bërë pjesë e grupit mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t'ju aprovohet.
Komuniteti Gazeta Shqip: https://www.facebook.com/groups/gazetashqip/





LEXO MË TEJ:


Më të lexuarat

Comments are closed.