Masakra në Kaliforni, IS merr përsipër sulmin

FBI: Sulmuesja e San Bernardinos ishte mbështetëse e Shtetit Islamik

san bernardinoAjo që ndodhi tri ditë më parë në qytezën kaliforniane të San Bernardinos, ishte një vepër e Shtetit Islamik. Ka qenë vetë organizata më e madhe terroriste sot në botë, IS, ajo që ka marrë përsipër masakrën në lokalitetin në lindje të Los Angelesit në SHBA, përmes një komunikate zyrtare të transmetuar nga “Amak”, një rrjet propagandistik i Shtetit Islamik. Në komunikatë lexohet se ishin dy mbështetës të IS-it autorët e tragjedisë në qendrën e personave me aftësi të kufizuara në Kaliforni. “Sulmi erdhi pas deklaratave të amerikanëve se SHBA nuk ishte në rrezik për atentate terroriste dhe pas sulmeve të përgjakshme në Paris dhe Tunizi”, lexohet më tej në deklaratë. Duket se këtë pretendim e mbështetën më parë dje edhe vetë zyrtarët amerikanë të sigurisë.

 

Sulmuesja, mesazhe IS-it në “Facebook” 

Tashfeen Malik, sulmuesja në krah të bashkëshortit të saj pakistanez, që goditi qendrën sociale në Kaliforni ku më 2 dhjetor mbetën të vdekur 14 vetë, ishte mbështetëse e grupit militant Shteti Islamik. Ky ka qenë përfundimi që kanë nxjerrë zyrtarët amerikanë të sigurisë, sipas CNN. Rrjeti i mirënjohur TV amerikan, ka cituar dje zyrtarët e Zyrës Kombëtare të Hetimeve, FBI, të kenë thënë se pakistanezja Malik kishte postuar një deklaratë në internet, përmes së cilëve u kishte dhënë mbështetje udhëheqësve të IS-it. Zyrtarët amerikanë kanë thënë se sulmuesja mund të ketë qenë e frymëzuar nga grupi militant, por se nuk ka dëshmi që thonë se ajo kishte qenë e udhëzuar për ta kryer sulmin. Ndërkaq, dje janë shtuar edhe dëshmitë mbi momentet e fundit para sulmit, si dhe ato mbi vetë sulmin nga dëshmitarët okularë nga vendngjarja. Sipas mediave amerikane, një tjetër mëngjes i mbyllur në sallën e konferencave, një tjetër takim i detyrueshëm me të gjithë stafin, ku Patrick Baccari, një nga të mbijetuarit e masakrës së San Bernardinos, e gjeti kolegun e tij, Syed Farook, të ulur krejt vetëm në një tavolinë. “Hë, je gati për t’u bërë derr?”, e pyeti me nënqeshje. Kjo ishte shakaja e tyre e vjetër. Konteja e San Bernardinos u kërkon të gjithë inspektorëve shëndetësorë të mblidhen të paktën dy herë në vit për një ditë fjalimesh e informimi.

 

Enigma merr zgjidhje?

Përgjigjja, e shoqëruar po ashtu me buzëqeshje, ishte: “Jam gati”. Gjithçka normale, çdo gjë rutinë deri në momentin kur Farook largohet për t’u kthyer bashkë me të shoqen, të armatosur deri në dhëmbë. Të shtënat nuk zgjasin më shumë se katër minuta. Bilanci i ngjarjes: 14 të vdekur, 21 të plagosur. Një qytet në kaos dhe pyetja që ende nuk ka një përgjigje: përse? Shefja e zyrës, Amanda Adair, thotë se Farook kishte qenë gjithmonë një prej punonjësve më të këndshëm, më të qetë e ndër më të mirët në punën e vet. Ishte i mirarsimuar, me 5 vjet eksperiencë në fushën e shëndetit publik. Kolegët e zyrës i kishin organizuar këtë vit dhe një festë për lindjen e djalit. Gjesti i tij, ajo kërdia e tmerrshme që iu shfaq para syve efektivëve të policisë që mbërritën të parët në vendngjarje, nuk ka ende një motiv zyrtar. Viktimat tashmë janë identifikuar që të gjithë. Më i riu është 26 vjeç, më i vjetri 60. Ndërkaq, shumë media flasin gjerësisht për enigma që do vijojnë të mbesin ndoshta për një kohë të gjatë, pavarësisht se shumë fakte dolën shumë shpejt në dritë.

©Copyright Gazeta SHQIP

Për t'u bërë pjesë e grupit mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t'ju aprovohet.
Komuniteti Gazeta Shqip: https://www.facebook.com/groups/gazetashqip/





LEXO MË TEJ:


Më të lexuarat

Comments are closed.