Lajme bote shkurt

Trump: IS-in do ta mposht duke bërë edhe krime lufte

Donald TrumpDonald Trump mendon se ka vetëm një mënyrë për t’i mposhtur terroristët e IS-it, e ajo është: t’u goditen familjet. Pretendenti për nominimin republikan në Presidencialet e 2016-s është i bindur se, një plan i tillë, sado i pamëshirshëm të tingëllojë, mund të funksionojë vërtet. “Si kujtoni ju? Nuk iu dhimbsen atyre njerëzit e afërt?”, pyeti Trump në një emision televiziv. Miliarderi u duk se i kishte idetë e qarta për mënyrën sesi duhet luftuar IS-i. “Ky grup terrorist duhet mbytur me bomba. Të ishte për mua, do t’i sulmoja aq fort, sa nuk janë sulmuar ndonjëherë më parë. Përpos kësaj, është shumë e rëndësishme të godasim burimin e tyre më të rëndësishëm të të ardhurave, naftën.” Republikani sqaroi më tej se, pavarësisht faktit se do të përpiqej t’i asgjësonte militantët e familjarët e tyre, sërish do të bënte të pamundur për të shmangur viktimat mes civilëve të thjeshtë, në zonat e njohura si fortesa të ISIS-it në Siri e Irak. “Por një nga problemet më të mëdha që kemi për momentin dhe arsyeja përse jemi kaq joefikasë në sulmet tona, është se civilët në ato vende po përdoren si mburoja njerëzore. Është e tmerrshme, – vazhdoi Trump. – Megjithatë duhet të them se politikisht, lufta jonë është shumë korrekte.” Njeriu që kryeson garën e nominimit në kampin republikan u tregua mjaft kritik ndaj strategjisë së Presidentit Barak Obama kundër Shtetit Islamik, për të cilin argumenton se ka dërguar shumë pak trupa, ndërsa nga ana tjetër i ka zbuluar më tepër se ç’duhet lëvizjet e tij. “Nëse ke ndonjë gjë për të bërë, bëje! – tha Trump. – S’ke pse flet aq shumë, sidomos në një situatë si kjo, kur nuk ka nevojë për fjalë, por për veprime.”

 

 

“Tornadot” britanikë nisin bombardimet e IS-it në Siri

Avionët tip “Tornado” të Forcave Ajrore Mbretërore Britanike kanë kryer sulmet e para kundër Shtetit Islamik në Siri, bëri të ditur Ministria e Mbrojtjes në Londër. Katër “Tornado” të aviacionit britanik janë ngritur nga baza Akrotiri në Qipro dhe kanë marrë pjesë në operacione, një ditë pasi Parlamenti votoi aprovimin e bombardimeve. Sulmet vunë në shënjestër fushat me naftë në Omar, në lindje të Sirisë, që ndodhet nën kontrollin e IS-it dhe sipas sekretarit të Mbrojtjes, Michael Fallon, ishin të suksesshme. Fallon kishte aprovuar personalisht objektivat e bombardimeve para se të mbahej votimi në Parlament. Ditën e mërkurë, pas një debati që zgjati 10 orë, gjatë të cilit pati edhe polemika, ligjvënësit britanikë votuan me 397 vota pro dhe 223 kundër, pro aksioneve ushtarake kundër IS-it, që tashmë identifikohet si Daesh, në Siri. Fallon deklaroi se sulmet synojnë goditjen e aseteve të naftës, nga të cilat varet Daesh. Sekretari i Mbrojtjes konfirmoi se tetë avionë të tjerë, dy “Tornado” dhe gjashtë “Tajfunë”, do të dërgohen në Akrotiri për t’iu bashkuar sulmeve.

 

 

Putin, Turqisë: Do të pendoheni për rrëzimin e avionit

Vladimir Putin duket se jo vetëm nuk jep shenja zbutjeje në përplasjen disaditore në distancë me Turqinë, por në fjalimin e djeshëm drejtuar kombit, të transmetuar drejtpërdrejt nga televizioni shtetëror rus, kaloi në kërcënime të hapura ndaj Ankarasë. “Ai që mendon se reagimi i Rusisë do të kufizohet te sanksionet ekonomike, gabohet rëndë. Do t’ua kujtojmë prapë se çfarë kanë bërë, e ju them se kanë për t’u penduar”, tha Putin. Lufta e Moskës kundër terrorizmit zuri vend qendror në fjalimin e Presidentit rus, të cilin e çeli me lavdërimet për vejushën e pilotit të vrarë gjatë incidentit të “Su-24”-s në Siri. Ajo ishte ftuar të merrte pjesë në eventin e organizuar në Kremlin, ku u mbajt gjithashtu një minutë heshtje për viktimat ruse të terrorizmit, përfshirë 224 personat që humbën jetën më 31 tetor, nga shpërthimi i avionit të pasagjerëve mbi gadishullin egjiptian të Sinait. Putin kaloi mes të tjerash edhe në akuza të drejtpërdrejta ndaj qeverisë turke, duke thënë se strehon dhe mbështet në fshehtësi militantët e Shtetit Islamik.

©Copyright Gazeta SHQIP

Për t'u bërë pjesë e grupit mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t'ju aprovohet.
Komuniteti Gazeta Shqip: https://www.facebook.com/groups/gazetashqip/





LEXO MË TEJ:


Më të lexuarat

Comments are closed.