SHBA, të shtëna në Kaliforni, të paktën 14 të vrarë

Sulmi ngjall dyshime serioze për terrorizëm. Policia vijon hetimet 

kaliforniaSipas mediave amerikane, dje në mbrëmje autoritetet kanë thënë se mund të ishin shkaktuar minimalisht 14 të vdekur e 20 të plagosur, pasi një burrë qëlloi pranë një qendre të riaftësimit fizik në një qytet në perëndim të Los Anxhelosit. Trupa policore të armatosura u raportuan të ndodheshin menjëherë në vendngjarje në qytetin kalifornian të San Bernadinos, një orë në lindje të kryeqytetit kalifornian. Të shtënat nisën në një qendër rajonale që operon si organizatë joqeveritare në ndihmë të njerëzve me handikapë fizikë. Sipas rrjetit TV amerikan, “Fox News”, shefi lokal i policisë u kërkoi njerëzve të braktisnin menjëherë zonën ku forcat speciale të policisë, SWAT, po kryenin operacionin. Departamenti i forcave speciale të këtij lokaliteti njoftoi më herët në “Twitter” se po i përgjigjej thirrjes për “një incident me 20 viktima” dhe se ka nisur punën për kontrollin e vendit të ngjarjes. Sipas saj, agresorët dyshohet se janë tre persona, të armatosur deri në dhëmbë dhe të pajisur me jelekë antiplumb. Rrjeti CNN pohoi më pas se njëri nga autorët ishte parë të mbante në duar një automatik të tipit kallashnikov, AK 47, dhe se gjithashtu një skuadër e specializuar e policisë gjeti në katin e dytë të ndërtesës një pako të dyshimtë, e cila u ekzaminua më pas. Po ashtu, sipas CNN, një tjetër dëshmitar pohoi se të tre agresorët mbanin në duar pushkë të gjata me qytë, duke mos arritur dot të shquante modelin e tyre. Më pas, sipas mediave amerikane, dy nga agresorët ishin larguar me një autostradë, duke lënë pas shumë enigma, ndërsa njëri kishte mbetur në ndërtesë. Deri dje, në orët e vona të mbrëmjes, gjendja mbeti akoma kaotike dhe e pasqaruar, ndërsa zyrtarët policorë dolën me një deklaratë, duke lënë pas shumë pikëpyetje rreth këtij akti dhe duke mos sqaruar përfundimisht nëse ai mund të jetë apo jo edhe një akt i planifikuar terrorist.

©Copyright Gazeta SHQIP

Për t'u bërë pjesë e grupit mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t'ju aprovohet.
Komuniteti Gazeta Shqip: https://www.facebook.com/groups/gazetashqip/





LEXO MË TEJ:


Më të lexuarat

Comments are closed.