NATO fton Malin e Zi, anëtarësimi brenda një viti

Përshëndesin njëzëri krerët e shtetit shqiptar. Rama: Një lajm i shkëlqyer

mali zi natoAleanca ushtarako-politike Veriatlantike ka ftuar dje Malin e Zi t’i bashkohet me të drejta të plota NATO-s, brenda harkut kohor të një viti, duke shënuar kësisoj zgjerimin e saj të parë në 6 vite. Vendimi, i përshkruar nga sekretari i Përgjithshëm, Jens Stoltenberg, si “historik”, vjen një dekadë e gjysmë pas bombardimit të vendit nga forcat e Aleancës së Atlantikut të Veriut, gjatë luftës së Kosovës, atëherë kur ishte ende pjesë e Jugosllavisë. Bisedimet e anëtarësimit pritet të zgjasin rreth një vit. “Ju kërkoj tani të konfirmoni se, e kemi konsensusin për ta ftuar Malin e Zi të çelë bisedimet e anëtarësimit në aleancën tonë. Mund të ma jepni këtë konfirmim? E shoh që po, faleminderit”, tha Jens Stoltenberg, sekretar i Përgjithshëm i NATO-s. Edhe pse Stoltenberg këmbënguli të tregonte se, afrimi i Malit të Zi në këtë rast nuk ka të bëjë aspak me Rusinë, vendimi shihet si një sfidë e hapur ndaj Moskës, që këmbëngul se çdo shtrirje e aleancës në Ballkan do të shihej prej saj si provokim. Diplomatë brenda aleancës citohen megjithatë nga “Reuters” të thonë se,  lëvizja i dërgon sidoqoftë Moskës mesazhin se nuk e ndalon dot zgjerimin e aleancës në lindje. “Këto janë kohë të vështira e sfiduese për aleancën. E kuptojmë se uniteti dhe solidariteti nevojiten, sot më shumë se kurrë, dhe unë mund t’ju siguroj se Mali i Zi vepron që tani si të ishte anëtar i saj, po të kemi parasysh kontributin e tij për qëndrueshmërinë euroatlantike”, tha Igor Luksiç, ministër i Jashtëm i Malit të Zi. Fqinji ynë buzë Adriatikut, me një popullsi prej vetëm 650 mijë banorësh, ka një ushtri shumë të vogël me rreth 2.000 pjesëtarë aktivë. Edhe pse për qeverinë e Milo Gjukanoviçit oferta e NATO-s është më se e mirëpritur, malazezët vetë shihen thellësisht të përçarë, nëse vendi duhet t’i bashkohet apo jo aleancës transatlantike. Vendimi i anëtarëve të Aleancës Veriatlantike, është përshëndetur dje menjëherë nga përfaqësuesit e lartë të klasës politike shqiptare, duke ia nisur nga kreu i shtetit, Nishani, kreu i Kuvendit, Ilir Meta, Kryeministri Edi Rama, kryediplomati Bushati dhe lideri i opozitës, Lulzim Basha. “Një lajm i shkëlqyer, ftesa e Malit të Zi për anëtarësim në NATO. Ne jemi krenarë për mbështetjen që gjithmonë u kemi dhënë fqinjëve dhe miqve tanë të mirë në këtë proces”, shkruante dje Rama në faqen e tij në “Facebook”. Lajmi në fjalë, nga ana tjetër ka sjellë dje edhe reagimin e Moskës zyrtare, e cila ka shprehur zhgënjimin e saj me këtë hap, duke deklaruar se kjo do të sjellë destabilizimin e rajonit.

©Copyright Gazeta SHQIP

Për t'u bërë pjesë e grupit mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t'ju aprovohet.
Komuniteti Gazeta Shqip: https://www.facebook.com/groups/gazetashqip/





LEXO MË TEJ:


Më të lexuarat

Comments are closed.