Pronat, Totozani jep 16 rekomandime për Kuvendin

Jo vetëm kompensim në lekë, por edhe forma të tjera. Ligji të kalojë nga Strasburgu

BLEDAR HOTI
TotozaniAvokati i Popullit paraqet një raport me 16 rekomandime për mënyrën e zgjidhjes së çështjes së pronave, duke i kërkuar shtetit shqiptar bërjen publike të fondit të kompensimit fizik. Raporti i firmosur nga Igli Totozani është depozituar në Kuvend, përkatësisht në Komisionin Parlamentar të Ligjeve, i cili ka nisur procesin e shqyrtimit të projektit të qeverisë për kthimin dhe kompensimin e pronave. Avokati i Popullit, duke vlerësuar si urgjente gjetjen e zgjidhjeve për çështjen e pronave, kërkon që për të shmangur faturat e rënda financiare që vijnë nga Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut, skema e re të miratohet nga ana e Strasburgut. Avokati kërkon që vendimet e dhëna nga GJEDNJ-ja për çështjet e pronësisë merren në konsideratë. Kompensimi të mos kryhet kryesisht në të holla, por të shihet me përparësi përdorimi i metodave alternative të kompensimit.

Mangësitë



Sipas llogaritjeve të shoqatës “Pronësi me drejtësi”, fatura e kompensimit të pronave shkon deri në 20 miliardë euro. AKKP-ja disponon aktualisht një fond fizik, në bazë të VKM nr. 868, “Për krijimin e fondit të kompensimit fizik nga fondi i tokës bujqësore”, të ndryshuar, me sipërfaqe 18 597 ha. Ndërsa 71 699 ha të tjerë janë evidentuar si të lira, bazuar në vendimin e qeverisë nr. 1077, “Për krijimin e fondit të kompensimit fizik nga fondi pyjor dhe kullosor”. AKKP-ja disponon dhe një fond tjetër për kompensimin fizik të objekteve ndërtimore shtetërore, të cilat do të vlerësohen sipas kritereve rigoroze e do të privatizohen. Avokati konstaton se vendimet e Gjykatës Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut për moskompensimin financiar të subjekteve të shpronësuara në vite, e kanë penalizuar deri tani shtetin shqiptar në disa milionë euro. Ndërkohë që janë më shumë se tetë mijë kërkesa të tjera që presin radhën e shqyrtimit, të cilat së bashku me barrën financiare të sipërcituar, përbëjnë një problem mjaft serioz për shtetin shqiptar dhe angazhimin për zgjidhjen përfundimtare të çështjes së pronave. Moszbatimi i vendimeve të formës së prerë që njohin të drejtën e kthimit dhe kompensimit për pronat e konfiskuara gjatë regjimit komunist, është padyshim një problem i hershëm strukturor i sistemit ligjor shqiptar. Vënia në funksionim e një mekanizmi efektiv të kthimit dhe kompensimit të pronës mbetet ende një sfidë për shtetin shqiptar, i cili ka për të paguar një faturë të madhe financiare. Në vijim të këtij procesi, Avokati i Popullit konstaton se buxheti i shtetit rëndohet gjatë vitit nga vendimet e Gjykatës Ndërkombëtare të Strasburgut, të cilat pothuajse në të gjitha rastet janë në favor të paditësve, me një efekt financiar të konsiderueshëm.

Propozimet

Ndër rekomandimet e dhëna nga avokati, është marrja e masave të menjëhershme, të cilat mundësojnë shqyrtimin në një afat sa më të shpejtë të kërkesave të administruara për njohjen me të drejtë kthimi apo kompensimi të pasurive të paluajtshme. “Miratimin sa më parë të jetë e mundur i listës së pronave që vihen në dispozicion fizik, sipas shkronjave “a” dhe “b” të nenit 11 të Ligjit Nr. 9583, datë 17.07.2006, si dhe mënyrat e vendosjes së këtij fondi në dispozicion të AKKP-së. Marrja e masave sa më parë të jetë e mundur për evidentimin e të gjithë vendimeve administrative dhe gjyqësore të dhëna prej vitit 1990, e deri më sot, sipas të cilave është vendosur për njohjen, fitimin e së drejtës së pronësisë së paluajtshme apo një të drejte reale mbi atë, si dhe dërgimin e tyre për regjistrim pranë zyrës vendore të regjistrimit të pasurive të paluajtshme përkatëse. Për pronat e paluajtshme të zëna me objekte shtetërore, ka ndodhur që subjekteve të shpronësuara nuk u është dhënë mundësia e ushtrimit të së drejtës së parablerjes mbi këto objekte kur ato janë privatizuar. Lidhur me krijimin e një mekanizmi të ri efikas për kompensimin e subjekteve të shpronësuara gjatë regjimit komunist, si dhe transformimit dhe rolit të AKKP-së, në procesin e kthimit dhe kompensimit të pronave pronarëve të shpronësuar”, janë disa nga rekomandimet e Totozanit. Gjithashtu kërkohet nxjerrja rregullisht e aktit nënligjor për kompensimin financiar të të shpronësuarve për çdo vit në bazë të ligjit “Për krijimin e fondit special të kompensimit të pronave”. Një tjetër kërkesë është bërja publike e fondit të kompensimit fizik, sipas VKM-së nr. 1077; “bërja publike e fondit të kompensimit fizik sipas VKM-së nr. 868; krijimi i database dhe pozicionimit hartografik të pronave, për të cilat disponohen nga AQSH, kadastrat, (sot ZAMT) në qarqe, hipotekat (sot ZVRPP), të dhëna pronësie para zbatimit të ligjit ‘Mbi reformën agrare’, viti 1946. Përfundimin e procesit të regjistrimit fillestar sistematik të pronave në ato zona kadastrale ku është vendosur për njohjen dhe kthimin dhe kompensimin e pasurive të paluajtshme. Pasi pengohet pajisja me kartelë pasurie, si dhe harte treguese e pasurisë së paluajtshme e të interesuarve që kanë përfituar sipas ligjit”, thuhet në rekomandime.

Propozimet
Miratimin sa më parë të listës së pronave që vihen në dispozicion fizik
Nxjerrjen rregullisht të aktit nënligjor për kompensimin financiar të të shpronësuarve për çdo vit

Ka ndodhur që subjekteve të shpronësuara nuk u është dhënë mundësia e ushtrimit të së drejtës së parablerjes mbi këto objekte kur ato janë privatizuar

Përfundimin e procesit të kthimit dhe kompensimit të pronave, procesit të legalizimit dhe atij të vlerësimit të titujve të pronësisë brenda afateve ligjore

Marrja e masave sa më parë të jetë e mundur për evidentimin e të gjitha vendimeve administrative dhe gjyqësore të dhëna prej vitit 1990 e deri më sot

Rritjen e shkallës së koordinimit midis institucioneve që trajtojnë çështjet e pronësisë

Përfundimin e procesit të kthimit dhe kompensimit të pronave, procesit të legalizimit dhe atij të vlerësimit të titujve të pronësisë brenda afateve ligjore

Përfundimin sa më parë të regjistrimit fillestar të pasurive të paluajtshme dhe dixhitalizimin e të dhënave

Futjen në sistemin e regjistrimit të tokave të ndara në pronësi familjeve bujqësore në shumë zona të vendit në ZRPP

Ngritja e komisioneve të veçanta dhe nxjerrja e akteve ligjore dhe nënligjore për zgjidhjen përfundimtare të pronësisë se tokës bujqësore

Rishikimin e modaliteteve për kompensimin në mënyrë që të reflektojnë udhëzimet e dhëna nga GJEDNJ-ja për çështjet e pronësisë

Kompensimi të mos kryhet kryesisht në të holla, por të shihet me përparësi përdorimi i metodave alternative të kompensimit

Llogaritjen e numrit të përgjithshëm të vendimeve, me qëllim llogaritjen e shumës së përgjithshme të kompensimit

©Copyright Gazeta SHQIP




LEXO MË TEJ:

Comments are closed.