Leskaj, demokratëve: Nuk më intimidoni dot me histori tenderësh

Valentina LeskajBerisha: Jep dorëheqjen. Rama dhe Meta si çiftet që s’e shpallin divorcin, për shkak të fëmijëve

Mimi Kodheli – “Flisni për dyqan celularësh dhe favorizim tenderësh. Kjo është pak të thuash qesharake, ndërkohë që zëdhënës tuaj thonë se kjo kompani është përjashtuar në vitin 2013″

Arben Imami – “Kompania që ju ia dhatë ishte kompania që u përjashtua. Vlerësimi i flotës dhe ministrisë ishte që ajo kompani për shkak të performancës së keqe, të skualifikohej për kontratën e 2013-s”

Sali Berisha – “Ju kërkoj të ndërprisni seancën dhe të garantoni rikthimin e ministrave të LSI-së në Parlament. E di si jeni bërë ju? Si puna e atij çiftit që ndahet dhe nuk e shpall”

Valentina Leskaj – “Dua t’ua them që në fillim harrojeni se mund të më bëni pis, harrojeni se mund të më intimidoni duke sajuar histori me tenderë dhe do t’i marrë një për një dhe ato që përmendet ju”

Herion Mesi

Si çdo të enjte, edhe seanca e djeshme plenare do të shndërrohej në një arenë përplasjesh mes mazhorancës dhe opozitës lidhur me zhvillimet më të fundit politike në vend, ku protagonist i këtyre debateve do të ishte deputeti demokrat, Sali Berisha. Ish-kryeministri do të përfshihej në debate jo vetëm me disa prej ministrave të kabinetit qeveritar, por edhe me nënkryetaren e Kuvendit, Valentina Leskaj. Ndërkaq, nisur edhe nga mungesa e përsëritur e deputetëve të LSI-së në sallë gjatë debateve parlamentare, Berisha do të deklaronte se Rama e Meta janë bërë si ai çifti që është ndarë, por e mban të fshehtë këtë fakt prej fëmijëve. “Të kthehen ministrat dhe deputetët e LSI-së në Kuvend, jeni bërë si puna e atij çiftit që ndahet po nuk e shpall dhe rrinë e i thonë njëri-tjetrit s’po e shpallim për fëmijët, ju nuk e shpallni, për shkak të parave, ku i keni, kam konstatuar se ka një muaj rresht që ministrat, edhe sot dalja e Brahos, ishte në kuadrin e kësaj”, tha Berisha.

Mandati i Leskajt

Në reagimin e parë publik lidhur me akuzat e bëra nga Partia Demokratike ndaj djemve të saj, nënkryetarja e Kuvendit, Valentina Leskaj, u shpreh se djemtë e saj janë ndër taksapaguesit më të rregullt, duke deklaruar se ata nuk kanë përfituar asnjëherë nga paratë publike. “Dua t’ua them që në fillim, harrojeni se mund të më bëni pis, harrojeni se mund të më intimidoni duke sajuar histori me tenderë dhe do t’i marr një për një dhe ato që përmendet ju. Dua t’u them që në fillim se djali im është 48 vjeç, ka 20 vjet në biznes, e ka ngritur në kohën tuaj biznesin, nëse i ke bërë ndonjë privilegj çohu e thuaje këtu. Është nga taksapaguesit më të rregullt. Zero para publike në biznesin e tij. Një prindi që e ka vajzën 18 vjeç, një njeri model kur mbeti pa punë e ka dalë ka shitur në treg zotëri, sepse mbeti pa punë. Ç’të bënte, të bënte rolin e sekserit?”, iu drejtua Leskaj deputetit demokrat, Sali Berisha, pas akuzave për dorëzimin e mandatit, pasi, sipas tij, ajo është në konflikt interesi. “I takonte që të mos merrte pjesë në tenderë nëse ligji e ndalon. Janë shkelje flagrante të ligjit, pasi nuk ka deklaruar konfliktin e interesit. Këta thonë nuk ka faj hajduti që vjedh, po hekurudha e kujt është?! Paratë e Bankës Botërore janë paratë që merren borxh. Ka fituar të gjithë ato tenderë dhe vazhdon të fitojë tenderë ai dhe ‘akuza’ është se janë para të Bankës Botërore. Po e di çfarë janë ato? Ato janë të gjitha kacidhe për kacidhe borxh që shqiptarët marrin te Banka Botërore. Dorëzo mandatin se qytetarët shqiptarë nuk të kanë votuar për një gjë të tillë”, iu drejtua Berisha, deputetes së PS-së.

Debatet për radarët

Përveç nismës së qeverisë për kriminalizimin e shpifjes dhe fyerjes, tenderi i Ministrisë së Mbrojtjes për radarët detarë dhe kallëzimin e zyrtarëve të Ministrisë së Mbrojtjes nga ana e KLSH-së do të ishin shkak i përplasjeve mes deputetëve të opozitës me ministren e Mbrojtjes, Mimi Kodheli. Gjatë prezantimit të projektligjit për planin afatgjatë të zhvillimit të FA-ve, 2016-2025 ministrja Kodheli do t’u përgjigjej akuzave të opozitës nga foltorja e Kuvendit lidhur me pretendimet se ky tender ishte klientelist dhe iu dha një dyqani celularësh. “Flisni për dyqan celularësh dhe favorizim tenderësh. Kjo është pak të thuash qesharake, ndërkohë që zëdhënës tuaj thonë se kjo kompani është përjashtuar në vitin 2013; këtu kam një letër zyrtare tuajën, ku sekretari i përgjithshëm i Ministrisë së Mjedisit të asaj kohe, kërkon zgjidhje të kontratës se nuk janë zbatuar kushtet. Vijmë te dyqani i celularëve. Ky, zotëri, është dokumentacioni ku kjo kioska e celularëve ka kontrata të firmosura me Ministrinë e Mbrojtjes që nga 09.01.2005. Bazuar në këtë kontratë të fundit, vlera e 5 muajve shërbim ishte 58.5 mln lekë, për pesë muaj. Ne kemi bërë një kontratë njëvjeçare, po me të njëjtën kompani për 62.4 milionë lekë. Nëse do ta kishim lënë këtë procedurë të prokurimit të fillimvitit 2013 do të kishim pësuar dëm që do të ishte për pesë vite që pretendohej të lidhej kontrata 230.5 milionë lekë diferencë”, tha Kodheli. Por reagimi do të vinte nga paraardhësi i saj në ministri, Arben Imami, i cili do të shprehej se kjo kompani është përjashtuar, për shkak të performancës së dobët, sipas tij, fakt që e dëshmon edhe kontrolli i auditit. Gjithashtu, deputeti i PD-së i sugjeroi ministres Kodheli që tenderi për radarët të jetë afatgjatë dhe jo i përvitshëm. “Kompania që ju ia dhatë ishte kompania që u përjashtua. E keni në raportin e njësisë së prokurimit dhe e keni pasur në tavolinë, pasi në kontratën që kishte pasur me flotën detare kishte realizime të pakta dhe vlerësimi i flotës dhe ministrisë ishte që ajo kompani, për shkak të performancës së keqe, të skualifikohej për kontratën e 2013-s”, tha Imami. Ndërsa deputeti demokrat, Sali Berisha, akuzoi ministren se nuk foli asnjë fjalë për dokumentin e planit afatgjatë të zhvillimit të FA-ve, ndërsa mbrojtjen si avokate duhet ta bëjë në prokurori.

©Copyright Gazeta SHQIP

Për t'u bërë pjesë e grupit mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t'ju aprovohet.
Komuniteti Gazeta Shqip: https://www.facebook.com/groups/gazetashqip/





LEXO MË TEJ:


Më të lexuarat

Comments are closed.