Gjakderdhja në Kurbin, pronari i kallashit shoku i deputetit

Armando PrengaSot, Prenga në Gjykatën e Lartë

Prokuroria: Dyshojmë se Armando Prenga dhe Anton Leka kanë qëlluar me armë zjarri, deputeti me pistoletën pa leje dhe Leka me kallashnikov. Gjashtë persona janë vënë nën akuzë, tre nga secila palë

Aktakuza

1. Deputeti – Armando Prenga ka konsumuar tri vepra penale, atë të “plagosjes së rëndë me dashje”, “kanosjes” dhe akuzën e “armëmbajtjes pa leje”

2. Plagosja – Deputeti Prenga ka qëlluar me pistoletë në drejtim të shtetasit Tom Cali, të cilin e ka plagosur në këmbë dhe ka kërcënuar një tjetër me armë

3. Bashkëpunëtorët – Akuza ka faktuar se edhe shtetasit Gazmir Jushi dhe Anton Leka akuzohen për plagosje. Madje, Leka dyshohet se qëlloi me kallash

4. Calët – Gjokë, Nikoll dhe Gjergj Cali akuzohen për armëmbajtje pa leje dhe plagosje. Kanë qëlluar me thikë Edmond Prengën, vëllain e deputetit

Gjyqtarët – Gjyqtarët Edmond Islamaj, Artan Zeneli, Tom Ndreca, Artan Broci dhe Mirela Fana do të jenë anëtarët e panelit të Gjykatës së Lartë që do të marrin në shqyrtim çështjen “Prenga”

Procesi – Seanca e parë në Gjykatën e Lartë pritet të mbahet sot, ndërsa Kuvendi miratoi kërkesën e Prokurorit të Përgjithshëm për ndjekjen penale të deputetit të Lezhës që akuzohet për tri akuza

Sokol Çobo

Prokuroria është në kërkim të “banditit” të dytë që ka qëlluar me armë zjarri para Komisariatit të Policisë në Kurbin, gjatë sherrit mes fisit Prenga dhe Cali. Akuza qendrore, që ka marrë në dorë hetimet, për shkak se një nga autorët është deputet në Kuvendin e Shqipërisë, thotë se ka faktuar se një nga personat që ka qëlluar me armë zjarri është pikërisht deputeti Armando Prenga, i cili ka pasur në posedim një pistoletë “TT” pa leje. Në vendngjarje janë gjetur disa gëzhoja pistolete, si dhe kallashnikovi, ndërsa për armën automatike akuza ende ka dyshime. Nga ekspertimet e duarve të të shoqëruarve rezultoi se personi i dytë që ka qëlluar me armë zjarri është Anton Leka, por në mungesë të sekuestrimit të armës akuza thotë se nuk mund t’i ngrejë dot akuzë. Gjithsesi, ekspertimet e mëvonshme apo edhe marrja e provave të tjera do të saktësojnë nëse Leka ka qëlluar apo jo para Policisë së Kurbinit. Emri i Lekës ka dalë në dosjen që akuza qendrore i ka dërguar Kuvendit, pikërisht për kërkesën për dhënie autorizimi për heqjen e imunitetit ndaj Prengës. “Me aktet e ekspertimit kimike të datës 5 shtator 2015, është arritur në konkluzionin se, në shiritat ngjitës me të cilët është marrë material në dorën e shtetasve Armando Prenga dhe Anton Leka, është evidentuar prania e nitrateve e nitriteve, të cilat janë të pranishme edhe nga mbetjet e qitjes me prejardhje nga barutet, kurse për tetëmbëdhjetë persona të tjerë të ekspertuar për të njëjtin fakt, nuk është gjetur prania e faktorëve plotësues të qitjes”, thuhet në dosjen e prokurorisë.

 

Prenga dhe Leka

Burime zyrtare nga akuza qendrore thanë se, pasditen e djeshme, disa orë pas autorizimit të Kuvendit për arrestimin e deputetit Armando Prenga, materialet në ngarkim të gjashtë personave janë dërguar në Gjykatën e Lartë. Akuza thotë se deputeti Armando Prenga ka konsumuar tri vepra penale, atë të “plagosjes së rëndë me dashje”, “kanosjes” dhe akuzën e armëmbajtjes pa leje. Po të njëjtat akuza rëndojnë edhe ndaj dy shoqëruesve të deputetit Prenga, Gazmir Jushi dhe Anton Leka.

Sipas akuzës, është provuar se deputeti Prenga ka qëlluar me pistoletë në drejtim të shtetasit Tom Cali, të cilin e ka plagosur në këmbë dhe ka kërcënuar po me të njëjtën pistoletë pa leje, që ende nuk është gjetur nga policia, edhe anëtarët e tjerë të familjes Cali. Megjithëse deputeti nuk e pranon se ka qëlluar në drejtim të Calëve, provat dhe dëshmitë flasin se ai ka qenë mjaft aktiv në atë ngjarje. Ndërkohë, Anton Leka, thotë akuza, mund të ketë përdorur kallashnikovin. Ka dyshime se Leka ka qëlluar ndaj Nikoll Calit, duke e plagosur në këmbë. Në vendngjarje janë gjetur pesë gëzhoja kallashi, të cilat po ekspertohen. “Nga këqyrja janë gjetur dhe sekuestruar me cilësinë e provës materiale nëntë gëzhoja arme zjarri, një teh biçaku, një automjet ‘Mercedes Benz’, katër gjurmë papilare në sipërfaqen e jashtme të këtij automjeti, mbetje tavoline plastike të thyera, një paketë cigare, një çakmak dhe dy bishta cigare. Gjithashtu janë konstatuar tri dëmtime në asfalt të shkaktuara nga predhat e armëve të zjarrit, si dhe disa njolla të kuqe si ato të gjakut”, thotë akuza. Sipas saj, dyshohet se Leka ka qëlluar disa herë me kallashnikov dhe më pas e ka fshehur.

 

Fisi Cali

Burime nga akuza thanë se, krahas veprimeve të deputetit me shokët e tij, nën akuzë janë vënë edhe disa persona nga fisi Cali. Kështu, akuza qendrore ka kërkuar masë arresti burg pa afat për Gjokë, Nikoll dhe Gjergj Calin. Ata akuzohen për “mbajtje pa leje të armëve të ftohta” dhe “plagosjes së rëndë me dashje”. Këto akuza dyshohet se janë konsumuar gjatë përplasjes fizike para Komisariatit të Policisë së Laçit me pjesëtarët e familjes Prenga, mes tyre edhe deputetin Armando Prenga. Madje, veprimet e tyre shkaktuan plagosjen e Eduart Prengës, vëllait të deputetit. “I plagosuri Eduart Prenga është goditur me një mjet mprehtës. Dyshohet se ka qenë një biçak, që është sekuestruar në cilësinë e provës materiale”, pohojnë burimet nga akuza qendrore.

 

Gjakderdhja në Kurbin

Në aktakuzën e prokurorisë thuhet se rrethanat e faktit penal rezulton të jenë kryer në datën 4 shtator 2015 rreth orës 22:30. Deputeti Armando Prenga ka shkuar në lokalin e shtetasit Gjok Cali në lagunën e Patokut. Ai ka kontaktuar me djemtë e Gjokut, me të cilët ka debatuar në lidhje me mosmarrëveshjet për shfrytëzimin e lagunës së Patokut. Shtetasi Dorian Cali ka njoftuar babanë e tij, i cili është nisur menjëherë në drejtim të lokalit. Gjatë rrugës për në lokal, rezulton të jetë përballur në vendin e quajtur Fushëkuqe me deputetin Armando Prenga, i cili udhëtonte me Luis Skurën, Gazmir Lushin dhe Gjon Prengën. Gjok Cali dhe Armando Prenga, sipas prokurorisë, kanë ndaluar automjetet dhe kanë kërkuar shpjegime për ngjarjen në lokal dhe pas këtij momenti, sipas shpjegimeve të Gjok Calit, Armando Prenga ka nxjerrë një armë zjarri dhe e ka goditur në kokë me qytën e saj dhe ka qëlluar me të edhe një herë në ajër. Gjok Cali, rreth orës 23:40, ka njoftuar policinë për ngjarjen dhe ka pretenduar se është goditur në lokalin e tij në Patok me pistoletë nga Armando Prenga. Policia ka shkuar në lokal dhe i ka kërkuar të bëjë denoncim dhe për të dhënë shpjegime për ngjarjen. Në këto rrethana, Gjok Cali, së bashku me të afërmit e tij Tom, Nikoll dhe Gjergj Cali, janë nisur me një automjet tip “Benz” me targa Laçi në drejtim të Komisariatit të Policisë së Kurbinit. Ata janë shoqëruar edhe nga një tjetër automjet që drejtohej prej Françesk Calit. Me të mbërritur në Policinë e Kurbinit, Gjok Cali është futur për të bërë kallëzim dhe të tjerët kanë qëndruar jashtë ambienteve të komisariatit. Në këtë moment, para Komisariatit të Policisë së Kurbinit rezulton të jetë afruar edhe deputeti Armando Prenga i shoqëruar nga i vëllai Edmond Prenga, Gazmir Lushi e persona të tjerë. Rezulton se këta shtetas kanë filluar të konfliktohen me njëri-tjetrin dhe më pas deputeti Armando Prenga ka përdorur një armë zjarri tip pistoletë. Nga të shtënat me armë zjarri, është plagosur në këmbë shtetasi Tom Cali. Gjatë këtij konflikti, rezulton të jenë përdorur edhe armë të ftohta, ku kanë mbetur të dëmtuar shtetasit Gazmir Lushi, Eduart Prenga dhe Gjergj Cali.

 

Polici: Ngjarja jashtë komisariatit, u përdorën pistoleta e kallash

Prokuroria e Përgjithshme ka hetuar edhe veprimet e punonjësve të policisë. Fillimisht pjesëtarët e familjes Cali kanë deklaruar se janë qëlluar në oborrin e Komisariatit të Policisë në Kurbin, por që është mohuar nga vetë policia dhe provat e tjera. “Në lidhje me këtë ngjarje është pyetur punonjësi i policisë, Lutfi Hima, i cili ka qenë me shërbim në zyrën e oficerit të rojës së Komisariatit të Policisë Kurbin. Ky shtetas ka shpjeguar se konflikti është zhvilluar para derës së Komisariatit të Policisë Kurbin, madje gjatë konfliktit është përdorur një pistoletë dhe një automatik, me të cilat është shtënë disa herë. Shtetasi Tom Cali është plagosur në këmbë me pistoletë”, thuhet në dosjen e prokurorisë. Faktin se deputeti ka qëlluar me armë, e ka pohuar edhe Gjergj Cali dhe Tom Cali, të cilët kanë dëshmuar se Armando Prenga ka pasur në dorë armë zjarri tip pistoletë gjatë konfliktit të ndodhur para Komisariatit të Policisë Kurbin, me të cilën ka qëlluar.

©Copyright Gazeta SHQIP

Për t'u bërë pjesë e grupit mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t'ju aprovohet.
Komuniteti Gazeta Shqip: https://www.facebook.com/groups/gazetashqip/





LEXO MË TEJ:


Më të lexuarat

Comments are closed.