Bashkia e Kukësit akuzon Gjicin: Trukues dhe i pashkolluar

Kryebashkiaku i ri, Bashkim Shehu, sulmon hapur paraardhësin: Nuk i nënshtrohem mafies së futbollit

Bashkim ShehuVazhdon “lufta” në distancë mes presidentit të Kukësit, Safet Gjici, dhe kryebashkiakut të ri, Bashkim Shehu. Ky i fundit ka reaguar shumë ashpër në lidhje me situatën aktuale të klubit verilindor, madje ka arritur deri aty sa ta quajë presidentin Gjici “një mafioz”. Ky është sulmi i dytë i kreut të Bashkisë së Kukësit ndaj Gjicit, të cilin e akuzonte për evazion fiskal dhe i kërkonte të hiqte dorë nga drejtimi i skuadrës. Përmes një deklarate, Shehu ka kërcënuar se nuk do ta lejojë skuadrën t’i luajë ndeshjet në stadiumin “Zeqir Ymeri” deri sa të bëhet një auditim i pastër, i paanshëm dhe transparent, pasi FK Kukësi është 100% pronë e bashkisë. “Unë, si kryetar i Bashkisë së Kukësit, duke mos u bërë pjesë e asnjë afere korruptive të paraardhësve që kanë drejtuar pushtetin vendor, duke mos u bërë pjesë e asnjë afere mafioze, deklaroj se nuk do t’i nënshtrohem mafies së futbollit, mafies së falsifikimeve, mafies që Kukësi u duket si pronë dhe sa herë u prishen interesat, e ndërrojnë strehën politike. Fëmijët tanë, shembull të kenë njerëz të shkolluar dhe jo të atyre që e shesin të ardhmen e kuksianëve”, thuhet në deklaratë. Kryebashkiaku i ri, që fitoi si kandidat i zgjedhur nga opozita në zgjedhjet lokale të qershorit, shprehet se tifozët kuksianë ndihen të turpëruar dhe se dinjiteti i tyre është shitur. Sipas tij, “kuksianët kanë traditë mundjen dhe nuk dalin nga tapeti pa fituar, pse jo edhe në futboll, por jo me dhunë dhe allishverishe, mashtrim apo falsifikime”, vazhdon deklarata. Shehu i quan të turpshme dhe deklaratat e presidentit Gjici, i cili kishte paralajmëruar pas trazirave të tifozëve në ndeshjen Kukësi – Legia se do të braktisë Kukësin për të marrë drejtimin e Vllaznisë së Shkodrës. Ai shprehet se klubi verilindor nuk mund të jetë një zgjedhje e dytë, ashtu siç e kanë lënë në renditjen e viteve të fundit të Kategorisë Superiore. “Kukësi kurrë nuk mund të jetë mundësi e dytë, për të vetmen arsye se këta drejtues, gjithmonë kanë qenë të dytët në çdo renditje, për shkak të aferave”. Në fund të deklaratës së tij, numri një i pushtetit vendor, thekson se Bashkia e Kukësit, si aksionere e vetme e klubit të futbollit të këtij qyteti, ka marrë të gjitha masat për të vënë në dispozicion të ndeshjeve stadiumin “Zeqir Ymeri”. “Kemi vënë në dijeni FSHF-në dhe Policinë vendore zyrtarisht”, mbyllet deklarata. Për pasojë, e ardhmja duket se do ta zhvendosë “politikisht” Safet Gjicin nga posti që mban, përderisa kryetari i bashkisë ka njoftuar afrimin e sponsorëve të rinj në skuadër. Natyrisht, përveç problemeve ligjore që mund të ketë, në këtë mes ka hyrë edhe lufta politike. Gjici duhet “të paguajë” kalimin nga e djathta tek e majta në vitin 2013 dhe pas trazirave mes tifozëve kuksianë dhe atyre te Legia Varshavë në ndeshjen e Europa Ligës në “Qemal Stafa”, paralajmëroi se mund të shkonte në Shkodër për të financuar Vllazninë.

©Copyright Gazeta SHQIP

Për t'u bërë pjesë e grupit mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t'ju aprovohet.
Komuniteti Gazeta Shqip: https://www.facebook.com/groups/gazetashqip/





LEXO MË TEJ:


Më të lexuarat

Comments are closed.