Goditet rrjeti i trafikantëve, dërgonin në Angli shqiptarë

Spanjë

Në operacion janë arrestuar 12 persona dhe janë kapur 85 të tjerë me dokumente false

Policia spanjollePolicia spanjolle ka njoftuar se ka arritur të godasë dhe shkatërrojë një rrjet trafikantësh, të cilët dërgonin me avionë shtetas shqiptarë në Britani nga Spanja, duke përdorur dokumente false. Autoritetet njoftuan se janë arrestuar 12 të dyshuar si trafikantë dhe 85 persona të tjerë me dokumente false, të cilët do të merrnin avionin për të shkuar në Britaninë e Madhe. Përmes një njoftimi, policia spanjolle ka thënë se anëtarët e këtij rrjeti kontaktonin njerëz në Shqipëri, të cilët dëshironin të largoheshin nga vendi, duke u premtuar atyre punë në Britani ose Irlandë.

Shqiptarët, të cilët pranonin të shkonin në Britani përmes kësaj mënyre, duhet të shkonin fillimisht në Spanjë, duke kaluar nga Turqia ose Italia. “Anëtarët e grupit në Barcelonë do të kujdeseshin të bënin rezervimin e hotelit, të blinin biletat e udhëtimit dhe të udhëzonin emigrantët se çfarë duhet të bënin e si të shmangnin zbulimin gjatë kontrolleve policore”, thuhet në deklaratë.

Grupi pajiste emigrantët me pasaporta të rreme, leje qëndrimi, leje drejtimi dhe kartë shëndeti me identitete rumune, italiane dhe greke. Policia ka arrestuar katër persona në Barcelonë, 81 të tjerë në aeroportin e këtij vendi, i quajtur “El Prat”, katër persona në Aeroportin e Madridit, “Adolfo Suarez”, si dhe tetë të tjerë në Palma de Majorka. Në mesin e të arrestuarve janë edhe gjashtë minorenë.

Po ashtu, janë konfiskuar edhe 100 dokumente të ndryshme, si karta identiteti, leje qëndrimi, karta studenti dhe leje drejtimi me identitete italiane, rumune, greke, franceze, belge, bullgare dhe sllovene. Aksioni i autoriteteve spanjolle kishte nisur që në nëntor të vitit 2014, pasi kishin hetuar se nga aeroportet e lartpërmendura kishte shumë fluturime drejt Britanisë së Madhe dhe Irlandës.

Ndërkohë, Ministria e Jashtme e Shqipërisë është në dijeni të ndalimit të 85 shtetasve shqiptarë nga autoritetet spanjolle, që rezultuan me dokumente të falsifikuara, teksa tentonin të udhëtonin drejt Britanisë. Ministria thotë se kjo mënyrë trafikimi, po hetohet nga policia e shtetit Iberik. Ambasada shqiptare në Madrid, po ndjek nga afër çështjen e këtyre personave. Ndërkaq, burime nga Ministria e Brendshme shqiptare theksuan gjithashtu se kanë dijeni për ndalimet dhe se janë në pritje të procedurave hetimore nga Spanja, për të shtrirë hetimet brenda vendit.

©Copyright Gazeta SHQIP

Për t'u bërë pjesë e grupit mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t'ju aprovohet.
Komuniteti Gazeta Shqip: https://www.facebook.com/groups/gazetashqip/





LEXO MË TEJ:


Më të lexuarat

Comments are closed.