“Bankers”, AKBN nuk i njeh 303 milionë USD shpenzime

Bilanci

Kompania kanadeze pretendon se në vitin 2014 ka pasur 100 milionë dollarë humbje

bankers-ibna_1Kompania më e madhe e prodhimit të naftës në vend, “Bankers Petroleum” ka publikuar bilancin e saj për vitin 2014. Sipas të dhënave, qarkullimi vjetor i kompanisë  (i rakorduar me deklarimet tatimore PDF për efekt të TVSH-së) ishte 67.3 miliardë lekë, me një rënie fare të lehtë në raport me 67.7 miliardë lekë një vit më parë.

Kompania ka rritur shitjet brenda vendit nga 2.8 në 8.4 miliardë lekë, megjithatë, shitjet kryesore i ka shënuar përmes eksporteve, ku ka gjeneruar 53 miliardë lekë. “Bankers” pretendon se ka paguar 9 miliardë lekë rentë minerare në 2014, nga 9.8 miliardë lekë një vit më parë.

Kompania ka raportuar humbje fiskale prej 12.5 miliardë lekësh në 2014-n (rreth 100 mln USD), nga rreth 19.4 miliardë lekë që ishte humbja fiskale e një viti më parë. Që prej fillimit të aktivitetit, kompania nuk ka dalë asnjëherë më fitim, që sipas marrëveshjes koncesionare do të duhet të tatohej me 50%. (Rezultati tatimor i shoqërisë nuk llogaritet sipas ligjit ‘Për tatimin mbi të ardhurat’ por, bazuar në marrëveshjen e Hidrokarbureve lidhur midis Albpetrol sh.a. dhe “Bankers” miratuar në 2004-n, sipas së cilës rezultati llogaritet pasi nga të gjitha të ardhurat të zbriten të gjitha shpenzimet operative dhe kapitale të bëra nga nënkontraktori).

Në raportin vjetor theksohet që situacioni i mbulimit të kostove (Cost Recovery Statement) përfaqëson zbritjet për tatim-fitimin dhe është në përputhje me marrëveshjen hidrokarbure për licencë marrëveshjen.

Sipas raportit, “Bankers” ka marrë një raport nga AKBN me gjetje që mund të rezultojnë me një shumë prej 303 milionë dollarë zbritje  të situacionit të mbulimit të kostove dhe një pozicion potencial të taksueshëm për vitin 2014.

“Bankers” pohon se auditime të tjera rutinë nga AKBN e kanë pranuar koston për të njëjtat shpenzime të kompanisë në situacionin e mbulimit të kostove dhe bazuar në këto auditime dhe në dokumentet e aprovimit të projektit të AKBN në vitet e mëparshme, “Bankers” është aktualisht duke mbrojtur të gjitha kostot dhe ka përgatitur të gjithë dokumentacionin e kërkuar mbështetës.

Pak ditë më parë, Dael Dervishi, drejtori i Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore (AKBN) ka pohuar për “Monitor” se AKBN ka konstatuar një nivel shumë të lartë të kostove që i konsideron të parregullta, pra të kryera jo në përputhje me licencë-marrëveshjen nga auditimet e kryera për 10 kompani hidrokarbure në kërkim dhe prodhim. Vlera e këtyre kostove është tepër e lartë, mbi 500 milionë dollarë llogariten kostot e parregullta, që janë shpenzime të parregullta (të fryra dhe të pajustifikuara). Për shembull për disa shërbime, që duhet të kryhen duke bërë më parë me tender të hapur, AKBN ka konstatuar që këto procedura janë evituar. Ka pasur dhe raste të tjera të ngjashme, ndërsa nuk ka pasur asnjë mekanizëm që rregullonte eficencën e kostove.

©Copyright Gazeta SHQIP

Për t'u bërë pjesë e grupit mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t'ju aprovohet.
Komuniteti Gazeta Shqip: https://www.facebook.com/groups/gazetashqip/





LEXO MË TEJ:


Më të lexuarat

Comments are closed.