Kukësi i shpëton përjashtimit, por Gjici vazhdon të lëkundet

“Jam i gatshëm nëse Bashkia e Shkodrës më kërkon të ulemi në bisedime”

Ndeshja e KukesitKukësi ka shmangur vendimin më drastik të UEFA-s, përjashtimin nga Kupat e Europës, por nuk ka evituar dot humbjen në tavolinë të ndeshjes kundër Legias së Varshavës. Megjithatë, pas zyrtarizmit nga UEFA të vendimit të dhënë kundër skuadrës shqiptare, presidenti i nënkampionëve të Shqipërisë, Safet Gjici, ka konfirmuar se eliminimi gjithnjë e më i afërt nga Europa League, po e shtyn drejt largimit nga klubi me të cilin bëri histori në arenën ndërkombëtare.

Ndërsa kishte mbajtur në ankth kuksianët gjatë gjithë ditës së hënë me një mbledhje që zgjati më shumë se 5 orë, Komisioni i Disiplinës i UEFA-s dha dënimin në orët e para të mëngjesit të djeshëm. “Komisioni i Kontrollit, Etikës dhe Disiplinës në UEFA ka vendosur të deklarojë ndeshjen e Kukësit kundër Legias së Varshavës si të braktisur. Si rrjedhojë, Kukësi caktohet të ketë humbur ndeshjen e parë me rezultatin 3-0. Për më tepër, klubi shqiptar është urdhëruar që të luajë dy ndeshjet e radhës në kompeticionet e UEFA-s me dyer të mbyllura për tifozët. Ndeshja e dytë me dyer të mbyllura është pezulluar me kusht për një periudhë dyvjeçare. Kukësi gjithashtu është gjobitur me 70 mijë euro”, shkruhej në vendimin e dalë dje nga zyrat e institucionit që drejton futbollin europian, të cilin klubi nuk ka vendosur ende nëse do ta apelojë apo jo. Skuadra shqiptare ka evituar më të keqen, përjashtimin, por jo një eliminim të mundshëm nga ky edicion i Europa League, pasi rezultati 3-0 duket i pamundur për t’u përmbysur në ndeshjen e kthimit në fushën e skuadrës polake që luhet të enjten.

Megjithatë, Kukësi nuk mund të quhet i shpëtuar, pasi ky incident ka afruar më shumë largimin e investitorit kryesor të kësaj skuadre, Safet Gjici. Ky i fundit ka bërë të qartë se me eliminimin nga Europa League, do të rishikojë pozicionin e tij në drejtimin e skuadrës. “Siç e dini, jam ende president i klubit të Kukësit dhe s’kam marrë ndonjë vendim. Kam mbledhur ekipin dhe u kam thënë se nëse nuk kualifikohen në Varshavë, unë do të rishoh pozicionin tim, për të vazhduar më tej ose jo investimin tim tek ekipi. Na e ndërprenë ëndrrën në mes. Faktin se kush e ndërpreu, duhet ta zgjidhim duke e diskutuar, por ata që e ndërprenë ëndrrën për në grupet e Europa League, nuk e meritojnë që unë të vazhdoj të investoj për ta”, ishin fjalët e Gjicit.

Ai ka sqaruar se si është situata rreth zërave për një kalim të mundshëm të tij te Vllaznia, duke pranuar se është i interesuar, ndonëse nuk ka pasur asnjë kontakt me drejtuesit e Bashkisë së Shkodrës. “Unë jam si puna e lojtarëve në treg, pavarësisht se kam rolin e presidentit. Kush më kërkon, nëse do të jem i lirë nga Kukësi, unë ulem e bisedoj. Unë nuk e kam kërkuar klubin e Vllaznisë, por e vlerësoj si një ekip me emër shumë të madh dhe që i ka dhënë shumë futbollit shqiptar, e vlerësoj si djepin e futbollit, por vlerësoj edhe tifozët të cilët u shprehën të gatshëm të vinin deri në Lezhë e të më merrnin në krahë për të më çuar deri në Shkodër. Ata nuk kanë pse ta bëjnë këtë gjë, sepse unë shkoj vetë. Kështu që unë jam thjesht një ‘lojtar’ në treg. Edhe Lushnja më ka kërkuar, por nëse Bashkia e Shkodrës më kërkon të ulemi në bisedime, jam i gatshëm”, ishte ftesa e hapur që Gjici i bëri kryebashkiakes së sapozgjedhur në Shkodër, Voltana Ademi. Megjithatë, marrëveshja mes palëve duket se është shumë e vështirë për t’u realizuar, pasi Ademi dëshiron që ta mbajë klubin nën juridiksionin e plotë të bashkisë të paktën deri në janar. Kësisoj, nëse Gjici tërhiqet nga drejtimi i Kukësit, nuk do të jetë për të marrë drejtimin e skuadrës shkodrane, por për t’u larguar të paktën për momentin nga bota e futbollit.

©Copyright Gazeta SHQIP

Për t'u bërë pjesë e grupit mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t'ju aprovohet.
Komuniteti Gazeta Shqip: https://www.facebook.com/groups/gazetashqip/





LEXO MË TEJ:


Më të lexuarat

Comments are closed.