Monika Kryemadhi: Biseda ime me Tomën dhe Ilirin për komplotin

Deputetja: S’kam komunikuar me Tonin, Doshi na tha se planin e organizoi Berisha

Monika KryemadhiMë datë 10 mars 2015, para prokurorit Adnan Xholi, është paraqitur deputetja Monika Kryemadhi. Ajo deklaroi se rreth muajit shtator 2014 ka qenë në zyrat e Kryesisë së Kuvendit kur në mesditë është telefonuar nga Ilir Meta, i cili i ka kërkuar të shkonte te Sheratoni, te kafeja jashtë. “Kur jam takuar me Ilirin i cili ishte me Tom Doshin, ai më pyeti nëse njihja një Toni që kishte një lokal pranë shtëpisë sonë. Unë ju përgjigja që atë person e njihja si ‘Toni i Kombinatit’. Iliri më pyeti nëse e njihja dhe unë i thashë që di vetëm që është Toni, pasi ka qenë në fushatën e Igli Toskës në zgjedhjet e vitit 2005. Toma më pyeti nëse kamerat e shtëpisë sonë kishin fushëpamje te lokali i Tonit për të parë se kush hynte dhe kush dilte nga ai lokal. Unë i jam përgjigjur që kamerat shohin vetëm hyrjen e shkallës sonë. E pyeta se përse i duhej kjo dhe Iliri më tha se Toma kishte një person i cili i kishte thënë që ky Toni ka porositur vrasjen e Tomës dhe Mhill Fufit në emër të Agim Ramës, Eugen Beçit dhe Agron Kuliçajt. Unë e pyeta se ç’lidhje kishte me ne dhe Toma më tha që këtij personi i kishin thënë se do ta mbronte Ilir Meta. Unë i kërkova të më tregonte më shumë dhe Toma më tha se këtij personi i ishte thënë nga Toni që kishte një porosi për të vrarë Tom Doshin dhe Mhill Fufin. E kam pyetur se ç’ne, dhe Toma më tregoi se i ishin ofruar 300 mijë euro dhe vrasësi i porositur i kishte thënë janë shumë pak dhe se duheshin 500 mijë. Sipas Tomës, Toni ishte ngritur nga tavolina dhe kishte shkuar në një tavolinë tjetër ku ishin Agim Rama, Agron Kuliçi dhe Eugen Beçi. Pasi Toni ka takuar këta persona dhe ka marrë dakordësinë e tyre për shumën prej 500 mijë eurosh, ka shkuar përsëri te vrasësi dhe ka rënë dakord për shumën prej 500 mijë euro. Toma më tha se kur kanë dashur t’i bëjnë atentatin e parë, sipas të cilit do të hidhnin në erë Tomën, vrasësi i kishte thënë se Toni i kishte kërkuar që ta shpërthente bombën, por vrasësi nuk kishte dashur pasi kishte pasur shumë njerëz dhe Toni kishte insistuar duke i thënë që kishte Ilir Metën që do ta ndihmonte. Toma më tha që këtë ngjarje e bënte Sali Berisha për të destabilizuar vendin. Ky takim mund të ketë zgjatur rreth një orë. Në bisedën e bërë, Toma nuk më tregoi se kush e kishte vënë në dijeni për këtë ngjarje. E ka pyetur Tom Doshin se ç’fitonte në këtë mes Ilir Meta dhe ai më tha se paguan Agim Rama për të destabilizuar politikën, ai e lidhte këtë gjë me humbjen e PD­së në Shkodër”, ka dëshmuar deputetja Kryemadhi. Ajo ka shpjeguar se Toma i kishte thënë se kishte takuar kryeprokurorin dhe të nesërmen i është bërë atentat Tonit, ndaj dhe për këtë fakt Tomës i kishin lindur dyshime. “Më datë 2 mars kam qenë në Beograd për vizitë zyrtare dhe jam vënë në dijeni që deputeti Tom Doshi kishte bërë një deklaratë për shtyp në të cilën akuzonte Ilir Metën si porositësin e vrasjes së Tom Doshit. Pas këtij momenti është publikuar edhe një video. Jam kthyer nga Beogradi, jemi shqetësuar dhe sot e kësaj dite nuk e kuptojmë shkakun ose arsyen se persë Toma na e bën këtë gjë” ka thënë deputetja, teksa u pyet nga hetuesit.

 

A i njihni shtetasit Fatjon (Toni) Skënderaj “Toni i Kombinatit”, Rezi Skënderaj, Imer Lala, Eugen Beçi, Agim Rama, Agron Kuliçaj, Ylli Xhaxhollari dhe Durim Bami, nëse po cilët prej tyre, në çfarë rrethanash?





Unë nuk njoh asnjë prej tyre përveç shtetasve Ymer Lata, Agron Kuliçaj, Agim Rama dhe Fatjon Skënderaj. Ymer Lalën e njoh si fytyrë dhe si dibran, por me të nuk kam kontakte. Ndërsa Tonin e Kombinatit, e njoh si personazh meqenëse ka qenë i angazhuar në fushatën elektorale të Igli Toskës në vitin 2005, e njoh vetëm si fytyrë, por nuk kam ndonjë njohje me të. Personit me emrin “Toni i Kombinatit” nuk i kam pasur as numrin e celularit dhe nuk kam komunikuar ndonjëherë me të. Agim Ramën e njoh pasi është komshi me ne tek Gjiri i Lalëzit, por nuk kam ndonjë shoqëri me të. Ndërsa Agron Kuliçajn e njoh për shkak të detyrës që ka ushtruar në polici, me të cilin kam thjesht njohje. Eugen Beçin nuk e kam të njohur. Ndërsa Durim Bamin (Durin) nuk e njoh fare.

Nga deklarata e Tom Doshit të bërë në media më datë 10.03.2015, ndër të tjerash ka thënë se ‘…kam informacione se hetimet që po bëhen për akuzat e mia  ndaj Metës janë të dekonspiruara. Një shoqe e Monikës raporton çdo ditë për ato që ndodhin aty…’ keni për të thënë rreth kësaj deklarate?

Unë nuk kam as shoqe dhe as shokë që punojnë në Prokurori. Nuk kam asnjë lloj informacioni apo të dhënë se çfarë po bëhet me çështjen. Në lidhje me një deklaratë të tillë të deputetit Tom Doshi, apo dhe për çdo pretendim tjetër të tij, jam e gatshme që të përballem me Tomën.

Ju ose familjarët tuaj keni pasur ndonjë konflikt, debat, pakënaqësi, apo interes me deputetin Tom Doshi?

Jo, as unë dhe as burri nuk kemi pasur probleme ose interesa me shtetasin Tom Doshi.

A njiheni me shtetasit Mark Frroku dhe Mhill Fufi, nëse po prej sa vitesh dhe në çfarë rrethanash?

Këta persona i njoh pasi i kam kolegë në Parlament, por kam thjesht përshëndetje.





Comments are closed.