Abuzuan me detyrën në provimet e maturës, MAS heq nga puna 11 mësues

Ministria penalizon edhe nxënësit: Nuk u njihen rezultatet

Ministrja e Arsimit Lindita Nikolla_1Ministrja Nikolla deklaroi se në katër qendra provimi ka pasur abuzime nga ana e disa mësuesve

Të shkarkuarit – Gjashtë mësues në qendrën e provimit “18 Tetori” dhe tre në qendrën “Jani Nushi” në Lushnjë, një në qendrën “Riza Spahiu” në Kukës dhe një mësues në qendrën “Avni Rustemi” në Vlorë nuk kanë zbatuar rregulloren e MSH-së 2015

Edmond Hoxhaj


Ministria e Arsimit dhe Sportit (MAS) u ka kërkuar dy drejtorive dhe një zyre arsimore që të largojnë nga puna 11 mësues, të cilët ka rezultuar të kenë abuzuar me detyrën e tyre gjatë provimeve të Maturës Shtetërore të këtij fundviti shkollor, kur ata kanë qenë në pozicionin e administratorëve. Ndërkohë, MAS-i u ka kërkuar të gjithë mësuesve, nxënësve dhe prindërve që të angazhohen, me qëllim që edhe provimi i fundit i Maturës Shtetërore që do të zhvillohet sot të kryhet në zbatim të rregullores së MAS-it për provimet e Maturës Shtetërore (MSH) 2015. Ka qenë monitorimi i administrimit të provimeve të MSH-së 2015, që ka nxjerrë në dritë abuzimet e kryera, duke bërë që disa nxënës në katër qendra provimi në të gjithë vendin të përfitojnë rezultate të pamerituara.

Abuzimi

Në qarkoren që MAS-i u ka përcjellë drejtorive rajonale e zyrave arsimore, komisioneve të Maturës Shtetërore në DAR/ZA dhe komisioneve shkollore, bëhet i qartë fakti se në katër qendra provimi ka pasur abuzime nga ana e disa mësuesve. Pasi ministrja e MAS-it, Lindita Nikolla, ka falënderuar për përkushtimin e tyre të gjithë drejtuesit e drejtorive e zyrave arsimore dhe mësuesit që kanë marrë pjesë në administrimin e provimeve të Maturës Shtetërore, u ka bërë me dije se në katër qendra provimi nuk është zbatuar rregullorja përkatëse. “Krahas arritjeve të dëshmuara në organizimin e provimeve të Maturës Shtetërore 2015, do të ndaja me ju shqetësimin që: Nga raportet e monitorimit të provimeve të MSH 2015 për lëndën Gjuhë Shqipe e Letërsi, rezulton se një administrator i provimeve në qendrën e provimit ‘Riza Spahiu’, DAR Kukës dhe një administrator në qendrën e provimeve ‘Avni Rustemi’ DAR Vlorë, nuk kanë zbatuar detyrat përkatëse të përcaktuara në rregulloren e MSH 2015. Ndërsa në provimin e lëndës Matematikë, rezulton se gjashtë administratorë në qendrën e provimit ‘18 Tetori’ dhe tre administratorë në qendrën e provimit ‘Jani Nushi’ ZA Lushnjë, nuk kanë zbatuar detyrat përkatëse të përcaktuara në rregulloren e MSH 2015”, thuhet në qarkoren e MAS-së. Por, në qarkore nuk sqarohet se cili ka qenë abuzimi që kanë kryer mësuesit. Nga burime të gazetës mësohet se ata kanë lejuar kopjimin, duke neglizhuar detyrën e tyre dhe duke privilegjuar në këtë mënyrë disa nxënës.

Masat

Ndërkohë, Ministria e Arsimit dhe e Sportit ka vendosur të marrë masa drastike ndaj mësuesve abuzues, duke i larguar ata nga puna, ndërsa nxënësve që kanë përfituar në mënyrë të padrejtë nuk do t’u njihen rezultatet e provimeve. “Për këto shkelje, Ministria e Arsimit dhe Sportit ka vendosur t’i kërkojë Komitetit të Maturës Shtetërore dhe DAR Kukës, DAR Vlorë e Zyrës Arsimore Lushnjë që për këta administratorë të provimit, në zbatim të rregullores së MSH 2015, të merret masa administrative ‘largim nga puna’. Ndërsa nxënësve maturantë të identifikuar në raportet e monitorimit dhe procesverbalet përkatëse, për moszbatim të rregullores së nxënësit për MSH 2015, nuk do t’u njihet rezultati i vlerësimit të provimit në këto lëndë”, saktësohet në qarkoren e MAS-së. Sot, në të gjithë vendin, do të zhvillohet provimi i lëndëve me zgjedhje, që do të jetë edhe provimi i fundit për nxënësit maturantë.

©Copyright Gazeta SHQIP

Për t'u bërë pjesë e grupit mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t'ju aprovohet.
Komuniteti Gazeta Shqip: https://www.facebook.com/groups/gazetashqip/




LEXO MË TEJ:


Më të lexuarat

Comments are closed.