Zvarritja e proceseve në gjykata, problem shqetësues

Gjykata dhe vendimet gjyqsoreRaporti analitik. Vonesa të pajustifikueshme me vendimet. Janë mbi 50 padi në Strasburg ndaj shtetit shqiptar

Gjykata e Lartë – Në Gjykatën e Lartë, në vitin e kaluar janë regjistruar 1949 çështje penale, të mbartura janë 2006 të tilla. Ndërsa çështje civile dhe administrative në këtë gjykatë janë regjistruar 4749, ndërsa të mbartura janë gjithsej 9102 çështje.

Apelet – Në 6 gjykatat e Apelit të juridiksionit të zakonshëm deri në vitin 2013 janë regjistruar 12727 çështje. Ndërsa në vitin 2014 në Apelin Durrës janë regjistruar 1708 çështje; në Gjirokastër 1066; në Tiranë 9116 dhe në 2971 çështje.

Krimet e Rënda – Numri i çështjeve të regjistruara për periudhën e deri dy viteve më parë, në raport theksohet se në këtë gjykatë janë regjistruar gjithsej 95 çështje për shqyrtim.

Administrative – Që nga krijimi i saj dy vite më parë, në Gjykatën Administrative të Apelit janë regjistruar gjithsej 18 921 çështje, nga të cilët janë shqyrtuar 4621 çështje.

HERION MESI

TABELA E LËNDËSAnaliza e sistemit të drejtësisë në Shqipëri, që ekspertët e nivelit të lartë pranë Kuvendit prezantuan të hënën, shenjon defektet aktuale të sistemit kompleks të drejtësisë dhe thekson nevojën për reformë në Gjykatën Kushtetuese, Gjykatën e Lartë, Këshillin e Lartë të Drejtësisë dhe institucionin e Prokurorisë. Mungesa, në përgjithësi, e një kuadri ligjor të plotë për administrimin e drejtësisë në Shqipëri, së bashku me mangësitë në organizim dhe mungesat në stafin e gjykatave, ka ndikuar negativisht në eficiencën dhe transparencën e gjykatave. Raporti evidenton si problematike vonesat në dhënien e vendimeve të arsyetuara kombinuar me afatet e shkurtra për ankim, të cilat mund të cenojnë kështu të drejtën kushtetuese të palëve për ankim. Koha e pamjaftueshme për rishikimin e vendimeve të arsyetuara me shkrim para afatit për ankim komprometon më tej të drejtën për një gjykim të drejtë në gjykatën e apelit. Po kështu, edhe shpallja e vendimeve të paarsyetuara, si dhe vonesa e zbardhjes së vendimeve nga gjykatat, është bërë shkak për cenimin e së drejtës për një gjykim të drejtë dhe sidomos të drejtës për ankimim. Një nga faktorët që ka ndikuar në këtë drejtim është koha e shkurtër mes momentit kur vendimi bëhet i disponueshëm në formë të arsyetuar dhe afatit të ankimit. Por përtej këtyre konstatimeve, ekspertët e sistemit të drejtësisë theksojnë se zvarritja e proceseve përbën një problem serioz në Shqipëri. “Deri në shtator të vitit 2014, 70% e ankesave ndaj gjyqtarëve drejtuar KLD-së kishin të bënin me zvarritjen e proceseve gjyqësore. Po kështu, edhe numri i ankesave shqyrtuar nga Avokati i Popullit për të njëjtin shqetësim rezulton të jetë mjaft i lartë”- thuhet në raport. Për më tepër, pranë Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg, ekspertët theksojnë se janë depozituar afro 50 çështje kundër Shqipërisë, që lidhen me tejzgjatjen e proceseve civile dhe penale. “Mosrespektimi i duhur i rregullave për njoftimin e palëve nga administrata gjyqësore është identifikuar si një prej shkaqeve kryesore të dëmtimit të eficiencës dhe vonesave të tejzgjatura në gjykim. Kjo lidhet me adresat jo të sakta dhe mungesën e aksesit në database e adresave në nivel qendror dhe vendor. Mungesa e një sistemi të efektshëm për ndjekjen e historikut të çështjeve gjyqësore ka pas sjellë procese gjyqësore civile paralele bazuar në të njëjtin subjekt, çka e ndërlikon më tej problematikën e tejzgjatjes së proceseve”- theksohet në raportin analitik që u prezantua tre ditë më parë në prani edhe të partnerëve ndërkombëtarë. Gjithashtu, në raport bëhet me dije se është vërejtur mungesë e mjeteve të brendshme në sistemin ligjor të vendit tonë për çështjet që lidhen me tejzgjatjen të proceseve. Në një numër mjaft të konsiderueshëm të gjykatave, numri i sallave gjyqësore, është shumë i vogël dhe seanca zhvillohen në zyrat e gjyqtarëve. Aktualisht, sistemi ICMIS edhe pse zbatohet në pjesën më të madhe të gjykatave, ai nuk është vënë ende në përdorim në disa të tjera si ato administrative, por edhe në dy gjykata të rëndësishme, atë të Tiranës dhe atë të Krimeve të Rënda. Pavarësisht zhvillimeve që ka pasur në drejtim të uljes së tarifave gjyqësore dhe përmirësimeve që iu bënë ligjit për ndihmën juridike, vlerësohet se tarifat gjyqësore frenojnë shumë qytetarë dhe procedurat e aplikimit janë shumë të ngadalta. Nga ekzekutimi i vendimeve gjyqësore civile, administrative, tregtare dhe penale, në raport vërehet se është shqetësuese për Shqipërinë norma e ekzekutimit të vendimeve gjyqësore, ashtu siç është edhe buxheti i akorduar. “Ekzekutimi i vendimeve të gjykatave është i dobët, veçanërisht në rastet ku institucionet shtetërore janë palë e paditur”- argumentojnë ekspertët. Problematike paraqitet situata dhe në procesin e ekzekutimit të titujve ekzekutivë, sipas të cilëve është vendosur për lirim e dorëzim sendi, duke sjellë në këtë mënyrë zvarritjen e procesit të ekzekutimit, si dhe mosdhënien e mundësisë për gëzimin nga ana e gjyq-fituesit të së drejtës së pronësisë mbi pasurinë objekt ekzekutimi. Problematikë evidentohet dhe në ekzekutimin e vendimeve të GJEDNJ-së nga ana e Shqipërisë, veçanërisht të atyre që lidhen me moszbatimin e vendimeve të gjykatave të brendshme apo të vendimeve administrative, duke përfshirë edhe vendimin pilot për çështjen Manushaqe Puto. Gjithashtu, në raport janë evidentuar vonesa të paarsyeshme në ekzekutimin e vendimeve gjyqësore të formës së prerë, të cilat krijojnë premisa për një sistem gjyqësor të korruptuar, çka është adresuar vazhdimisht nga Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut në vendimet e dhëna kundër Shqipërisë, të cilat janë në rritje ashtu si dhe numri i aplikimeve. “Në vendimet e dhëna nga GJEDNJ-ja, vërehet se mosekzekutimi i vendimeve gjyqësore kryesisht në çështjet e pronësisë është i lidhur me procedurat e ekzekutimit, mangësitë në rendin juridik, mungesat e mjeteve të brendshme efektive për riparimin e tejzgjatjes së proceseve, si dhe zbatimin e së drejtës së shtetasve për kompensim”- thuhet në raportin analitik të sistemit të drejtësisë shqiptare.

Hetimet – Moszbardhja brenda afatit ligjor të vendimeve gjyqësore në çështje penale ka sjellë vonesa në nxjerrjen e urdhrave të ekzekutimit nga prokuroria.

Përmbarimi – Nuk është ngritur një sistem efikas për monitorimin e përmbarimit privat dhe të atij shtetëror. Kapacitetet për mbledhjen e të dhënave nuk janë të konsoliduara.

Burokracitë – Problematike për ekzekutimin e vendimeve penale përbëjnë dhe burokracitë administrative midis gjykatave dhe prokurorive, duke përfshirë dhe dërgimin e vendimeve gjyqësore mbi të cilat del urdhri i ekzekutimit për një vendim penal.

Refuzimi – Për vendimet me ekzekutim të menjëhershëm, është evidentuar mosrespektimi i afatit ligjor “brenda ditës”.

Situata – Aktualisht, nuk ka një institucion për të ekzekutuar vendime gjyqësore me masa mjekësore, si dhe masat edukuese ndaj të miturve.









Comments are closed.