Lidhje te rendesishme Rrjetet tona shoqërore Shqip merr pjesë në programe të ndryshme marketingu ku mund të përfitojë komisione për produktet e zgjedhura në artikujt e publikuar.

Kryesoret

Basha në ‘Top Story’: Meta presion për Vorën

basha topPartia Demokratike është në kulm të fushatës së saj të parë në opozitë. Përballë një mazhorance të madhe në numra dhe mjete, opozita e djathtë ka edhe një sfidë brenda sfidës: betejën e parë elektorale të Lulzim Bashës.

Fushata misionare e Bashës është përcjellja e mesazhit për atë që ai e quan keqqeverisje. Por përse duket se tonet e saj rriten, vetëm kur në skenë ridel Sali Berisha? Cilat janë pritshmëritë e opozitës nga këto zgjedhje? Cili është mesazhi i saj më i fortë? A është sërish Tirana një bast për Bashën dhe cili do jetë aksioni politik pas zgjedhjeve? Dilemat e moskandidimit dhe pengjet e katër viteve të kaluara në zyrën e kryebashkiakut.

Për këto dhe të tjera pyetje, këtë të enjte përballë Sokol Ballës në Top Story është vetë kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha.

Intervista

Sokol Balla: Ne si gazetarë, shikojmë që ritmet e fushatës nuk janë ato agresive, të ashpra. Duket se është me zbehtë se herët e tjera dhe kjo ndoshta edhe për shkak se stili juaj i fushatës është pak më ndryshe nga ai i kryetarit të mëparshëm, apo është thjeshtë fakti që Berisha mungon në këtë fushatë?

Lulzim Basha, kryetar i PD: Nuk ka dyshim që stili im është stili im dhe i askujt tjetër, por nuk do të thoja që fushata ka ritëm më të ulët apo të zbehtë. Fushata ka nisur shumë më përpara se 4 javët që ju përmendet dhe që në ditët  e para ne kemi vënë re një padurim të njerëzve për ditën e votimit. E kam prekur këtë padurim në turin e parë të prezantimit të kandidatëve, në takime të rastësishme të cilat ishin konceptuar si të tilla, por shndërroheshin në mitingje nga pjesëmarrja dhe entuziazmi i njerëzve, nga dëshira e tyre për të pasur sa më shpejt mundësinë për t’u shprehur me votë. Është një padurim popullor për 21 Qershorin, që ka nisur 6-7 javë më parë dhe vazhdon edhe këto ditë. Ka një fushatë entuziaste, me padurim të njerëzve për të ushtruar të drejtën e tyre për të vlerësuar me votë oferta, qeverisjen dhe për të zgjidhur problemet e ngutshme të shqiptarëve.

Sokol Balla: Si e shpjegoni që edhe nga përfaqësues të BE-së është shprehur shqetësimi se ka një shkallë të madhe mospërgjigjie dhe mosreagimi të njerëzve në sondazhe? Këtu ka një kontradiktë.

Lulzim Basha: Do ta ndaja këtë në dy pjesë, e para është realiteti që flet vetë dhe që unë e shoh në çdo takim që kam. Ka një padurim, një interes të madh të njerëzve. E kam thënë dhe kam bindjen që ka një përpjekje nga ana e qeverisë për ta mpirë këtë padurim, për ta lodhur dhe pse jo për ta shantazhuar dhe diversuar këtë padurim sepse domosdoshmërisht padurimi i njerëzve për të votuar nuk është një shenjë e mirë për qeverisjen. Sondazhet janë diçka tjetër. E kam dëgjuar vlerësimin që ju thoni thoni. Për herë të parë në Shqipëri, shkalla e refuzimit të përgjigjieve ka shkuar në 47 përqind. Për mendimin tim kjo ka të bëjë me një faktor, që është një riprezantim i diçkaje që ne kishim lënë prapa, i përpjekjes për të intimiduar votuesin si pasojë e përpjekjes dhe retorikës së qeverisë. Ju e shikoni që kryeministri për 6 javë, 4 herë në ditë e ka pjesë të fjalorit të tij politik, kërcënimin që nëse do të votoni kandidatët e opozitës nuk do të keni ujë, tokën, pothuajse edhe ajrin e diellin. Nga ana tjetër kemi denoncime me fakte të presionit ndaj administratës të cilët kanë njerëz të punësuar në shtet, presione ndaj biznesit, presione të tipit kriminal. Kemi parë përfshirje të elementit kriminal në Durrës fillimisht, në Vorë së fundmi, me njerëz që shëtisin natën me makina me xhama të zinj. Ka një angazhim masiv, të drejtpërdrejtë të qeverisë. Meta dhe Rama kanë 60 ditë që nuk janë në detyrë. E kanë braktisur detyrën. Janë ditë për ditë në fushatë.

Sokol Balla: Edhe ju e keni këtë problem për momentin, edhe nja dy javë…

Lulzim Basha: Unë e kam zgjidhur këtë problem sepse unë nuk kandidoj, pikërisht për zgjidhur këtë dilemë që është etike, sepse qytetarët e Tiranës kanë nevojë për një kryetar bashkie me kohë të plotë që t’u zgjidhë hallet dhe opozita ka nevojë për një drejtues me kohë të plotë. Zotërinjtë janë votuar para 2 vitesh për pushtetin qendror dhe në këto 2 muaj gjithë kohën e tyre ja kanë kushtuar diçkaje që nuk ka lidhje, në dukje. Ata i shqetëson shumë padurimi i njerëzve për t’u shprehur me votë, sepse gjendja në vend është në përkeqësim e sipër. Ekonomia, varfëria, mjerimi dhe të gjitha këto jo se i thotë kryetari i opozitës, por sepse i thotë INSTAT, Banka Botërore dhe BE. Kemi të bëjmë me një situatë të pashembullt dhe ndonëse jemi në një situatë zgjedhjesh lokale, njerëzit meritojnë dhe duan të dalin nga kjo gjendje, ofertë që PD e ka dhe po e shpalos çdo ditë.

Sokol Balla: Ju folët për Vorën, por në fakt edhe ju keni qenë së paku 6 herë në Vorë, nuk është se ka qenë vetëm zoti Meta, jeni edhe ju aty. Përse kjo betejë për Vorën?

Lulzim Basha: Unë nuk kisha imagjinuar kurrë të isha as më shumë se 3 herë në Vorë, por 3 herë jam detyruar të shkoj sepse aktivistët e kandidatit tonë shoqëroheshin çdo natë në polici pa asnjë arsye, pa asnjë argument. Kam qenë në Vorë sepse kandidatit tonë iu bë një padrejtësi e madhe tipik oligarkik, o biznesin, o mandatin!

Sokol Balla: Zoti Meta e ka sqaruar këtë…

Lulzim Basha: Jo nuk ka sqaruar asgjë. E gjitha është gënjeshtër!

Sokol Balla: Ka thënë që gjithçka ka nisur pas një sinjalizimi të shërbimeve sekrete.

Lulzim Basha: Nuk është e vërtetë aspak! Në dijeninë time kemi të bëjmë me një falsifikim të analizave laboratorike që tregon që pas kësaj ka pasur një presion të jashtëzakonshëm nga zoti Meta. Ai tregon që ka me merak Vorën, por po ta kishte me merak le të kandidonte vetë në Vorë, përndryshe le të lërë zgjedhësit. Së fundi është problemi tjetër, është organizimi i bandave që patrullojnë Vorën natën për të intimiduar dhe frikësuar qytetarët. Nuk e kanë në dorë e nuk do ta kenë kurrë në dorë këta njerëz. Unë jam i bindur që për çdo përpjekje për të kërcënuar zgjedhësit do të marrë përgjigjen e merituar më 21 qershor...

11 qershor 2015  (gazeta-Shqip.com)/TCH

Denonco

Keni informacion në interes të publikut? Dërgojeni në Shqip duke klikuar këtu.

 

Biznes

Ndiqni të gjitha lajmet e fundit
në rrjetet tona shoqërore