Lidhje te rendesishme Rrjetet tona shoqërore Shqip merr pjesë në programe të ndryshme marketingu ku mund të përfitojë komisione për produktet e zgjedhura në artikujt e publikuar.

Koment

PËRSE BRITANIA NUK DO TË DALË NGA BE-ja

ARBEN MANAJ

Arben ManajNë varësi të vendndodhjes dhe largësisë gjeografike nga ishulli, ndërvarësisë, sidomos ekonomike me Britaninë, por edhe impaktit që ka një dalje e mundshme e vendit nga BE-ja, apo edhe çmimi eventual i qëndrimit të mëtejshëm të Londrës në të, shpjegohet deri diku, interesi ndaj ecurisë së negociatave të Kryeministrit Cameron me homologët e tij me influencë në Europë.

Fitorja bindëse e të djathtëve në zgjedhjet e fundit britanike i ka dhënë Kryeministrit konservator një kartë shumë më të madhe negociuese për reformat që ai kërkon të realizohen brenda Unionit, me qëllim që të shmanget, jo vetëm mbajtja e referendumit, por mbi të gjitha, që qeveria t’u kërkojë PO-në  votuesve krahas Laburistëve që janë pro qëndrimit të mëtejshëm të vendit në familjen europiane.

Siç kuptohet edhe nga blici i fundit diplomatik i Cameron, sidomos në Berlin, lokomotivën e prosperitetit ekonomik europian, duket se ka një ndërgjegjësim që përkthehet në gatishmëri për të bërë marrëveshje me Londrën për të shmangur të paimagjinueshmen; daljen e një vendi kaq të fuqishëm nga BE-ja, në rast se çështja shkon në referendum pa reformat e kërkuara.

Dhe në referendum, në të atilla rrethana, një Zot e di si vete votimi, që në rastin e një JO-je, mund të krahasohet me hapjen e "Kutisë së Pandorës" për Europën siç e njohim sot.

Do të ishte e papërfytyrueshme që Bashkimi Europian të rrezikonte në një bast të tillë me Britaninë që do e bënte “Grexitin” ose daljen e Greqisë nga BE-ja një teshtimë, krahasuar me patologjinë terminale të një “Brexiti”, siç njihet përndryshe ndalja e Britanisë nga BE-ja.

Andaj them se Cameron ka të gjitha shanset që të marrë atë që kërkon, çka është shumë më e kapërdishme dhe më e leverdishme për çdo shtet veçmas, e të gjitha vendet anëtare së bashku, që të mos përjetojnë një tërmet nepalez.

Por çfarë kërkojnë britanikët nga Europa?

Më konkretisht; më shumë kompetenca për të bllokuar ligje të padëshirueshme të BE-së, alternativën për të mos aplikuar parimin e një unioni gjithnjë e më të ngushtë, aftësinë për të bërë më shumë marrëveshje tregtare me vendet e Azisë dhe Shtetet e Bashkuara, lirinë dhe imunitetin nga ndërhyrjet e panevojshme të Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg, opsionin për të vendosur kontrolle më të ashpra emigracioni, e ajo që u intereson shqiptarëve dhe ballkanasve, më shumë kontrolle nga Londra për të ndaluar valë të mëdha emigrimi nga vendet e reja që mund të futen në Bashkimin Europian në të ardhmen.

Duke u nisur nga kjo e fundit, gjasat janë se Cameron do marrë koncesione nga Brukseli, jo vetëm për kuotat e emigrantëve që do mund të vijnë në ishull pas hyrjes zyrtare në BE të këtyre vendeve, por edhe forcimin e kritereve për anëtarësime të reja, që gjithsesi kanë pak gjasa që të mundësohen brenda katër viteve të ardhshme të jetëgjatësisë politike të qeverisë aktuale të drejtuar nga David Cameron.

Dhe nëse ndodh një gjë e tillë s'do mend që kjo nuk përbën lajm shumë të mirë për Shqipërinë dhe vendet e tjera aspirante për në BE.

Thuajse të gjitha çka kërkon Cameron janë të bëshme dhe Brukseli nuk ka shanse të mos plotësojë shumicën dërmuese të kërkesave edhe pse do ketë kundërshtime për çështjen e përfitimeve të ndihmave sociale, siç mund të jetë rezistenca nga Polonia, për shkak të numrit të jashtëzakonshëm të polakëve të emigruar në qytetet britanike.

Ndërkohë, britanikët për herë të fundit kanë votuar në një referendum 40 vjet më parë, pikërisht në 1975 për Tregun e Përbashkët çka nënkupton se asnjë britanik që sot është poshtë moshës 58-vjeçare nuk ka shprehur opinionin e tij për një temë kaq të rëndësishme, si anëtarësimi i vendit të tyre në BE.

Të kujtojmë se në 1975-n Britania dhe Europa ishin shumë më ndryshe nga sot, si ekonomikisht ashtu edhe politikisht.

Britania ishte më e varfër dhe me një rekord shumë më të ulët treguesish ekonomikë që nga inflacioni e deri te papunësia. E ndërsa sot Britania ka një papunësi në shifrën 5.5 për qind krahasuar me 11.4 për qind në vendet e Eurozonës, ndërkohë që në Spanjë p.sh. 58 për qind e të rinjve janë të papunë dhe marrin ndihma sociale, numri i të rinjve të papunë në Britani po bie çdo muaj.

Qendra financiare e Londrës, City of London, sot është shndërruar në lokomotivën e industrisë së shërbimeve financiare në shkallë globale, e cila ka shkaktuar xhelozi në Frankfurt e Paris, ndaj duan ta dëmtojnë e dobësojnë sa të mundin këtë qendër financiare, e cila faktikisht nuk konkurron me këto të fundit sesa me Nju Jorkun, Tokion e Singaporin, si hub financiar.

Por jo vetëm Britania është ndryshe, por edhe Europa nuk është si në vitet '70, kur ishin pjesë e Luftës së Ftohtë dhe qendër e madhe vendimmarrje politike e motor i zhvillimit ekonomik të botës, ndërkaq që era e globalizmit ka sjellë fuqi të reja në lojë, si Kinën e Indinë apo vende të tjera si Australia, Zelanda  Re dhe Kanadaja.

Pa folur pastaj për krizën në eurozonë dhe kriza e borxhit grek që ka dëmtuar jo vetëm financat europiane, por edhe imazhin e Unionit si një pol ndikues në çështjet e mëdha të botës politiko-ekonomike.

Janë të gjitha këto elemente që shtojnë shanset që Londra zyrtare të marrë çfarë kërkon dhe për pasojë, qeveria britanike të dalë me opsionin e PO-së përpara britanikëve, duke shuar shanset që Britania të dalë nga BE-ja dhe vetë BE-ja të mos përjetojë Armagedonin e saj.

Bashkimi Europian është krijuar faktikisht prej dy mrekullish; paktit franko-gjerman dhe anëtarësimit të Britanisë në Union dhe prishja e njërës prej tyre do të thotë pashmangshmërisht fundin e asaj që njihet sot si BE ose shfytyrimin total të saj deri në mosnjohje ose mosekzistencë.

Kur Brukseli trembet aq shumë nga një “Grexit” dhe po injekton miliarda në një vend që është praktikisht "fundi i kavallit" në ekonominë e politikën europiane, ua lë ju të imagjinoni se ç'mund të ndodhë, nëse një nga kontribuuesit më të mëdhenj të arkës financiare të Unionit i thotë atij bye-bye!

Këtë çmim, Europa e Gjermania e Merkelit nuk mund ta paguajnë, ndaj shanset janë për kompromis, ku të gjitha palët veçse fitojnë, pasi konservatorët britanikë në thellësi të shpirtit dhe zemrës, por edhe xhepit, nuk do duan të ikin nga BE-ja, në fund të fundit.

E ndërsa kërkohet që gjërat të mos bëhen të nxituara, gjasat janë se reformat e kërkuara mund të dakordohen përpara 2017-s, kur ishte planifikuar zyrtarisht referendumi britanik, kjo për faktin se Franca dhe Gjermania në atë vit janë në vit zgjedhor për presidentin dhe kancelarin e radhës.

Denonco

Keni informacion në interes të publikut? Dërgojeni në Shqip duke klikuar këtu.

 

Biznes

Ndiqni të gjitha lajmet e fundit
në rrjetet tona shoqërore