Lidhje te rendesishme Rrjetet tona shoqërore Shqip merr pjesë në programe të ndryshme marketingu ku mund të përfitojë komisione për produktet e zgjedhura në artikujt e publikuar.

Kryesoret

Në Tiranë fitojmë shumë thellë me 80 mijë vota diferencë

Ilir Meta 

“E majta e bashkuar është shumicë e fuqishme në Shqipërisë”

Ilir Meta ne top storyKreu i Kuvendit, Ilir Meta, i ftuar në emisionin ‘Top Story’, në 'Top Channel' e ka cilësuar si shumë të suksesshme vizitën e Kryeministrit serb Aleksandër Vuçiç në Shqipëri, një vizitë që, sipas tij, ka dhënë mesazhe pozitive për rajonin, BE dhe partnerët ndërkombëtarë. Ndërsa lidhur me publikimin e fotos së shtrëngimit të duarve mes tij dhe Vuçiç, ku në sfond shfaqej portreti i Isa Boletinit, kryeparlamentari tha se ai portret ka qenë gjithmonë aty që prej marrjes së tij të detyrës si Kryetar i Kuvendit. "Mendoj se ishte një vizitë shumë e suksesshme sepse, për herë të parë një Kryeministër i Serbisë vjen në vendin tonë, dhe së dyti ka dhënë mesazhe pozitive për të gjithë rajonin, por edhe për Bashkimin Europian e partnerët tanë ndërkombëtarë. Edhe reagimi i Johannes Hahn, që vlerësonte këtë vizitë tregon qartë se Shqipëria dhe Serbia ndiejnë përgjegjësi për të ardhmen e tyre dhe të të gjithë rajonit dhe kanë vendosur të bashkëpunojnë ngushtë. Temat që njihen si delikate do të mbeten, por interesat janë shumë më të mëdha, që i takojnë së ardhmes së dy vendeve dhe popujve tanë", - tha Meta.

Fushata

Sa i përket fushatës intensive të së majtës e veçanërisht angazhimit të LSI-së për Bashkinë e Shkodrës, i pyetur nëse kjo kishte lidhje me konfliktin e tij me deputetin shkodran, Tom Doshi, Meta u shpreh se nuk ka asnjë lidhje me Doshin dhe se interesi i tij për këtë qytet ka qenë i hershëm. Meta risolli në vëmendje përkushtimin e veçantë personal të tij ndaj Shkodrës në kohën kur ishte kryeministër, duke përmendur rrugën Lezhë-Shkodër, një investim mjaft i madh për kohën prej 4 miliardë lekësh të reja, që sipas tij nuk do të kishte përfunduar ende as sot. Ai shprehu vlerësimet maksimale ndaj kandidates së ASHE në Shkodër, Keti Bazhari që sipas kryeparlamentarit, është shembulli më i mirë i njeriut që arrin sukses në jetë përmes punës dhe vendosmërisë. "Ministra dhe disa zëvendësministra nga Shkodra, të promovuar nga unë në atë kohë, dhe Shkodra vazhdon të mbetet pasioni im. Kështu që kjo është një histori e gjatë dhe që do të vazhdojë me Shkodrën. Më pëlqen shumë Shkodra! Nuk ka vend më të bukur! Duhet të dalësh në Kalanë e Rozafës. Pra, gjithçka që shikon është një mrekulli"- tha Meta. Duke vijuar më tej, kryeparlamentari do të shpjegonte dhe konfliktin më të fundit me Partinë Demokratike, e cila ditët e fundit e ka akuzuar atë si autorin e sulmit qeveritar ndaj biznesit privat të kandidatit të djathtë për Bashkinë e Vorës, Fiqiri Ismaili. Lidhur me këtë çështje, kreu i LSI-së ritheksoi se me këtë çështje ai është vënë në dijeni nga një deklaratë publike nga selia e PD-së, e cila ngriti një pretendim të tillë. "Më duhet t’ju them se për herë të parë jam njohur me këtë shqetësim që ngriti Patozi prapë nga një deklaratë që bëri zoti Patozi para disa ditësh, mbasi kishin dalë rezultatet e inspektimit. Kam parë me titra Patozin: “Meta, mafia urdhëroi bllokimin e miellit”. Kam pyetur ministrin e Bujqësisë për të marrë vesh se çfarë kishte ndodhur. Ai më ka thënë që kanë bërë kontrolle në disa magazina, fabrika të miellit. Në magazinat që kishte kompania e kandidatit të Partisë Demokratike në Vorë, zotit Fiqiri Ismaili, kishte miell me aflatoksinë, që është substancë kancerogjene, mielli që shkonte për furrat e bukës për qytetarët shqiptarë. Ka qenë shumë i sigurt që gjithçka ka qenë korrekte. Më pas ka pasur një reagim nga kompania, nga Partia Demokratike. Pastaj ministria e ka bërë të qartë se këto do t’i çojë dhe në një qendër të BE-së, jo laborator privat"- tha Meta. I pyetur rreth koalicionit të ri parazgjedhor dhe largimit të PBDNJ-së nga e majta, Meta i bëri apel kreut të PBDNJ-së, Vangjel Dule, që të rishikojë deklaratën e tij dhe të kthehet sërish tek e majta. “Unë mendoj që është brenda koalicionit dhe shpresoj që zoti Dule të rishikojë deklaratën e tij për dorëheqje, pasi zgjedhja e Idrizit nuk është përjashtuese për Dulen"- tha ai. Ndërsa lidhur me zgjerimin e këtij koalicioni, Meta u shpreh se gjithmonë ka përkrahur idenë e koalicioneve të mëdha. "Pasi na duheshin për reformat, që vështirë të realizoheshin pa kontributin e PDIU-së, zgjerimi e fuqizon mazhorancën në rrugën e saj të reformave"- tha ai.

Fitorja në Tiranë

Nisur nga kjo, kreu i LSI-së u shpreh i bindur për një fitore të thellë në zgjedhjet vendore të 21 qershorit. Dhe në këtë linjë, Meta do të jepte dhe një shifër të rezultatit në Tiranë, ku sipas tij, fitorja e kandidatit të majtë, Erion Veliaj, do të jetë me mbi 80 mijë vota më shumë se kandidati i djathtë, Halim Kosova. “ Nuk kam ndër mend të vë bast për 21 qershorin, për arsye sepse i shikoj si zgjedhje fare normale dhe angazhimi ynë edhe i imi është fare modest. Ne u japim prioritet kandidatëve tanë në këto zgjedhje, sepse ata do të votohen në radhë të parë, natyrisht, kur flas kandidatët, jo kandidatët për kryetar bashkish, por edhe kandidatët për këshilltarë, sepse marrin një rol shumë të rëndësishëm, do të jenë praktikisht parlamentarë në nivelet vendore dhe ne i shohim si zgjedhje vendore, edhe unë personalisht kështu i shoh si zgjedhje administrative, pavarësisht se opozita përpiqet t’i politizojë në mënyrë ekstreme dhe të panevojshme. Rezultati i zgjedhjeve në Tiranë do të jetë shumë i thellë në favor të koalicionit të majtë. Mbi 80 mijë vota do jetë. Nuk e vras shumë mendjen sa do të jenë votat e LSI-së. Për ne ka rëndësi që kryetari i ri të administrojë problemet e mëdha të kryeqytetit që janë shtuar këto kohët e fundit”- deklaroi Meta. Ndërsa për mbështetjen e dikurshme të Lulzim Bashës në kohën kur ai garonte për Bashkinë e Tiranës, kreu i LSI-së ironizoi duke thënë se "në atë kohë ka qenë një lulzim tjetër"- tha ai. Kreu i LSI-së u shpreh se për të majtën ka rëndësi që kryetari i ri të arrijë të administrojë problemet e mëdha që ka kryeqyteti. "Veliaj ka qenë një zgjedhje e Partisë Socialiste, dhe ne kemi gjykuar se i përket partisë më të madhe që ta shpallë këtë, pasi ajo mund ta marrë këtë përgjegjësi. E kam mbështetur Erion Veliaj, pasi ai ka qenë dhe një ministër shumë i suksesshëm gjatë këtyre viteve"- u shpreh Meta. Duke vijuar më tej, Meta mohoi zërat për probleme në bazë mes përfaqësuesve të LSI-së dhe atyre të PS-së në Pogradec, pas zyrtarizimit të kandidates së propozuar nga LSI-ja, Diana Mile. "Problemet me bazën e PS-së në Pogradec për kandidaten: nuk ka asnjë problem me bazën e PS-së, ajo është një kandidate mjaft e përgatitur, pedagoge dhe jam i bindur që do të jetë dhe zgjidhja e duhur"- tha ai. Kreu i LSI-së ka komentuar edhe kandidatin e PD-së për Bashkinë e Tiranës. "Doktor Halimin e kemi mik, e duam shumë dhe absolutisht që vota jonë është në drejtimin e duhur. Edhe vetë doktor Halim Kosova është i bindur që unë e ndaj miqësinë me detyrën"- tha ai. Ndërsa lidhur me sulmet e shtuara të PD-së gjatë kohëve të fundit ndaj tij dhe partisë që ai drejton, kreu i LSI-së u shpreh se PD-ja nuk mundet të sulmojë partinë e parë dhe merret me partinë e tij. "Meqë PS-në nuk e luftojnë dot, thonë hajt t'i biem vendit të dytë- thonë ata, prandaj merren me LSI-në. Kështu që nuk më shqetësojnë sulmet e PD-së sepse jam i bindur se kjo nuk na e ul rezultatin e këtyre zgjedhjeve"- tha ai. Kreu i LSI-së, Meta, ndau bindjen se fitorja e së majtës është e padiskutueshme, pasi ajo është e bashkuar. “Më pëlqen më shumë thënia e zotit Rama, dy parti, një fuqi. Në këtë rast, është më shumë se kaq, sepse PS-LSI është një bosht i fuqishëm i një aleance shumë më të fuqishëm sesa kaq. E majta e bashkuar është një shumicë e fuqishme në Shqipëri. E majta e bashkuar është gjithmonë shumicë në Shqipëri. Në 2005-n, ndodhi ajo që ndodhi, në 2009, nuk u bë koalicioni dhe për këtë e ka fajin zoti Rama, ndaj u bë një koalicion i sforcuar me PD”, theksoi Meta. Një ndërhyrje gjatë intervistës ishte dhe mesazhi i deputetit të Shkodrës, Tom Doshi, i cili i kërkoi drejtuesit të emisionit, Sokol Balla, që ta pyeste lidhur me përfshirjen e Spartak Brahos në çështjen e tij që po shqyrtohet tashmë nga gjykata dhe lidhjet e tij me personat e akuzuar direkt nga Doshi për autorë të një atentati të mbetur në tentativë ndaj tij në muajin tetor të vitit të kaluar. "Unë them që të mos e ulim bisedën në nivele kaq banale. Çdo njeri që ka shkelur ligjin, të shkojë para drejtësisë, qoftë ky Tom Doshi, qoftë Spartak Braho"- tha Meta. Ndërkohë, i pyetur për pushtetin që kryebashkiakët që do të dalin nga zgjedhjet e 21 qershorit, Meta u shpreh se ata nuk do të jenë sulltanët e rinj, por përkundrazi kryebashkiakët e rinj do të jenë më të ekspozuar ndaj presioneve dhe trysnisë së pritshmërive të publikut. "Absolutisht që nuk do të jenë sulltanë, përkundrazi do të jenë shumë më të ekspozuar para publikut të tyre dhe një presioni pozitiv dhe natyrisht qeveria do të jetë e motivuar për t'i ndihmuar në qeverisjen e këtyre bashkive" - tha Meta.

Denonco

Keni informacion në interes të publikut? Dërgojeni në Shqip duke klikuar këtu.

 

Biznes

Ndiqni të gjitha lajmet e fundit
në rrjetet tona shoqërore