Lidhje te rendesishme Rrjetet tona shoqërore Shqip merr pjesë në programe të ndryshme marketingu ku mund të përfitojë komisione për produktet e zgjedhura në artikujt e publikuar.

Kryesoret

Veliaj: Do të anuloj 60 lejet e ndërtimit dhe rishikim të planit

Erion Veliaj Top StoryEkipi - Në 100 ditët e para të bashkisë kemi një plan emergjent me 3 mijë halle të vogla në gjithë Tiranën. Është një ekip me 80 arkitektë në gjithë Tiranën, ku shohin një problem e paraqesin dhe mundohemi të gjejmë zgjidhjen.

Pallatet - Plani rregullues e ka emrin fals. Ai është një plan për klientët e familjes së Saliut dhe të Lulzimit. Janë shtuar vetëm këto 60 pallate, të paracaktuara në cilët territore do të ishin, të parashitura

Kandidati socialist paraqet objektivat në emisionin “Top Story”

Kandidati i Aleancës për një Shqipëri Europiane për Bashkinë e Tiranës, Erion Veliaj, në një intervistë për “Top Story” për gazetarin Sokol Balla, shpalosi programin e plotë elektoral për të fituar drejtimin e bashkisë më të madhe në vend, program të cilin do ta paraqesë edhe sot përpara elektoratit të majtë. Ai ka shpallur si sfidë kryesore, që nëse fiton si kryebashkiak i Tiranës, do t'i anulojë të gjitha lejet e dhëna muajt e fundit nga ana e bashkisë që drejtohet nga Lulzim Basha. “Po. Ne jo vetëm nuk do të japim leje në digën e liqenit. Deri tani, bashkia ka qenë palë me ndërtuesit dhe qeveria ka qenë vetëm në gjykatë për anulimin e këtyre lejeve. Kemi bllokuar tre muaj. Kemi humbur vetëm një shkallë, kemi edhe shkallët e tjera. Jam përgatitur që të marr juristët më të mirë për të vijuar betejën ligjore. Më 21 qershor, bashkia nuk do të jetë palë me betonin, por me qeverinë dhe me qytetarët. Besoj se ka shumë arsye nga ekspertiza ligjore që kemi pasur këto ditë të fushatës, ku ka shumë elemente antiligjore që do t’i bënin ato leje të paligjshme. Jam i përkushtuar që tek të 60 lejet që Lulzim Basha me Shkëlzen Berishën dhanë në prag të moratoriumit dhe që e kanë futur qytetin me lak në fyt dhe  po ia lenë barrë qytetit mbi shpinë, do të bëjmë një betejë ligjore bashkë me qeverinë për të anuluar ato 60 leje. Besoj se qyteti meriton një plan rregullues, jo çrregullues”, deklaroi Veliaj. Më tej, duke iu referuar programit të tij për bashkinë, kandidati i majtë bëri të ditur edhe kundërshtimin e planit aktual rregullues të bashkisë, që sipas Veliajt çon në betonizimin dhe jo ofrimit të parqeve të gjelbra. “Plani rregullues e ka emrin fals. Duhet ta ketë emrin çrregullues. Sot do të anulohet plani rregullues. Është plan betonimi. Bulevardi i Tiranës do t'i kthehet planit origjinal. Më shumë parqe dhe jo beton. Për këtë do t'iu jepet një çmim i ndershëm qytetarëve për shpronësimet. Plani rregullues e ka emrin fals. Ai është një plan për klientët e familjes së Saliut dhe të Lulzimit. Janë shtuar vetëm këto 60 pallate, të paracaktuara në cilët territore do të ishin, të parashitura. Më vjen shumë keq, por ai plan rregullues nuk mund të qëndrojë sepse është për 4% të bashkisë, sot Tirana është 24 herë më e madhe. U rrëzua plani zviceran, një plan që ishte paguar nga BB dhe taksapaguesit francezë, parashikonte një bulevard të ri të gjelbër, jo një bulevard betoni ku ia jep parcelat të gjithë familjes së SHQUP. Plani rregullues do të anulohet. Është një plan betoni që shkatërron jetën e qytetarëve të Tiranës dhe që përmirëson jetën vetëm për 60 leje ndërtimi të familjes së Saliut. Së dyti, nuk do të ketë ndërtime te diga dhe do të anulohen lejet e ndërtimit te diga. Nuk ka bllokuar as Edi Rama dhe as qeveria Bulevardin e Tiranës. Plani i vitit 2011 ishte që të kishte një simetri me bulevardin që kemi sot”, tha Veliaj.

Për rivalët

Duke folur për kandidatët që janë aktualisht për Tiranën, kandidati i së majtës tha se tre prej tyre janë në garë me njëri-tjetrin për t'u pozicionuar në PD dhe jo për të fituar besimin e qytetarëve. “Është evident që po zhvillohen dy gara brenda një gare, ka një garë për Bashkinë e Tiranës, si dhe një garë për t'u pozicionuar tek e djathta. Njëri ka qenë ministër i Sali Berishës, njëri zëvendësministër dhe një drejtues njësie. Njerëz që kanë kandiduar brenda PD, ka një garë mes tyre dhe kjo është e gabuar. Unë po të isha Gjergji, do t'u dilja gjërave troç. Do thoja ky është pallati i Shkëlzen Berishës”, tha ai. Por si pjesë e projektit të tij për transformim e bashkisë, Veliaj shtoi edhe auditivin e saj, ku nuk përjashtoi mundësinë e denoncimeve dhe ndjekjeve penale për këdo që ka abuzuar në këtë institucion. “Do auditojë edhe bashkinë, më vjen keq por ata që i kanë bërë dëm këtij qyteti, të përgatiten për burg. Do laj borxhet e bashkisë. Do kemi kalendarë për të bërë gjërat më emergjente. Në 100 ditët e para të bashkisë kemi një plan emergjent me 3 mijë halle të vogla në gjithë Tiranën. Është një ekip me 80 arkitektë në gjithë Tiranën, ku shohin një problem e paraqesin dhe mundohemi të gjejmë zgjidhjen. Administrata duhet të jetë në detyrë. Unë nuk mund të punoj në ekip me një njeri që rreh gratë në administratë, me një njeri që gdhihet në komisariate, me një rrugaç e huligan që ka kapur më shumë kronikën e zezë. Do ta drejtojmë qytetin me ekipin që do ta çojë në drejtimin e duhur dhe jo me gangsterë e huliganë. Jo vetëm që do të largohet nga detyra, por do të shkojë edhe në ndjekje penale”, tha Veliaj duke iu referuar këtu Policisë Bashkiake, që drejtohet nga Florenc Hoxha.

Mbështetja dhe rezervat

Ai ka kundërshtuar zërat se kandidimi për këtë post nuk ka pasur mbështetjen e disa deputetëve të majtë, përfshirë këtu edhe kreun e PS-së për Tiranën, Saimir Tahirin. “Në ekip i kemi rolet e ndara. Në këtë betejë unë jam kandidat i PS. Saimir Tahiri është kapiten në Tiranë. Prezenca e tij është e pazëvendësueshme si kryesor, por edhe si ministër. Sot mund të flasim me fakte që njerëz të veshur me pushtet nuk mund t'i shmangen krimit. Nga ana tjetër, puna me Pandin që është një mentor, që më ka dhënë teserën e partisë. Pandi është dikush që sot kalon 16 orë në fushatë. E mbështetja e Ben Blushit patjetër, e kemi dëgjuar çfarë ka thënë”, ka thënë Veliaj, duke shtuar se me të gjithë deputetët e majtë dhe aleatët e majtë, qëllimi i vetëm është fitorja e bashkisë. “Në mendjen e njerëzve është krijuar ideja që pala tjetër nuk ka një ofset. Përveç PS dhe LSI që janë shinat ku kalon treni me rreth 40 vagonë, unë kam një sfidë për Bashkinë e Tiranës, e shikoj si mundësi dhe sfidë dhe bindje që përveçse t'u japim shansin për të votuar anëtarët e këshillit, të votojnë dhe kryetarin”, ka thënë ai. Ndër të tjera, ka vlerësuar kreun e LSI-së, Ilir Meta, njëherësh edhe kreun e Parlamentit, që sipas tij ka kontribuar në miratimin e disa prej ligjeve të propozuara nga Ministria e Mirëqenies Sociale.

“Kandidatët tanë janë të përbashkët, as të PS dhe as të LSI. Kam pasur një eksperiencë të shkëlqyer me Metën si ministër. Do të ishin të pamundura nëse Ilir Meta nuk do të kishte përshpejtuar miratimin e disa reformave. Ndihem i nderuar që Meta ka rënë dakord dhe mbështet kandidaturën time”, ka thënë Veliaj. Ai ka theksuar se ambicia e tij është vetëm të marrë drejtimin e bashkisë, duke e përjashtuar mundësinë që përflitet se mund të ketë si synim marrjen e partisë. Ai ka dhënë edhe një përgjigje për sulmet ndaj tij nga ana e ish- kryeministrit Sali Berisha. “Unë do të shqetësohesha nëse nuk do sulmohesha. Fakti që sulmohem nga ish-kryeministri, nga i biri i tij, dhëndri i tij, do të thotë që këta njerëz që u morën rininë 24 vjet prindërve tanë, për secilën prej reformave të bëra nga ne nuk kanë asnjë alternativë. Cila ishte alternativa e tyre? Që i linin njerëzit pa pension? Cila ishte alternativa për ata që merrnin ndihmë ekonomike? Mbaj mend fjalët e Ismail Kadaresë, se 'pemës me kokrra i bihet me gurë'”, tha ai. Ndër të tjera, ka vlerësuar Ramën duke e konsideruar atë kapiten të ekipit të majtë, edhe për faktin që mendimi për të kandiduar për postin e kreut të bashkisë ka ndryshuar që prej muajit shtator të vitit të kaluar. “Është kapiteni i ekipit tonë dhe një kapiten që menaxhon një skuadër të qeverisjes vendore dhe lokale. Sigurisht që një kapiten vendos edhe për këtë. Për sa kohë që ka këtë besim maksimal në publikun shqiptar, është vendimi i kapitenit për të propozuar sesi ndryshon ekipi në një skuadër. Është e pamundur sot që të jesh një administrator i suksesshëm nëse nuk ke bekimin e kapitenit”, tha Veliaj. Ai ka premtuar një fushatë modeste të financuar vetëm nga fondi i dhënë nga KQZ, duke përjashtuar në mënyrë kategorike donatorët. Duke u ndalur përballë pyetjeve për kandidatin rival, atë të PD-së, ish-ministri Veliaj ka përgënjeshtruar lajmet se ka lindur nga Halim Kosova, teksa ka kërkuar nga ai bërjen e një fushatë serioze. "Thashethemnaja kanë kapluar edhe mjekun kandidat. Jo nuk kam lindur nga Halim Kosova. Kam lindur në duart e një zonje të nderuar, e ëma e deputetit Ervin Bushati. Është fyese që çdo lindje dhe çdo grua e motër e këtij qyteti po përdoret si barsoletë në çdo takim. Ata kanë zgjedhur të bëjnë një fushatë barsoletash, denigruese, por besoj që kur kap inercia e rrenave nuk di ku ndalon. Nuk e nderon doktorin tonë kjo sjellje dhe fyerjet në mënyrë konstante. Minimalisht për betimin e Sokratit, sekretet duhet të mbeten brenda klinikës", tha Veliaj, duke e ftuar sërish Kosovën në debat. Ndërsa këshillat ndaj rivalit demokrat, Veliaj i lidh me mënyrën e qeverisjes së demokratëve. “Unë besoj që një vend ku jeton ajka e Shqipërisë, një milion vetë dhe numri më i madh i banorëve, do të dijë se çfarë mendon doktor Halimi, çfarë mendon ai për Gërdecin? Sot e pashë që prezantohej nga Fatmir Mediu në Pallatin e Kongreseve. Ai ka një opinion se si u vranë 26 njerëz? Se unë besoj se për gjëra të rëndësishme disa figura të rëndësishme nuk mund të rrinë pa folur. Nuk mund të jenë pa opinion. Dua të di çfarë mendimi ka për Sali Berishën? Se ne u qeverisëm 8 vjet dhe ishte ministër i Sali Berishës. Jam i sigurt që ka një opinion. Duhet të dimë çfarë mendon ai për faljen e detit nga Lulzim Basha? Ai duhet të ketë një opinion, ka mbiemër patriotik, duhet të ketë patjetër një opinion se çfarë mendon kur kryetari i partisë së tij fal detin. Çfarë mendon ai për 21 janarin? Ne duhet ta dimë. Një njeri që pretendon të qeverisë ajkën e Shqipërisë, duhet të na thotë se çfarë mendon kur shqiptarët vriten me plumba në mish nga qeveria e tyre”, theksoi kandidati socialist.

Denonco

Keni informacion në interes të publikut? Dërgojeni në Shqip duke klikuar këtu.

 

Biznes

Ndiqni të gjitha lajmet e fundit
në rrjetet tona shoqërore