Lidhje te rendesishme Rrjetet tona shoqërore Shqip merr pjesë në programe të ndryshme marketingu ku mund të përfitojë komisione për produktet e zgjedhura në artikujt e publikuar.

Kryesoret

Kurbin, kandidat vëllai Fufit të PD-së

KQZ, kandidatja me emrin Grida Shqina për në Durrës. PS konteston emrat e PSD

kqz sot 12 maj 1_1Në limitet kohore të parashikuara në Kodin Zgjedhor për regjistrimin e kandidatëve, Partia Demokratike gjen zgjidhjen për të përfshirë në garën e 21 qershorit për Bashkinë e Kurbinit kryetarin aktual të Bashkisë së Mamurrasit, Ilir Pjetrajn, që përflitet se është dhe vëllai i deputetit demokrat Mhill Fufi. Mësohet se vendimi është marrë mbrëmjen e së mërkurës nga KZAZ-ja e Kurbinit, e cila vendosi të pranojë kërkesën për t'u dorëhequr nga gara të kandidatit tjetër Altin Biba, duke vendosur në këtë mënyrë që të pranonte kërkesën e PD-së që Pjetraj të jetë kandidati i PD-së. Altin Biba, i cili mban dhe postin e kreut të PD-së në Laç, vetëm pak ditë pas zyrtarizimit të tij do të kërkonte dorëheqjen nga gara, ku zyrtarisht pohoi për gazetën "Shqip" se do të dorëhiqej për arsye shëndetësore. Por nga burime nga selia blu u mësua se dorëheqja e tij kishte të bënte me insistimin e Pjetrajn që të ishte ai kandidati për kryebashkiak në Kurbin. Dy ditë më parë, përfaqësuesi ligjor i PD-së në KQZ, Njazi Kosovrasti, theksoi se dorëheqja e Bibës ishte e pavlefshme, pasi ligji elektoral nuk parashikon një procedurë të tillë, ku kandidatin i zyrtarizuar nga KZAZ-ja apo KQZ-ja të dorëhiqet. Por duket se ky mosparashikim në Kod është shfrytëzuar nga PD-ja për të përfshirë në garë kandidatin Pjetraj.

Mbledhja e KQZ-së

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është detyruar të zhvillojë një mbledhje maratonë, pasi dita e djeshme ishte afati përfundimtar i regjistrimit të listave përfundimtare të kandidatëve të propozuar nga partitë politike që do të marrin pjesë në zgjedhjet vendore të 21 qershorit. Por përfaqësuesi politik i PD-së në KQZ do të përfshihej në debate të forta me kryetaren e KQZ-së, Lefterije Luzi, gjatë shqyrtimit të kërkesës për miratim të kandidates së djathtë për kryetare të Bashkisë së Durrësit, Grida Duma, e cila në fletën e votimit do të paraqitet me mbiemrin e bashkëshortit të saj "Shqina". Shkak i debateve dhe batutave ka qenë pasi Grida Duma ka dorëzuar një kërkesë pranë KQZ-së ku dëshiron që mbiemrit të vajzërisë Duma t'i shtohet edhe ai i bashkëshortit, Shqina. Por legjislacioni shqiptar njeh mbajtjen e vetëm një mbiemri. KQZ-ja, në vendimin që u miratua me 7 vota pro, sqaroi se mbiemri Duma do të vendoset në kllapa pas mbiemrit Shqina. Ky ndryshim u bë pasi sipas KQZ-së, Duma nuk kishte dorëzuar dokumentet që i ishin kërkuar javën e kaluar për t'u regjistruar. Por përfaqësuesi ligjori i PD-së, Njazi Kosovrasti, hodhi poshtë pretendimet e KQZ-së duke theksuar se janë dorëzuar të gjitha dokumentet e kërkuara. "Ne kemi dorëzuar të gjitha dokumentet e kërkuara. Dokumentet që kemi sjellë janë në rregull dhe ju nuk na keni kërkuar dokumentet të tjera", - u shpreh Kosovrasti. Kryetarja e KQZ-së theksoi se kandidates së PD-së i janë kërkuar dokumentet me dy mbiemrat Duma dhe Shqina. Në mbledhjen e djeshme, KQZ-ja shqyrtoi një sërë kërkesash ankimore të paraqitura nga Partia Socialiste e cila i kërkon këtij institucioni që të mos i miratojë kandidatët e PSD-së së Skënder Gjinushit në disa prej bashkive të vendit. KQZ-ja vendosi të kthejë për shqyrtim kandidatin Artur Topi të PSD-së, i propozuar për garën për kryetar të Bashkisë së Përrenjasit, si dhe kandidatin për Bashkinë e Përmetit. Socialistët kanë qenë kundër vendimeve të KZAZ-ve respektive dhe kanë kërkuar çregjistrimin e tyre, me arsyetimin se materialet nuk ishin të plota. Në mbledhjen e djeshme, socialistët kërkuan që vendimi i KZAZ për regjistrimin e kandidatit Artur Topi për Bashkinë e Përrenjasit të quhet i pavlefshëm, pasi dyshohet për falsifikim firmash. "Nga ekspertimi që është bërë nga ajo deklaratë dhe nga indiciet që kemi, rezulton se firmat janë hedhur nga një dorë, për aq raste sa keni aty", - tha përfaqësuesi ligjor i PS-së, Genc Gjonçaj. Ndërsa nënkryetari i KQZ-së, i propozuar nga PS-ja, Denar Biba, deklaroi se kjo situatë vjen pasi PS-ja nuk do që kandidatët e PSD-së të lejohen për të garuar, pasi ata marrin vota të majta, që i shkon përshtat PD-së. "Duke folur troç tani, PS nuk ka ndonjë interes që kandidati në fjalë të marrë pjesë në zgjedhje se me ç?duket merr vota të majta. PD ka interes që ky të marrë pjesë pikërisht se merr vota të majta. Palët natyrisht që janë të njëanshme në këto qasjet e tyre, por kjo është edhe e bukura e procesit në fund të fundit, prandaj është edhe kontradiktor. Edhe ne i dëgjojmë të dyja palët"- tha Biba. E njëjta situatë ka qenë edhe për kandidatin e PSD-së për Bashkinë e Përmetit, të cilën KQZ e ka rikthyer për plotësim dokumentacioni. KQZ-ja vendosi që të çojë në Prokurori dosjen e materialeve e 20 firmave për Ardian Hysën, i cili po ashtu kandidon nën siglën e PSD-së në Malësinë e Madhe. Nga PSD-ja, KQZ-ja ka zyrtarizuar deri më tani vetëm dy kandidatë për kryetarë bashkie: Arben Ajdinin në Rrogozhinë dhe Albert Çaçin në Fier.

Denonco

Keni informacion në interes të publikut? Dërgojeni në Shqip duke klikuar këtu.

Poll

Biznes

Ndiqni të gjitha lajmet e fundit
në rrjetet tona shoqërore