Lidhje te rendesishme Rrjetet tona shoqërore Shqip merr pjesë në programe të ndryshme marketingu ku mund të përfitojë komisione për produktet e zgjedhura në artikujt e publikuar.

Kryesoret

KQZ "rrëzon" Dumën, shkaku dy mbiemrat

Lleshi voton pro kthimit të dokumentacionit të kandidimit

Neni 109 / Kushtetuta - Të drejtën e zgjedhjes në këshillat vendorë, si edhe kryetarë bashkie ose komune e kanë vetëm shtetasit që janë me banim të përhershëm në territorin e njësisë vendore përkatëse.

ARTEMISA HOXHA

Kryetari i Bashkise se Tiranes Lulzim Basha dhe Grida Duma, gjate nje mitingu ne sheshin "Nene Tereza", ku PD ka celur zyrtarisht fushaten elektorale per zgjedhjet parlamentare te 23 qershorit dhe ku jane prezantuar kandidatet e kesaj force politike per Tiranen.

Kandidatja e Partisë Demokratike për Bashkinë Durrës, Grida Duma, është bërë shkak dje për debatet e shkaktuara në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, i cili ka shtyrë regjistrimin e saj si kandidate e koalicionit të djathtë për zgjedhjet vendore të 21 qershorit. Teksa KQZ-ja ka shqyrtuar kërkesën e Dumës për kandidate në Bashkinë Durrës përballë kandidatit të majtë, Vangjush Dako, regjistrimi i saj në fillim me një mbiemër (Duma) dhe më pas kërkesa tjetër me dy mbiemra (Duma dhe Shqina), mbiemri i bashkëshortit, ishte shkaku i debateve mes shumicës së anëtarëve të KQZ-së, të cilët vendosën edhe kthimin e dokumentacionit të kandidates për Bashkinë e Durrësit. Në përfundim të mbledhjes me katër vota pro, përfshirë këtu në votat e mazhorancës edhe atë të kryetares së KQZ-së, Lefterie Lleshi dhe tre kundër është rrëzuar kërkesa e djeshme e Dumës për regjistrimin si kandidate e koalicionit të djathtë. "Kthimin për plotësim dokumentacioni të kërkesës për regjistrimin e kandidatit për kryetar të Bashkisë Durrës, të propozuar nga koalicioni 'Aleanca Popullore për Punë dhe Dinjitet'”,thuhet në njoftimin e KQZ-së.

Investigimi i "Fiks Fare"

Por në një investigim të bërë nga emisioni investigativ "Fiks Fare", rezulton se kandidimi i Grida Dumës për kryetare të Bashkisë së Durrësit është në shkelje të plotë me Kushtetutën e Shqipërisë, kjo e përcaktuar në nenin 109 të saj. Kushtetuta përcakton se "Të drejtën e zgjedhjes në këshillat vendorë, si edhe kryetarë bashkie ose komune e kanë vetëm shtetasit që janë me banim të përhershëm në territorin e njësisë vendore përkatëse", thuhet në Kushtetutë, ndërsa sipas investigimit, rezulton se Duma ka vetëm tri javë që është bërë banore e qytetit bregdetar. Sipas investigimit, rezulton se Grida Duma, kandidatja për kryetare bashkie në qytetin e Durrësit, është bërë zyrtarisht qytetare e këtij qyteti, vetëm një ditë pasi kreu i opozitës, Lulëzim Basha, shpalli kandidaturën e saj. Ndryshe nga sa është thënë, kandidatja për Bashkinë e Durrësit ka vetëm disa ditë që është rezidente në këtë qytet. Nga të dhëna zyrtare, emisioni investigativ "Fiks Fare" arriti të nxjerrë në dritë këtë fakt të ri të rëndësishëm për kurrikulumin e kandidates për kryetare bashkie të Partisë Demokratike, Grida Duma. Duke nisur që nga muaji janar i vitit 2015, Drejtoria e Gjendjes Civile pranë Bashkisë Durrës, ka marrë një sërë kërkesash për pasaportizime, të cilat kanë ardhur nga qytete të ndryshme të vendit, kanë qenë në rritje krahasuar me muajt e një viti më parë. Një ndër familjet e shumta që ka kërkuar pasaportizim në Durrës ka qenë edhe familja Shqina, pjesë e së cilës është edhe Grida, pavarësisht se në publik ajo mban mbiemrin e saj vajzëror. Regjistrimi i kësaj familjeje pranë Zyrës së Gjendjes Civile të Durrësit u bë më datë 17 prill, vetëm një ditë pasi Grida Duma u prezantua nga kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, si kandidate e opozitës për kryetare bashkie në qytetin e Durrësit. Në prezantimin e saj zyrtar në datën 15 prill, Duma u cilësua si një vajzë dhe një nënë Durrësi. Por krejt ndryshe nga ajo që u tha nga kryetari i PD-së gjatë prezantimit të Dumës, i cili e konsideroi Dumën një durrsake, rezulton sipas një prononcimi të drejtorit të Gjendjes Civile të Bashkisë së Durrësit, Shpendi Hoxha. “Këta dy, tre muajt e fundit, më saktë që nga muaji janar, ka prurje më shumë sesa muajt e tjerë. 10 deri në 15%. Janë ofruar në qytetin e Durrësit për pasaportizim me kontrata të rregullta qiraje, deklarata para nëpunësve të Gjendjes Civile ose me certifikata të pronësisë, ku çdo gjë është ligjore. Këta shtetas vijnë nga qytete të ndryshme, nga Pogradeci, Shkodra, Elbasani", ka thënë ai. I pyetur mbi datën ekzakte të regjistrimit në Gjendjen Civile të qytetit të Durrësit të shtetases Grida Shqina, e njohur në publik si Grida Duma, Hoxha u përgjigj: "Zonja Grida Duma ka marrë pasaportizimin në datën 07.04.2015. Bashkë me familjen e saj, ata janë bërë rezidentë në qytetin e Durrësit, në rajonin numër 2", tha ai. Pikërisht nga ky konfirmim rezulton se Duma dhe PD-ja kanë rënë në kundërshtim me Kushtetutën në pjesën për qeverisjen vendore.

Denonco

Keni informacion në interes të publikut? Dërgojeni në Shqip duke klikuar këtu.

 

Biznes

Ndiqni të gjitha lajmet e fundit
në rrjetet tona shoqërore