Lidhje te rendesishme Rrjetet tona shoqërore Shqip merr pjesë në programe të ndryshme marketingu ku mund të përfitojë komisione për produktet e zgjedhura në artikujt e publikuar.

Koment

BRITANIA VENDOS ME FOTOFINISH

ARBEN MANAJ

Arben ManajSot britanikët duket se janë më të pavendosur dhe të dyzuar se cilit do t'ia delegojnë mandatin e qeverisjes gjatë katër viteve të ardhshme. Kjo pavendosmëri apo udhëkryq politik nuk ka ngjarë që nga vitet ’70.

Konservatorët që janë në pushtet po sfidohen nga laburistët e Miliband të qendrës së majtë, që sipas të gjitha gjasave janë “jek e jek” me ta në thuajse shumicën dërmuese të sondazheve.

Konservatorët ndërkohë e kanë nxjerrë nga kriza ekonomike vendin, sakaq laburistët thonë se do të vendosin të parët njerëzit që punojnë në axhendën e tyre politike dhe qeverisëse.

E veçanta e këtyre zgjedhjeve parlamentare është roli i pritshëm i partive jodominate deri më sot, si nacionalistët skocezë apo euroskeptikët e UKIP, që janë kundër integrimit të Britanisë në BE për motive praktike, por edhe ideologjike.

E këta të fundit ka gjasa të hanë vota nga konservatorët e Kryeministrit më shumë se nga laburistët, ndërkohë që nacionalistët skocezë në referendumin e fundit votuan 45 për qind në favor të shkëputjes nga Britania, por me shumë gjasa do të rrisin praninë e tyre parlamentare në Westminster në kurriz të laburistëve, që historikisht kanë marrë vota në Skoci e që rrezikohen jashtëzakonisht shumë nga partia e nacionalistëve skocezë SNP, si "kingmaker" të ardhshëm duke siluruar skenën politike angleze.

Britania nuk ka një Kushtetutë të shkruar, por shumica e analistëve janë të mendimit se vendi ka nevojë urgjente për një reformë të thellë elektorale.

Zgjedhjet e së enjtes janë më të paparashikuarat dhe sipas të gjitha gjasave politika britanike do të detyrohet të ecë në rrugën e koalicioneve, siç ndodhi pas zgjedhjeve të fundit në 2010.

Britania shkon sot në zgjedhje dhe ndryshe nga shumë vende nuk ka ditë reflektimi, ndaj beteja elektorale vazhdon deri në minutën e fundit përpara hapjes së qendrave të votimit.

Sondazhet më të fundit sugjerojnë se ka një diferencë mjaft të lehtë në favor të konservatorëve, ndërkohë që besohet gjerësisht se dy partitë dominante, konservatorët e Kryeministrit Cameron dhe laburistët e opozitës së Miliband janë në kuota të barabarta mbështetjeje.

Një gjë është më se e sigurt, se pas votimit të së enjtes, Britania do detyrohet të qeveriset me koalicion, qoftë edhe me qeveri pakice, edhe pse udhëheqësit kryesorë tentojnë ta mohojnë një opsion të tillë për arsye taktike elektorale.

Me gjasa do jenë nacionalistët skocezë dhe antieuropianët dhe euroskeptikët e UKIP që do të përcaktojnë se cila parti do mund të krijojë qeverinë e ardhshme, pa harruar edhe liberal-demokratët, partnerët e vegjël aktualë të qeverisë së koalicionit të drejtuar nga Kryeministri Cameron.

E enjtja, sipas shumë gjasave dhe analizave politike, do jetë vetëm fishkëllima e pjesës së parë e një ndeshjeje politike, pasi shumëçka do të vendoset pas rezultatit, për të cilin shumë pak janë të gatshëm të vendosin një bast.

Këto zgjedhje pritet të jenë edhe barometri për një të ashtuquajtur “Brexit”, ku nëse fitojnë konservatorët do ketë një referendum për të ardhmen e Britanisë në BE, nëse nuk arrihet marrëveshje me Brukselin, ku konservatorët do të kërkojnë ndër të tjera kushte më të ashpra për integrimet e reja të vendeve kandidate në BE, si Shqipëria e vendet e Ballkanit Perëndimor.

E nëse fitojnë laburistët, këto shanse janë minimale.

Sot britanikët do të vendosin se kush do t'i drejtojë gjatë katër viteve të ardhshme, por sipas të gjitha gjasave gjithçka do të vendoset me fotofinish.

Britania është në udhëkryq politik dhe për këtë arsye vota e sotme do të përcaktojë shumë për atë se si do të duket Britania në të ardhmen dhe çfarë roli dhe influence do të ketë ajo në skenën politike europiane e atë botërore.

Denonco

Keni informacion në interes të publikut? Dërgojeni në Shqip duke klikuar këtu.

 

Biznes

Ndiqni të gjitha lajmet e fundit
në rrjetet tona shoqërore