Tom Doshi “lirohet” nga arresti shtëpiak

“Komploti”

Deputeti do të paraqitet një herë në javë në prokurori. Deklarata: Meta, Rama dhe Llalla, presione që të qëndroja i izoluar. Avokatët: Nuk jemi sërish të kënaqur!

Sokol Çobo

tom doshi gjykate_1Dy muaj pas hetimeve për “komplotin”, Gjykata e Lartë ka vendosur detyrim paraqitje për Tom Doshin. Ky i fundit qëndronte prej një muaji i “izoluar” në banesën e tij në Tiranë, por nga dita e djeshme është person i lirë dhe mund të ushtrojë funksionet e tij, në Parlament apo në zonën e tij elektorale. Megjithatë, edhe pas kësaj mase sigurie, Doshi është shprehur i pakënaqur, duke sulmuar edhe Kryeministrin, kreun e Kuvendit, apo edhe Kryeprokurorin. Ai tha se krerët e shtetit bënë presione që ai të qëndronte i izoluar. Ndërkohë, prokuroria nuk ka qenë dakord me këtë masë sigurie dhe gjatë zhvillimit të masës së sigurisë kërkoi që deputeti të rikthehej në qeli.

 

Seanca në gjykatë

Më datën 29 mars të këtij viti, Tom Doshi u ndalua me urdhër të prokurorisë, disa orë pasi Kuvendi kishte aprovuar kërkesën e organit të akuzës për arrestim dhe kontroll banese. Një muaj më parë, Doshi doli para Gjykatës së Lartë, e cila vendosi masën e sigurisë arrest shtëpie, me akuzën e kallëzimit të rremë, deklarata të rreme para prokurorit dhe kanosje për deklarime a dëshmi, ekspertim ose përkthim të rremë. Sipas akt-kakuzës, Doshi, në bashkëpunim me Mark Frrokun dhe Durim Bamin inskenuan atentatin e pretenduar nga vetë Doshi për eliminimin e tij, ndërsa hetimet nga Prokuroria e Përgjithshme për këto akuza pritet të mbyllen këto ditë.

Pas vendimit të muajit mars për ta dërguar në banesë, avokatët u ankuan sërish në Gjykatën e Lartë, madje tek i njëjti trup gjykues. Në seancë, mësohet se Doshi ka replikuar me prokurorët e çështjes. Burime nga gjykata thanë për gazetën “Shqip” se në seancën me dyer të mbyllura Doshi akuzoi se gjithçka po bëhet me urdhër të kryeprokurorit Llalla me një akuzë të sajuar. Ai u shpreh se nëse deklarimi i tij është i rremë, si është e mundur që me këtë deklarim prokuroria ka vënë në pranga Mark Frrokun? Ndërkohë, nga ana tjetër, prokurorët deklaruan se arresti duhet të mbetet në fuqi pasi për ta qëndrojnë akuzat e ngritura, përfshi kanosjen e Durim Bamit, kallëzimin dhe deklarimin e rremë të deputetit dhe ka ende veprime për t’u bërë në lidhje me provat përfshi dhe marrjen e dëshmive të disa personave nga Durrësi.

Pas pretendimeve të palëve, pesë anëtarët e Kolegjit Penal ndryshuan mendje dhe vendosën masën e sigurisë detyrim paraqitje. Kolegji përbëhej nga Guxim Zenelaj, Aleksandër Muskaj, Majlinda Andrea, Artan Zeneli dhe Admir Thanza.

 

Deklarata

Pas daljes nga gjykata, Doshi foli pas seancës që zgjati rreth një orë e gjysmë. Ai tha se është i pakënaqur, ndërsa foli edhe për presion të Kryeprokurorit Llalla, Kryeministrit Rama dhe Kryeparlamentarit Meta ndaj Gjykatës, presion i cili, sipas tij, bëri që të mos fitonte lirinë. “Unë jam i pakënaqur me vendimin, atë të parin edhe këtë që u mor sot (dje). Asnjë prej akuzave ndaj meje nuk ekziston. Pavarësisht se Kryeprokurori, Kryeministri, Kryetari i Parlamentit po bëjnë presion që unë të mos dilja i lirë. Nuk kishin çfarë të bënin, ishin në hall edhe prokurori”, u shpreh Doshi, i cili i qëndroi versionit të deklaruar më herët, se akuzat ndaj tij se ka inskenuar atentatin nuk qëndrojnë, pasi sipas tij, plani për ta vrarë së bashku me kolegun demokrat Mhill Fufi, ka ekzistuar. “I qëndroj deklaratave të mia dhe do të vazhdoj deri në fund sa të zbardhet kjo çështje”, vijoi ai, ndërsa u pyet nëse do t’i rikthehet jetës parlamente. Deputeti i Shkodrës u shpreh se nuk do të bëhet pjesë e seancës parlamentare të së enjtes. Ai tha se do t’i bashkohet Kuvendit vetëm pasi prokuroria të ketë zyrtarizuar akuzat. “Atëherë, do të bëj një diskutim të gjatë në Kuvend që të gjithë të mësojnë të vërtetën”, ndërsa akuzoi sërish Kryeministrin Rama se “po shijon pushtetin, nuk i interesojnë zërat lokalë. Rama ka braktisur gjithë socialistët dhe po i shërben vetëm Ilir Metës dhe LSI-së”.

 

Palët – Akuza përfaqësohej nga prokurorët Adnand Xholi dhe Altin Binaj, të cilët kërkuan që të rrëzohej pretendimi i avokatëve të Doshit. Ndërkohë, që avokatët Vladimir Meçe dhe Ferit Muçaj kërkuan revokimin ose zëvendësimin e masës së sigurimit

Kolegji Penal

  • Guxim Zenelaj, kryetar
  • Majlinda Andrea, anëtar
  • Aleksandër Muskaj, anëtar
  • Admir Thanza, anëtar
  • Artan Zeneli, anëtar

Avokati i Doshit

Vendimi pas presionit politik, luftë në Kushtetuese

Avokati Valdimir Meçi tha se Gjykata e Lartë vendosi nën presionin e politikës. “Kjo do të thotë se jemi të detyruar të vazhdojmë luftën tonë deri në fitore. Gjykata vendosi zëvendësimin e masës me një masë më të lehtë. Natyrisht ne nuk jemi të kënaqur me vendimin e gjykatës edhe pse mendojmë se është një lajm i mirë, do të kishte qenë më i mirë nëse gjykata do të mbështetej në parimin e ligjshmërisë dhe jo të oportunitetit. Kjo ka të bëjë me sistemin e drejtësisë, do të kishte qenë lajm i mirë nëse gjykata do të respektonte ligjin. Jemi në kushtet kur Shqipëria, duke qenë vend anëtar i NATO-s, i Këshillit të Europës, duhet të demonstrojë se organet e saj të drejtësisë respektojnë parimet e sanksionuara në Konventën Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut. Natyrisht gjykata demonstroi përsëri se është në presionin dhe trysninë e politikës. Kjo do të thotë se na detyron ta vazhdojmë luftën tonë deri në fitore. Ne do të vazhdojmë me të njëjtat kërkesa në Gjykatën Kushtetuese. Strasburgu mbetet objektivi ynë nëse do të kemi një përgjigje jopozitive nga gjykata”, u shpreh avokati i Doshit.

©Copyright Gazeta SHQIP

Për t'u bërë pjesë e grupit mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t'ju aprovohet.
Komuniteti Gazeta Shqip: https://www.facebook.com/groups/gazetashqip/





LEXO MË TEJ:


Më të lexuarat

Comments are closed.