Basha: Rama flet njësoj si Nikoliç, shqiptarët nuk vuajnë për aspiratë

Fushata

Kryedemokrati prezanton kandidatët në juglindje të vendit

Lulzim basha_1Kryetari i Partisë Demokratike ka vijuar turin e prezantimeve të kandidatëve të PD-së për disa bashki të vendit. Konkretisht Basha prezantoi kandidatët për kryebashkiakë në Gramsh, Kodhel Çalën, në Cërrik, Qamil Bojën, në Belsh, Asqeri Kuqjan dhe në Peqin Albert Kreçin dhe për të vijuar më pas në Devoll, Pustec, Pogradec e Maliq. “Shqipëria, tha Basha, ka dy vjet që ecën në rrugën e gabuar. Mjerimi dhe varfëria kanë pushtuar çdo familje, ndërsa qeveritarët tallen me bukën e fëmijëve të shqiptarëve. Mazhoranca është zhytur në korrupsion duke kërkuar ryshfete edhe për një vend pune si pastruese. “Kam takuar nëna kryefamiljare që qanin se s’kishin bukë t’u jepnin fëmijëve, që mbanin me ujë me sheqer foshnjën 10 muajsh, baballarë që hidhnin kokrrën e lotit, sepse ministri i Mirëqenies Personale u ka hequr asistencën për djalin se i ishte prerë vetëm një dorë e i duhej pritur edhe tjetra që të përfitonte asistencën”, u shpreh Basha. Sipas tij, kjo mazhorancë nuk ka mbajtur asnjë premtim, dhe shembulli më i mirë është energjia elektrike, çmimi i së cilës është rritur, ndërsa faturat afrofe janë dy dhe trefishuar. Ndërsa, gjatë prezantimit në Devoll të kandidatit Bledion Nallbati, Basha akuzoi dyshen Rama-Meta për situatën ekonomike në vend. “Zbukurimet dhe përrallat që tregojnë në televizor Edi Rama dhe Ilir Meta i kanë për vete, le t’i mbajnë për vete. Asgjë nuk pi më ujë. Njerëzit e dinë, ekonomia është në krizë, është në depresion. Ekonomia e tyre qytetare, familjare dhe kombëtare po përjeton ditët më të vështira. Vetëm për ekonominë nuk flasin. Le t’ju themi sot, t’ju kujtojmë thënien e famshme të demokracisë amerikane në vitet ’90: “Nuk janë pallavrat o oligarkë, nuk janë llafet e bukura dhe gurët në trastë, nuk janë mashtrimet me të cilat keni fytyrë të vini e të kërkoni votën më 21 qershor, është ekonomia ore idiotë”, tha Basha. Në bindjen e kreut të opozitës, vota e shqiptarëve më 21 qershor është momenti vendimtar për të ndëshkuar me votë keqqeverisjen dhe për t’i dhënë një shans të ri vendit. Kreu i opozitës, komentoi edhe deklaratën e Kryeministrit Rama, i cili tha se shqiptarët kanë varfëri aspiratash, një deklaratë kjo që për Bashën është poshtëruese. Sipas tij, kjo deklaratë nuk ka asnjë ndryshim nga ajo e ultranacionalistit serb, Tomislav Nikoliç, kur pas ndeshjes me Serbinë tha se shqiptarët ishin popull i prapambetur dhe u duhej 200 vjet të bënin shtet. “Asnjëherë nuk kemi pasur problem me aspiratat, por me satrapët që centralizojnë pushtetin, që na mbyllin çdo rrugë për të ndërtuar me punë dhe dinjitet një jetë më të mirë në vendin tonë”, shkruan kreu i opozitës në një postim në Facebook, ku i bën thirrje Kryeministrit të heqë dorë nga deklaratat haluçinante dhe mashtrimet. Lulzim Basha thotë se shqiptarët nuk vuajnë nga mungesa e aspiratave, por nga qeveritarët deficentë që nuk ngrihen në nivelin e dëshirave dhe pritshmërive të tyre.

©Copyright Gazeta SHQIP

Për t'u bërë pjesë e grupit mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t'ju aprovohet.
Komuniteti Gazeta Shqip: https://www.facebook.com/groups/gazetashqip/





LEXO MË TEJ:


Më të lexuarat

Comments are closed.