Lajme sportive shkurt

Vendimi

Presidenti konfirmon se do të vazhdojë të investojë tek ekipi

Gjici qetëson tifozët: Nuk e lë Kukësin!

“Nuk largohem, pasi kemi shpenzuar shumë deri tani për të ngritur një ekip të fortë”

Që nga momenti kur Safet Gjici u shpall kandidat i koalicionit të majtë për Bashkinë e Kamzës, tifozët e Kukësit kanë filluar të shqetësohen për faktin se presidenti aktual i verilindorëve do të braktiste ekipin në rast fitoreje në zgjedhjet lokale. Numri 1 i klubit verilindor ka dashur t’i qetësojë të gjithë, duke konfirmuar se do të vazhdonte të investonte për ekipin e Kukësit edhe nëse zgjidhej kryetar bashkie në Kamzë. “Edhe po fitova Bashkinë e Kamzës, unë do punoj edhe për futbollin në atë qytet, por Kukësin nuk kam ndër mend ta lë. Kemi shpenzuar shumë deri tani për të ngritur një ekip të fortë dhe mund të them se është i vetmi biznes ku unë po dal me humbje. Besoj që asnjë ekip futbolli nuk del me fitim në Shqipëri, megjithatë ne nuk ndalemi këtu”, deklaroi Gjici për “SuperSport” para sfidës së djeshme. Kësisoj, në rast të fitores së zgjedhjeve lokale, Gjici do të bëhet njëkohësisht drejtues i dy klubeve në futbollin shqiptar. Një gjë e tillë nuk do të krijojë probleme deri në momentin kur të dy skuadrat ta shohin veten në të njëjtën kategori. Në atë moment, Gjici do të jetë i detyruar të zgjedhë të drejtojë “zyrtarisht” vetëm njërën nga skuadrat, edhe pse asgjë nuk e pengon të vazhdojë të japë kontributin financiar edhe për ekipin tjetër.

 

Deklarata

Trajneri i Skënderbeut shpjegon fitoren që afron titullin

Josa: Hymë për barazim, të kuqen e kërkuam

“Një pikë me këtë lojë që bëmë ne dhe Kukësi, nuk mund të cilësohej sukses”

vllaznia - mirel josaFitorja ndaj Kukësit ka afruar titullin e pestë radhazi për Skënderbeun, por trajneri i kësaj skuadre, Mirel Josa, ka zbuluar se ekipi i tij kishte hyrë në fushë me qëllimin për të marrë një barazim ndaj verilindorëve. “Kjo është një fitore e rëndësishme për ne, vinim në Kukës për dy rezultate. Kishim ndërtuar një rreshtim tjetër të skuadrës, duke pasur parasysh edhe lodhjen e futbollistëve gjatë ndeshjeve të Kupës. Mendoj se ekipi u shpreh mirë në pjesën e parë, por nuk më pëlqeu si reaguam pasi shënuam. Duhej të ishim më racionalë si në kontrollin e topit, ashtu edhe në goditjet drejt portës për golin e dytë. Në fund rrezikuam dhe për mua, një pikë me këtë lojë që bëmë ne dhe bëri Kukësi, nuk mund të cilësohej sukses”, tregoi ai për “SuperSport” pas vërshëllimës përfundimtare. Josa ka konfirmuar gjithashtu se kartoni i kuq i marrë nga Smajli kishte qenë pjesë e një “taktike” të veçantë për të përfituar nga nervozizmi i lojtarëve kuksianë. “Na favorizoi dalja me karton të kuq e Smajlit. Duke parë tensionin që kishin lojtarët e Kukësit, të ngarkuar me kartonë të verdhë, unë porosita Berishën që të sulmonte në krahun e Smajlit dhe Dushkut që kishin kartonë. Më pas, duhej ta godisnim përsëri Kukësin, që u çorientua krejtësisht”, tha Josa.

 

Bundesliga

Bajern Mynih është shpallur kampion i Bundesligës për herë të 25-të, por e ka festuar këtë titull para televizorit. Bavarezët kishin bërë detyrën të shtunën, me suksesin 1-0 ndaj Herta Berlinit, duke u shkëputur 15 pikë nga Volfsburgu ndjekës. Ky i fundit është mundur dje me rezultatin 1-0 nga Borusia Mynshengladbah dhe tashmë nuk mund të arrijë as matematikisht ekipin e Guardiolës në 4 javët e mbetura deri në fundin e kampionatit. Ky ishte trofeu i parë sezonal për Bajernin, që luan të martën gjysmëfinalen e Kupës së Gjermanisë ndaj Borusia Dortmund, ndërsa është ende në garë për Ligën e Kampioneve, ku luan në gjysmëfinale përballë Barcelonës.

 

Serie A

Torino i ka dhënë fund mallkimit, duke fituar për herë të parë pas 20 vitesh derbin ndaj Juventusit dhe duke u mohuar bardhezinjve festën e parakohshme të titullit kampion në Itali. Një gol i shënuar nga Andrea Pirlo me një goditje dënimi perfekte krijoi iluzionin se seria prej 17 ndeshjesh pa fitore për Torinon do të vazhdonte. Por Darmian në fundin e pjesës së parë dhe Kualjarela në të dytën, përmbysën rezultatin dhe i dhanë këtë sukses historik 2-1 Torinos. Megjithatë, derbi është shëmtuar nga sjelljet e tifozëve të të dy skuadrave. Fillimisht, ultrasit e Torinos gjuajtën me sende të forta autobusin e Juventusit që po i afrohej stadiumit. Më pas, një fishekzjarr i hedhur nga ultrasit e Juventusit shpërtheu mes tifozëve të Torinos në stadium, duke plagosur 12 prej tyre.

 

Premier League

Vetëm matematika ndan Çelsin nga titulli i pestë kampion në Angli, pasi skuadra angleze kaloi me sukses provën më të vështirë në këto javë të fundit duke marrë një barazim 0-0 në fushën e Arsenalit. Në një ndeshje ku munguan rastet e pastra për shënim, nuk munguan polemikat, sidomos nga ana e Çelsit që kishte disa pretendime për penallti. Më i bujshmi ishte kur Oskar u pengua nga portieri Ospina, duke acaruar si zakonisht Murinjon, i cili prej kohësh akuzon për “komplot” të gjyqtarëve kundër ekipit të tij. Gjithsesi, trajneri duhej të jetë i lumtur edhe me barazimin, pasi ka ruajtur të paprekur rekordin personal ndaj Venger, kundër të cilit nuk ka humbur asnjë ndeshje. Blutë aktualisht kanë 10 pikë diferencë ndaj Mançester Sitit dhe Arsenalit që i ndjekin në renditje, ndërsa kanë luajtur një ndeshje më pak se rivalët.

©Copyright Gazeta SHQIP

Për t'u bërë pjesë e grupit mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t'ju aprovohet.
Komuniteti Gazeta Shqip: https://www.facebook.com/groups/gazetashqip/





LEXO MË TEJ:


Më të lexuarat

Comments are closed.