Basha: Ikja, jo zgjidhje, të largojmë dyshen Rama-Meta

Cakran

Kryedemokrati i cilëson zgjedhjet e 21 qershorit si politike, jo lokale

Njerëzit po ikin nga e gjithë Shqipëria, po ikin nga e keqja. Asnjë nuk po ikën për qejf

Eksodi – Në Cakran të Fierit, banorët shprehen se janë rreth 1 mijë persona që janë larguar në drejtim të Gjermanisë apo vendeve të tjera të BE-së

Zgjedhjet – U bëjmë thirrje shqiptarëve që 21 qershorin ta konsiderojnë edhe një referendum për taksa të ulëta, edhe për uljen e çmimit të energjisë

Replikat – Berisha: Bëre dy dasma me lekët e mamasë. Ministri: S’martohem me kushërirat

Lulzim Basha & Alibeaj ne CakranPartia Demokratike pretendon se fenomenit të largimit të shqiptarëve drejt vendeve të BE-së, duke braktisur pronat dhe banesat e tyre, nuk i ka shpëtuar as fshati i Cakranit të Fierit. Sipas selisë blu, janë rreth 1000 familje nga Cakrani që kanë emigruar për shkak të kushteve të vështira të jetës dhe papunësisë së lartë. Qindra të rinj nga mosha 15 vjeç e lart janë larguar drejt Gjermanisë, duke mos parë asnjë shpresë, siç i thanë kryetarit të PD-së, Lulzim Basha banorët e Cakranit, në një takim që ai zhvilloi dje. Sipas tyre, papunësia, çmimi i lartë i energjisë, naftës, plehrave kimike ka bërë që kjo zonë të zhytet në varfëri. I shoqëruar edhe nga kandidati për kryetar të Bashkisë së Fierit, Enkelejd Alibeaj, kreu i PD-së deklaroi se eksodi nuk është zgjidhje, pavarësisht situatës së rëndë ekonomike ku e kanë zhytur vendin dyshja në pushtet Rama–Meta. Për Bashën, zgjidhja, është largimi i së keqes dhe kjo do të bëhet e mundur duke nisur nga 21 qershori. “Njerëzit po ikin nga e gjithë Shqipëria, po ikin nga e keqja. Asnjë nuk po ikën për qejf. Po ikin se s’kanë punë, s’kanë lekë, po ikin se s’kanë bukë, po ikin se nuk kanë shpresë. Varfërinë e kanë pesëfishuar. A e dini ju që numri i shqiptarëve që jetojnë me një dollar, me 1 mijë lekë të vjetra në ditë është pesëfishuar në një vit?! Fatkeqësi për qytetarët, luks për qeveritarët. Prandaj, më 21 qershor, ju keni në dorë jo vetëm t’i thoni ndal së keqes por edhe të rikthejmë shpresën”, – tha Basha. Ditët e fundit shumë shqiptarë kanë nisur të largohen nga Shqipëria duke kërkuar azil ekonomik drejt Gjermanisë, duke u mashtruar nga agjencitë e udhëtimeve. Cakrani është një ndër zonat më të prekura nga fenomeni i largimit nga trojet shqiptare, ku qindra familje janë nisur drejt Gjermanisë për një jetesë më të mirë. Vetë banorët tregojnë se familjarët e tyre janë detyruar të largohen si pasojë e varfërisë dhe vështirësive me të cilat përballen çdo ditë. “Mua më ka ikur një djalë 15 vjeç. Këtu e gjejnë veten të pasigurt, të pashpresë. Kam një mulli bluajtje. Vijnë goxha burra, qajnë në pikë të lotit, se s’kanë të marrin miellin”- tha një qytetar. Kryedemokrati, më pas në një takim të forumit ekonomik, i ka cilësuar zgjedhjet lokale të 21 qershorit si politike, ku qytetarët duhet të shprehin sipas tij, kontestimet ndaj qeverisë, e cila sipas tij po varfëron edhe më shumë shqiptarët. “Ne besojmë se rikthimi i shpresës tek ekonomia shqiptare shkon përmes një politike të zgjuar të taksave të ulëta, sikundër i kemi bërë dhe u bëjmë thirrje shqiptarëve që 21 qershorin ta konsiderojnë edhe një referendum për taksa të ulëta, edhe për uljen e çmimit të energjisë e naftës, duke votuar për opozitën”, theksoi Basha.

©Copyright Gazeta SHQIP

Për t'u bërë pjesë e grupit mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t'ju aprovohet.
Komuniteti Gazeta Shqip: https://www.facebook.com/groups/gazetashqip/





LEXO MË TEJ:


Më të lexuarat

Comments are closed.