Lidhje te rendesishme Rrjetet tona shoqërore Shqip merr pjesë në programe të ndryshme marketingu ku mund të përfitojë komisione për produktet e zgjedhura në artikujt e publikuar.

Kryesoret

Ikën Duka, Basha: Grida Duma për Durrësin! Në Fier kandidon ish-deputeti Alibeaj

Grida Duma - "Po kthehem te qyteti im i lindjes. Po kthehem, sepse Durrësi meriton t'i kthehet qytetaria. Do të kthejmë shpresën e metropolit të dytë të Shqipërisë”

Agron Duka - "Shpreh mirënjohje dhe falënderoj gjithsecilin nga ju për mbështetjen që më keni dhënë në vazhdimësi. Do të jem pranë jush në të ardhmen ..."

Fatmir Mediu - "Në gjykimin tim, Duka ishte fitues. Duma është një zë i opozitës shqiptare dhe ne do të bëjmë atë që është me e mira për të fituar Durrësin"

Nard Ndoka - "Jemi larguar nga vendimmarrja e përbashkët. E njoh mirë historinë e PD-së dhe jam i përgatitur edhe ndaj surprizave elektorale"

Herion Mesi Për Bashkinë e Durrësit, PD-ja ka vendosur 37-vjeçaren Grida Duma. Ndryshe nga herët e tjera, Basha ka preferuar të udhëtojë drejt Durrësit për të shpallur atë që ai e cilësoi si imazhi emblematik i nisjes së re të PD-së Duma & BashaPartia Demokratike u jep fund spekulimeve dhe hamendësimeve, duke zyrtarizuar kandidaturat e saj për dy nga bashkitë më të mëdha në vend, atë të Durrësit dhe të Fierit, ndërsa sot pritet të zyrtarizohet dhe emri i kandidatit të opozitës që do të kërkojë mandatin e Bashës në krye të Bashkisë së Tiranës. Ndërkohë, sot Partia Demokratike pritet të zyrtarizojë edhe kandidaturën e Halim Kosovës për Bashkinë e Tiranës. Për Durrësin, PD-ja dhe aleatët e saj do të kandidojnë me Grida Dumën, ndërsa në Fier demokratët do të garojnë me ish-deputetin Enkelejd Alibeaj. Caktimi i Dumës dhe Alibeajt për dy bashkitë kryesore mund të cilësohen si lëvizje surprizë nga PD-ja. Grida Duma Lulzim Basha ka ndjekur një skemë tjetër të shpalljes së kandidatit për Durrësin, duke preferuar të udhëtojë së bashku me kandidaten Grida Duma, personi që kishte në krah si moderatore në betejën e katër viteve më parë për Bashkinë e Tiranës. “Oferta jonë e re ka pasur disa personalitete dhe disa fytyra mbi të cilat është bazuar, njëri më dinjitoz se tjetri. Por zgjedhja e Partisë Demokratike dhe aleatëve tanë pa asnjë rezervë shkon te një bijë Durrësi, te një vajzë Durrësi, te një nënë Durrësi, te një fytyrë emblematike e nisjes së re të demokratëve, te një intelektuale e kalibrit europian, te një akademike e shkëlqyer, studiuese, politikane e dashur dhe e admiruar nga të gjithë shqiptarët, administratore e sprovuar, bija juaj, kandidatja juaj dhe kryetarja e ardhshme e Bashkisë së Durrësit, Grida Duma”, u shpreh kryedemokrati. Kështu, demokratët nuk e pranuan emrin e republikanit Agron Duka, duke caktuar Dumën. Për këtë vendim, Basha e ka dhënë sqarimin para medias. Siç e dini, në garën për Durrësin, përveç figurave dinjitoze të PD-së, pati edhe një kandidaturë dinjitoze të aleatit tonë, Partisë Republikane, dhe kjo figurë dinjitoze është Agron Duka. Duke vlerësuar maksimalisht dhe me pozitivitet ofrimin e figurës së tij, duke vlerësuar po kështu bashkimin pa rezerva e të fuqishëm të Partisë Republikane dhe të Agron Dukës në mbështetje të kandidaturës së Grida Dumës si një garanci shtesë për një fitore të thellë në Bashkinë e Durrësit, dua të siguroj të gjithë mbështetësit tanë se gara që na pret nuk ka për qëllim fitoren e PD-së, nuk ka për qëllim fitoren e opozitës, por ka për qëllim fitoren e çdo qytetari të Bashkisë së re të Durrësit, mirëqenien e çdo qytetari të Bashkisë së re të Durrësit; ka për qëllim shpëtimin e Durrësit nga dara e mjerimit, ka për qëllim shpresën që lind dhe do të lindë nga Durrësi me Grida Dumën dhe me ju të gjithë qytetarët e ndershëm të këtij qyteti”, tha Basha. Aktualisht, Duma mban postin e shefes së Departamentit për Marrëdhëniet me Publikun në PD, ndërsa ka mbajtur edhe postin e zëvendësministres së Integrimit gjatë qeverisjes së PD-së. Grida Duma ishte ndër të paktat figura të së djathtës që spikati me daljet televizive në mbrojtje të PD-së, pas humbjes së pushtetit në 2013-n, duke shfrytëzuar një boshllëk të krijuar nga ish-ministrat e fshehur të partisë që linte pushtetin me një bilanc problematik dhe me një humbje elektorale dërrmuese, që kulmoi me largimin nga drejtimi i PD-së i Sali Berishës. Jo në listën e zgjedhësve Duma rezulton se aktualisht nuk është në gjendjen civile të Durrësit. Gjithashtu, nga një kërkim i kryer, ajo nuk figuron as në listën paraprake të zgjedhësve. Ajo ka jetuar disa vite në SHBA bashkë me familjen e saj, më pas u vendos në Tiranë me bashkëshortin dhe djalin. Por kandidimi i saj për kryetare në Bashkinë e Durrësit, duket se shkakton një përplasje ligjore, pasi ajo, të paktën deri mbrëmjen e djeshme, nuk rezulton të jetë banore e këtij qyteti. Ndërkohë, ligji përcakton se nuk lejohet kandidimi i kandidatëve në zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore për të gjithë ata persona që nuk figurojnë të regjistruar si banorë në zonën ku ata kandidojnë. Por duke iu referuar regjistrit të gjendjes civile për qytetin e Durrës, burime nga kjo agjenci rezulton se Grida Duma nuk rezulton të jetë banore e këtij qyteti, pavarësisht se ajo ka lindur dhe ka jetuar më parë në Durrës. Ndërsa në listën paraprake të zgjedhësve, rezulton se bashkëshorti i Grida Dumës, Ilir Shpëtim Shqina, figuron në listën e votuesve në Tiranë, ndërsa vetë Duma nuk figuron fare në këtë listë, e cila pritet të ndryshojë sërish në fund të muajit. Burime nga dega e PD-së në Durrës theksuan mbrëmjen e djeshme, se janë marrë të gjitha masat që kjo çështje të zgjidhet brenda pak ditësh, ku Duma do të rikthehet sërish në Durrës, jo vetëm si pretendente për ta drejtuar, por edhe si banore e këtij qyteti.

Denonco

Keni informacion në interes të publikut? Dërgojeni në Shqip duke klikuar këtu.

 

Biznes

Ndiqni të gjitha lajmet e fundit
në rrjetet tona shoqërore