Gara për Tiranën, Erjon Veliaj përballë Halim Kosovës

bashkia tiranePartia Demokratike dhe Partia Socialiste kanë zyrtarizuar pasditen e sotme, pothuajse në të njëjtën kohë kandidatët e tyre për bashkinë e Tiranës. Kreu i PD, Lulzim Basha ka prezantuar sot përpara një grupi simpatizantësh mjekun Halim Kosova si personin që do të përfaqësojë demokratët në zgjedhjet e 21 qershorit, ndërkohë që pothuajse në të njëjtën kohë me të, kryesocialisti Edi Rama nga selia rozë ka prezantuar Erjon Veliajn si kandidatin zyrtar të koalicionit të majtë në zgjedhjet lokale.

Rama: Erjon Veliaj, kandidati i PS për Bashkinë e Tiranës

Erjon  Veliaj është kandidati zyrtar i koalicionit të majtë për bashkinë e Tiranës.

Emri i Veliajt është konfirmuar nga vetë kryeministri i vendit Edi Rama, i cili në një deklaratë për mediat nga selia rozë ka preferuar të flasë fare shkurt duke dhënë vetëm emrin e përzgjedhur nga Aleanca për Shqipërinë europiane që do të garojë në bashkinë e Tiranës për zgjedhjet lokale të 21 qershorit.

“Kemi finalizuar edhe procesin për Tiranën, për këtë do të flasim më gjatë në ditët ne vijim. Por shkurtimisht, kandidati ynë për Tiranën do të jetë Erjon Veliaj”, tha Rama.

Veliaj do të garojë përballë kandidatit të PD Halim Kosova, ti zyrtarizuar pasditen e sotme për bashkinë më të madhe në vend.

Basha zyrtarizon Kosovën: Qytetarët do të votojnë mjekun

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka zyrtarizuar sot emrin e kandidatit për Bashkinë e Tiranës. Halim Kosova do të jetë personi që do të garojë për drejtimin e bashkisë më të madhe në vend.

“Është momenti i qytetarëve. Vendimi nuk i takon vetëm PD, por gjithë qytetarëve. Ne kemi zgjedhur një mjek, një njeri që u ka shërbyer qytetarëve dhe njerëzve në nevojë. Tani bëhet gati të ju shërbej si kryetari i ardhshëm i Bashkisë së Tiranës. Duam një mjek dhe jo një politikan, thotë zëri i qytetarëve. Dhe unë i pari dua ta respektoj këtë, i cili luftoi korrupsionin kudo që pati mundësi. Qytetarët kanë vendosur që votojnë mjekun”, tha Basha.

16 prill 2015 (gazeta-Shqip.com)









Comments are closed.