Pashkët në Labovë të Kryqit

Reportazh

Në përfundim edhe të këtij udhëtimi në Labovën e Kryqit në atmosferën e festës së Pashkëve, epilogu është pothuajse i njëjtë: Ndonëse pasuritë e trashëgimisë tonë kulturore të lashtësisë, antikitetit dhe periudhave të tjera të zhvillimit të jetës njerëzore, qytete antike, kështjella, objekte kulti, manastire dhe kishat e pasura me ikonostase, afreske, ikona, antikuarë, orendi e vepra arti dhe artizanati me vlerë të jashtëzakonshme, janë të shumta, edhe pse disa janë grabitur dhe shkatërruar, ato që kanë mundur të shpëtojnë janë të shumta dhe duhet të ruhen të paprekura si thesare të kulturës dhe trashëgimisë.

Engjëll Serjani

Labove e Kryqit Labova e Siperme
Labova e Sipërme

Pranvera ka ardhur në Labovën e Kryqit, pavarësisht se “plakat e marsit”, nuk ngurruan të shfrynë dufin e tyre të fundit në këto ditët e para të prillit. Por, edhe pse një dimër i ftohtë, me shi, borë dhe temperatura shumë afër zeros në këtë fillim pranvere, asgjë dhe askush nuk mund t’i pengojë njerëzit të festojnë Pashkët, festën e ringjalljes dhe dëlirësisë hyjnore. Nuk besoj se ka shumë vende në Shqipëri ku mund t’i festosh dhe shijosh Pashkët më mirë se në fshatin e lashtë të Labovës së Kryqit rrëzë Buretos në Gjirokastër. Një vend që për shkak të historisë mistike, të larmishme dhe të lavdishme, njihet me disa emra; Labovë e Poshtme dhe Labovë e Sipërme (emërtimi i dy pjesëve të të njëjtit vendbanim), Labovë e Kryqit (emërtim që lidhet me praninë e një kishe të vjetër bizantine dhe të një kryqi që tani është zhdukur dhe Labovë e Libohovës (për ta dalluar nga Labova e Vangjel Zhapës që ndodhet në Odrie në veri të Lunxhërisë.

Pelegrinë në bujarinë dhe shenjtërinë e labovitëve

Labove e Kryqit Ne rrugen e Laboves se siperme
Në rrugët e Labovës së Sipërme

Këtu njeriu prek me dorë imazhe engjëllore që të sjellin në një gjendje mistike, prandaj në ditë të tilla të shenjtëruara, Labova e Kryqit transformohet në një vend pelegrinazhi për shumë njerëz. Kështu ndodhi edhe me një grup të vogël miqsh: me katoliken amerikane Katheen Imholz që banon në Tiranë dhe Violetën nga Mirdita që jeton në Gjirokastër, me çiftin ortodoks të bashkëshortëve Fabian e Ilda Kati që jeton në Angli dhe gjysmëortodoks dhe gjysmëmyslimanin Petrit nga Navarica e Sarandës që jeton në Tiranë. Në ditën e Pashkëve Katolike dhe në vigjilje të Pashkëve Ortodokse, në bujarinë banorëve vendas, mësonjësit dhe ciceronit Stefan Miho, ndërtuesit dhe bariut Mantho Mema, ky grup simpatik dhe unë bashkë me ta, u bashkuam për të festuar në këtë vend të shenjtëruar. Labovitët janë bujarë e mikpritës, “të kënduar” dhe të shenjtëruar.Pavarësisht nga historitë e ngatërruara, të ngjashmërisë dhe ndryshimit mes riteve të lashta të festimit të Pashkëve nga të krishterët katolikë dhe ortodoksë, pavarësisht ndryshimeve në kalendarë me emërtimet e tyre “alla frënga” apo “alla turka”, pavarësisht prezencës dhe “mllefit” të plakave të marsit, grupi i pelegrinëve apo “turistëve vendas”, quaji si të duash, ishte aty për të thyer bashkërisht vezët e kuqe dhe bukën e Pashkës dhe për të uruar njëri-tjetrin sipas traditës së lashtë pranë kishës së lashtë të Shën Mërisë së Labovës së Kryqit. Udhëtojmë drejt një prej monumenteve më interesante në Shqipëri, drejt kishës së Labovë e Kryqit, e cila është një përkushtim i përkryer ndaj Shën Marisë. Për të shkuar aty nëpërmjet superstradës Gjirokastër – Kakavijë – Sarandë, në Sofratikë, duhet të marrësh majtas rrugës për Libohovë. Vetëm se duhet pak kujdes që para se të kthesh për të hyrë në qytetin e Libohovës, duhet të vazhdosh drejt në rrugën e pashtruar për në Suhë e Labovë, deri në afërsi të urës mbi lumin e Suhës, ku rruga për Labovë të Kryqit ndahet dhe udhëtari duhet të marrë patjetër degëzimin në të djathtë.

Burimet e jetës labovite: vreshtari, bagëti dhe emigracion

Labove e Kryqit Varri i hapur
Varr i hapur dhe i grabitur

Nuk është e nevojshme të lodhesh duke pyetur labovitët se cilat janë burimet e të ardhurave për të siguruar jetesën. Të mjafton, prezenca e kopeve me bagëti në kullotat e pasura në të anët e rrugës së pashtruar nga Ura e Zonjës deri në fshat, të mjafton pamja e vreshtave të rrushit që rrethojnë fshatin nga të gjitha anët dhe mungesa e rinisë dhe fëmijëve në rrugët e fshatit për të kuptuar se këta pak banorë të mbetur në fshat që “teorikisht” thuhet se ka të regjistruar rreth 300 banorë, arrijnë të mbijetojnë falë vreshtave, bagëtive dhe emigracionit. “Është e tepërt deri në utopi, të mendosh, të flasësh dhe të shpresosh që këtu mund bësh ekonomi dhe të krijohen të ardhura nga kombinimi i turizmit kulturor, mjedisor dhe rural, kur shikon infrastrukturën thellësisht primitive, kur konstaton indiferencën dhe trembjen e shtetit përballë rrënimit dhe madhështisë së pasurisë dhe trashëgimisë së rrallë kulturore”, shprehet me keqardhje bashkudhëtari ynë, Fabian Kati, një pasardhës me origjinë nga Labova e Kryqit, prej vitesh i emigruar në Angli që rikthehet vazhdimisht në vendin e origjinës së familjes së tij që në fakt prej vitesh ka jetuar në Tiranë. Këtë qëndrim e ndiejnë dhe e shprehin me qartë vetë banorët e fshatit që ruajnë si gjënë me të vyer të tyre kishën që i dha emrin fshatit, një nga më të vjetrat në Shqipëri dhe që dikur mbante një relikte të shenjtë, një kryq që besohet të jetë një fragment i Kryqit të Vërtetë të Krishtit, por që fatkeqësisht u zhduk në vitin 1989-’90. “Bëhet fjalë për një relikte të rrallë prej së cilës fshati mori emrin e vet dhe që ne kemi besim te Zoti se grabitësit një ditë to të pendohen dhe do ta risjellin përsëri”, shprehet me keqardhje të thellë e ngashëruese xha Stefani. “Kisha ka shumë vizitorë, por ky interes, nuk mjafton dhe nuk arrin të transformohet në të ardhura për të mirëmbajtur kishën që rrezikon të shembet dhe për të përmirësuar dhe përshtatur për këtë qëllim infrastrukturën e munguar”, shton një tjetër banor i fshatit. Kisha bizantine në qendër të fshatit, një “perëndeshë” e lashtësisë, që sipas legjendës magjike, rrënjët dhe fillesat e ndërtimit i ka në vitin 559, ka tërhequr dhe tërheq vazhdimisht studiues të shumtë, të cilët edhe pse hulumtojnë e hulumtojnë rreth vjetërsisë dhe origjinës së saj, përsëri mbeten “gojëhapur” dhe lënë pas enigma të reja. “Por, “sa para bën”, këto vlera që rrënohen në harrim, nuk u shërbejnë labovitëve, veçse kur mblidhen për të festuar ditën e Shën Mërisë”, thotë Fabiani. Të ishte kjo trashëgimi në Itali apo Angli, vëmendja e shtetit dhe të mirat që do të buronin prej saj do të ishin të pashtershme. Sipas tij, edhe pse ekzistojnë mundësi të jashtëzakonshme historike, klimaterike dhe tradicionale për të përmirësuar jetën dhe të ardhurat, edhe për shumë kohë burimet e jetës për labovitët do të mbeten vreshtaria, bagëtia dhe emigracioni.

Kisha legjendë, magji dhe mbretëreshë e Shën Mërisë

Labove e Kryqit Pamje e pergjithshme e Kishes se vjeter bizantine ne Labove te Kryqit
Pamje e kishës së Shën Mërisë në Labovë të Kryqit

Në qendër të fshatit, përpara portave të kishës hijerëndë, grupin e pret buzagaz Xha Stefani, një mësues pensionist që banon së bashku me bashkëshorten e tij në një prej shtëpive më pranë kishës. Kujdestari i kishës, Vangjel Memo, tani s’është më, ka shkuar në qiell, por gjithsesi, kërcitja e munxave dhe menteshave të ndryshkura nga koha të portës së vjetër sjell kujtimin dhe imazhin e tij. Kisha duket se ka vetinë tërheqëse të magnetit. Këmbët lëvizin vetë drejt harkadeve të hajatit të kishës. Blicet e aparateve fotografike nisin të lëshojnë rrufe drite mbi muret dhe çatitë shkallë-shkallë të arkitekturës dhe pjesëve të jashtme. Çfarë të fiksosh më parë këtu!? Kjo është një mrekulli, një magji dhe një legjendë e gjallë që flet vetë. Xha Stefani, që për vendasit është “njeri i kënduar”, nis rrëfenjat e tij me një fjali që tashmë është standardizuar si “hyrje” në rrëfenjë e tij: “Kjo nuk është kishë si gjithë të tjera, kjo është shumë e lashtë, është si legjendë, magji, “mbretëreshë” me shumë enigma. Boll lodhen studiuesit nga gjithë bota për të zbërthyer kishën tonë të Shën Mërisë, ajo është një magji dhe enigmë e gjallë, por e vështirë. Shikoni vetëm ikonostasin e gdhendur në dru dhe të lyer me flori, aty është gdhendur gjithë historia nga Dhiata e Vjetër”. Ka burrë nëne ta zbërthejë atë? Jo e pamundur!”, pyet dhe përgjigjet njëkohësisht Stefani, ky ciceron dhe guidë e përjetshme dhe vullnetar i vlerave të kishës. Amerikania Ketlin që ka lexuar shumë për këtë relikte të shekujve, thotë se në ikonostasin prej druri dhe në afresket murale janë të materializuara imazhe të plota të Dhiatës së Vjetër që gjenden në Bibël. Sipas prof. Aleksandër Meksit, një prej studiuesve të këtij monumenti thotë se edhe Haan-i, ish-ambasadori austriak në Janinë gjatë periudhës osmane që e ka vizituar Kishën e Labovës së Kryqit në mesin e 10-vjeçarit 1850-’60, duke parë gjendjen e saj në rrënim, është shprehur se kisha nuk mund të qëndronte në këmbë më shumë se një vit. Por ja që ajo vazhdon t’u rezistojë kohërave, të qëndrojë madhështore, paçka se ajo ka më shumë nevojë se kurrë për ndërhyrje restauruese. Në dyshemenë e kishës, banorët konstatojnë vazhdimisht copa të mëdha suvaje të shkëputura, shenja këto që paralajmërojnë rrezik për shembje më të mëdha. Nga jashtë ndërtesa paraqet një arkitekturë të mënyrës më tipike bizantine, me një kupolë të lartë qendrore, me neft të rregulluar dhe përforcuar me kondrafort. Një narteks i ndërtuar më vonë siguron hyrjen kryesore. Në muret e brendshme, specialistët ikonografë dallojnë rreth nëntë nivele të dallueshme të pikturës afreske. Kisha ashtu sikurse e shikojmë sot, në thelb, sipas ekspertëve është një krijim i shekullit të 10-11 të erës sonë, ndërtuar ndoshta në periudhën e sundimit të Despotatit të Epirit, ndonëse ndërtimi në një themel më origjinal mendohet se mund të shkojë deri në vitet 527-565 në periudhën e mbretërimit të Perandorit Justinian, me të cilin ata lidhin edhe legjendën e kryqit të vërtetë të grabitur në vitin 1989. Kisha e Shën Mërisë, kjo relikte e gjallë që u ka rezistuar shekujve, vetëm në këta 20-30 vjetët e fundit është vjedhur e grabitur shumë herë. “Por vjedhja dhe zhdukja pa lënë gjurmë e Kryqit të Vërtetë të Labovës, objektit që i dha emrin fshatit është humbja më e rëndë dhe më e pazëvendësueshme”, thotë Stefani.

P1080323
Pamje e oborrit të Kishës së Shën Julitës në Manastirin ë Dhuvjanit

Pashkë katolike në shtëpi të ortodoksëve
Dalim nga oborri i kishës dhe hyjmë në shtëpinë e xha Stefanit. Lëmë kishën, por jo bisedat dhe rrëfimet e vendasve për kishën. Sipas historianëve dhe ekspertëve të studimeve bizantine, kjo kishë ka ekzistuar qysh përpara vitit të largët 1054, kur Kisha e Vetme e Krishtit u nda në dy pjesë; kishën lindore (ortodokse, “e vërtetë”) dhe atë perëndimore (katolike, “universale”), kur midis tyre u krijua një hendek i madh që erdhi si shkak i përplasjes së pikëpamjeve të ndryshme egoiste dhe absolutiste të krerëve kishtarë në periudhën historike të Bizantit.
Ky fakt në shtëpinë labovite ka shumë rëndësi. Vendasit ndihen krenarë që kisha e tyre është dëshmi e “krishterimit të pandarë”. Ketlin dhe Fabian, pasi e kanë zbërthyer si fjalë dhe i kanë marrë përmbajtjen si kuptim, ngaqë u ka pëlqyer shumë, herë pas here përsërisin shprehjen shqiptare “Bukë e ëmbël dhe e pandarë”. Në kuzhinën e vogël të familjes Miho, pranë stufës me dru prodhim grek, në shoqërinë dhe bujarinë e Stefanit dhe bashkëshortes, atmosfera ngrohet dhe të pranishmit nisin ritualin e thyerjes së vezës së Pashkës. Fitojnë Katheen dhe Petriti, thyhen vezët e Lushit dhe Letës, ndërkohë që katoliket e pranishëm në tryezë, Violeta dhe Katheen, marrin urimet e rastit nga të zotët e shtëpisë dhe të pranishmit që u përkasin besimeve të ndryshme fetare.
Por atmosfera e festës ndizet më tepër në shtëpinë e Mantho Memës në Labovë të Sipërme, që nuk është fshat, por veçse një mëhallë e epërme e fshatit me të njëjtin emër. Padyshim që pjesë dhe lezet në tryezën e festimit të Pashkës është mishi i kecit, prania e të cilit simbolizon Krishtin që u sakrifikua për mëkatet e njerëzve (Ungjilli sipas Joanit 1:29, Letra I e Pjetrit, Zbulesa 5:6). Atmosferën e Pashkës të krishterët shqiptarë pa dallim e shprehin duke uruar “Gëzuar për shumë vjet Pashkët!”, por ajo që shpreh më shumë dhe më qartë frymën e ringjalljes së Pashkës është përshëndetja: “Krishti u ngjall!”, urim që ka si përgjigje shprehjen pohuese: “Vërtet u ngjall!”. Në këtë bashkëjetesë besimesh të ndryshme fetare, grupi ku bënin pjesë katolikë, ortodoksë, bektashinj dhe myslimanë kaluan disa orë në shtëpinë e Memajve. Në tryezë u përzien ushqimet “BIO” të mikpritësve me pijet dhe ëmbëlsirat e pelegrinëve të bujtur për festën e Pashkëve katolike, paçka se Pashkët Ortodokse festohen një javë më pas. Pashkët e krishtera, thotë zonja Katheen Imholz, kanë lidhje të ngushtë me ato hebraiket, në të cilat festohet çlirimi i hebrenjve nga Egjipti prej Moisiut. “Fjala Pashkë në të vërtetë do të thotë kalim: për hebrenjtë është kalimi nga robëria në liri ndërsa për të krishterët nga vdekja trupore dhe frymore në Jetën e Re të Amshuar”, sqaron xha Stefani që i është bashkuar tashmë grupit dhe është bërë pjesë e pandarë e tij. Pashkët Katolike sipas mirditores Violeta, janë kremtimi më i madh i kalendarit liturgjik të Kishës Katolike, ashtu sikurse janë edhe për kishat e tjera të krishtera që kremtojnë Ringjalljen e Jezusit të Nazaretit, ngjarje që ka ndodhur, sipas Besëlidhjes së Re, tri ditë pas vdekjes së tij në kryq. “Nëna ime quhej Pashke dhe në periudhën komuniste ne e kishim të lehtë për ta festuar në mënyrë të fshehtë nga militantët ateistë të regjimit këtë ditë të shenjtëruar, pasi e mbulonim këtë në opinion me ditëlindjen e mamit”, tregon ajo.
Por gjithmonë narracioni i xha Stefanit mbetej më i plotë dhe më tërheqës për çdo temë. “Gjyshi im ka qenë prift dhe unë jam rritur pas tij, kam marrë uratat dhe mirësitë e tij. Java para Pashkëve është quajtur Java e Shenjtë dhe ajo përmban Tri Ditët e Pashkëve, që përfshijnë Të enjten e shenjtë, që përkujton darkën e fundit, të premten e shenjtë, që përkujton kryqëzimin dhe vdekjen e Jezusit. Në krishterimin perëndimor, sezoni i Pashkëve, fillon të dielën e Pashkëve dhe zgjat shtatë javë, duke i dhënë fund me ardhjen e ditës pesëdhjetë. Për ne ortodoksit sezoni i Pashkëve fillon me ditën e Pashkës dhe përfundon me ardhjen e ditës së dyzetë, festën e Ngritjes”, na rrëfen i palodhuri Stefan. Në letërsinë biblike dhe teorinë teologjike ekzistojnë shumë interpretime dhe hamendje mbi vitin e vdekjes së Jezusit, prandaj edhe festa e Pashkëve të krishtera nuk është e njehsuar, por është e lëvizshme. Përgjithësisht, ajo vendoset çdo vit të dielën pasuese të së parës Hënë të Plotë, në 21 mars kur kemi baras natë, apo siç quhet ndryshe “ekuinoksi i pranverës. “Në lashtësi mund të kishte përdorime të ndryshme vendore mbi ndjekjen e datës, sidoqoftë të gjitha të lidhura me njehsimin e Pashkëve hebraike. Në veçanti, disa kisha të Azisë ndiqnin traditën e festimit të Pashkëve në të njëjtën ditë me ato hebraike, pa përfillur të dielën. Por përgjithësisht, data e Pashkëve është përfshirë mes 22 marsit dhe 25 prillit”, shprehet amerikania Katheen Imholz.

Simboli i vezës së kuqe dhe flakës së Pashkëve

Labove e Kryqit Ne rrugen e Laboves se siperme
Në rrugët e Labovës së Sipërme

Deri këtu biseda rrjedh e qetë, por kur nisin referencat dhe interpretimet për traditën dhe ritualin që lidhet me vezën e kuqe të Pashkës, nën efektin e verës, “Gjakut të Krishtit” debati ndizet mes të pranishmëve në tryezë. Katolikja Violetë thotë se veza simbolizon jetën, që është e mbyllur dhe e përgjumur brenda lëvozhgës së saj, ndërsa ngjyra e kuqe e vezëve simbolizon sakrificën, mbart simbolikën e fitores, gëzimit dhe jetës. “Nipi i priftit ortodoks, xha Stefani pretendon se: “Veza dhe ngjyra e saj e kuqe paraqesin forcën dhe fuqinë e Perëndisë, njëkohësisht simbolizon edhe gjakun e Krishtit, i cili u derdh në kryq për shpëtimin e të gjithë njerëzve në botë. Kështu, ngjyra e kuqe rikujton gjakun e Krishtit dhe shpëtimin”. I zoti i shtëpisë Mantho orvatet t’i “vërë vulën” muhabetit: “Veza e Pashkëve është ritual i vjetër, aq sa edhe vetë Krishterimi dhe kisha e ka pranuar në traditën dhe në praktikën e saj si simbol i Ringjalljes së Krishtit”. Një pjesë tjetër e debatit ishte për traditën e Pashkëve ishte buka e Pashkës, por debatet për të u mbyllën shpejt me urimin e përbashkët “Të lumshin duart!”, për Violetën që e kishte gatuar atë sipas “formulës katolike”. Fjala “Pashkë” në këto ditë në Labovë është kryefjalë e shndritshme, pasi në këto ditë ajo sjell gëzimin e kthimit për të festuar nga një pjesë e emigrantëve që jetojnë në Greqi. Labovitët që i gëzohen kthimit në vendlindje, në këto ditë shkojnë në kishën e tyre monument dhe për të përforcuar ndritshmërinë e Pashkës, ata si besimtarë të mirë, në mënyrë simbolike marrin me anë të qirinjve të zbukuruar dritën nga flaka e kandilit të pashuar të Tryezës së Shenjtë, e cila simbolizon varrin e Krishtit të ngjallur dhe e çojnë në shtëpitë e tyre, duke bërë kryqin në pragun e shtëpisë dhe duke e mbajtur këtë flakë të pashuar për 40 ditë. Edhe në këtë pjesë të ritualit është i nevojshëm sqarimi i xha Stefanit: “Marrja e flakës nga Tryeza e Shenjtë që u jepet besimtarëve simbolizon flakën që del çdo vit nga varri i Krishtit në Jerusalem ditën e Pashkëve Ortodokse, flakë e cila merret dhe shpërndahet nëpër kisha të vendeve të ndryshme”.

Labove e Kryqit Dorezat e perdorura nga grabitesit e varreve ne libogove
Dorezat e përdorura gjatë hapjes dhe grabitjes së varrit të vjetër nga trafikantët në Labovë

Pema e çuditshme e “vënjës” dhe grabitësit e varreve të vjetra
Fabiani, një kineast me pasion për profesionin dhe i dashuruar marrëzisht pas legjendave dhe historisë, kurrsesi nuk dëshiron të humbasë rastin e këtij kontakti të rrallë me vendin e prejardhjes dhe sidomos kërkon të përfitojë sa më shumë nga kontakti me “bibliotekën e gjallë” të fshatit xha Stefanin. “Xha Stefan, të lutem më trego sa kisha dhe parakisha ka në Labovë? Xha Stefani nuk përton aspak, por nis shpejt të numërojë një nga një kishat bashkë me emrat e shenjtorëve të cilëve u janë kushtuar. “Në gjithë territorin e fshatit Labovë kemi 32 kisha dhe 4 manastire: manastiri i Shën Thomait, me gurë pelazgjikë që është te Moni, manastiri i Koçiut te Lunxhatet, manastiri i Shën Gjergjit dhe manastiri i Shënkollit ose po deshe quaje edhe të Poseidonit”, vazhdon me një rrjedhshmëri dhe memorie të habitshme plaku që afron te të 80 motet. “Të lutem më ngadalë se më duhet të mbaj shënim?” – lutet Fabiani. Por Stefani vazhdon me të njëjtin ritëm: “Kur vjen nga Libohova kemi kishën Mat, pastaj në Breg të Qishamotit është kisha e Shën Kollit, kemi 4 Shën Kolle në fshat. Ecim më tej: te shpella e Kokoshit kisha e Shën Kostandinit, në mes të fshatit kisha e madhe e Shën Mërisë, kemi pastaj kishën e Janit që unë për veten time e quaj të Justinianit, kisha e Lisit të Madh, kisha e kryqit pas shkollës, Kisha e Gulajve,…”Pastaj, plaku ndalet e flet me dashuri e pasion të veçantë për manastirin e Shën Gjergjit, një rrënojë e vjetër që gjendet në afërsi të një peme të rrallë shumëshekullore që vendasit e quajnë “vënjë” që ndodhet në shpatet e zhveshura të malit të Buretos përballë fshatrave të Stegopullot, Suhës dhe Selcës, të cilët janë të vendosur në shpatet përtej lumit të Suhës në rrëpirat e malit të Lunxhërisë. Vënja është një pemë e vetmuar në shpat të malit që sipas xha Stefanit dhe Manthos, bëhet fjalë për një lloj peme hibrid, të ngjashme me bredhin, por me gjethe të buta e pa hala me gjelbërim gjithëvjetor. Vënja e Labovës është një pemë e shenjtëruar për banorët vendas, pasi vendi përreth kësaj peme është përfshirë vazhdimisht nga flakët e zjarreve, por ajo u ka rezistuar zjarreve dhe vegjeton prej shekujsh e mbrojtur nga Shën Gjergji, emrin e të cilit mban kisha e manastirit aty pranë. Mandej, Stefani dhe Mantho thonë se nga lartësitë e shpatit të malit ku gjelbëron pema e shenjtëruar e Vënjës, ku gjendeshin në kohët e vjetra stanet e manastirit, murgjit kishin ndërtuar një sistem tubacionesh prej qeramike që shërbente si qumështsjellës nga stanet në manastir. Vendasit besojnë gjithashtu se kjo pemë që qëndron e vetmuar, prej më shumë se 200 vjetësh as është rritur dhe as është degraduar, në një terren të zhveshur nga bimësia, përreth të cilës ka vetëm disa bajame dhe shegë të egra e të rralla. Pas kësaj çudie të rrëfyer kryesisht nga Stefani, Mantho na rrëfen për një fenomen tjetër të jashtëligjshëm të shkatërrimit të vlerave të trashëgimisë së lashtë kulturore të zonës. Ai thotë se në disa rrënoja dhe varre të vjetra, persona të përfshirë nga ethet e kërkimit të floririt, duke përdorur ndoshta mjete elektronike kërkimi, kanë gërmuar dhe zhvatur rrënoja dhe varre të vjetra. Mantho thotë se midis fshatit dhe manastirit të Shën Gjergjit, janë dy varre të hapura gjatë këtyre javëve të fundit. “Dallohen lehtë gjurmët e freskëta të gërmimit, eshtrat e skeleteve mbi dheun e gërmuar, mandej gjenden aty edhe dorezat që kanë përdorur grabitësit. Nuk e di se çfarë mund të kenë gjetur, por pamja dhe pasojat janë makabre”, përfundon tregimin Mantho Mema. Tregimi i dy vendasve për manastirin e Shën Gjergjit, pemën e çuditshme të vënjës dhe për grabitësit e varreve të vjetra, nxitën grupin që të ndërmerrte një udhëtim drejt kësaj zone. Grupi i “pelegrinëve” prirë nga Mantho, mori një nga rruginat monopat që dilte drejt veriut e që kalonte mes vreshtave të piketuar dhe lidhur bukur në të dhe për 20 minuta u përballën me një kishëz të vogël pranë së cilës grabitësit e panjohur kishin gërmuar dhe zbuluar një varr, të cilin pas bastisjes e kishin lënë të hapur dhe eshtrat e skeletit të shpërndara në sipërfaqe të dherave të gërmuar. Diku më tej dalloheshin dorezat. Fabiani dhe bashkëshortja e tij, Ilda, fotografuan varrin e hapur, eshtrat dhe logot e stampuara në dorezat e përdorura nga “varrmihësit” e vlerave njerëzore dhe kulturore. “Të tilla doreza nuk ka në qarkullim në tregun shqiptar, që do të thotë se këto gërmime mund të kryhen nga trafikantë të huaj të ndihmuar nga “kallauz” vendas”, tha jo pa dhimbje Fabiani.
Në trekëndëshin Antigone – Stegopul – Labovë

Deri në fund të ditës së festës dhe vizitës së përbashkët në ditën e Pashkëve katolike, bashkudhëtarja jonë amerikane nuk kishte folur shumë. Më tepër kishte dëgjuar dhe pyetur, por nga fundi i ditës, ajo u duk sikur shpërtheu me disa opinione dhe dyshime që tërhoqi vëmendjen e grupit. Zonja e nderuar, Katheen Imholz, në profesion është juriste, por në pasionet e saj, ajo është një arkeologe dhe historiane e përkushtuar dhe tepër e informuar dhe kompetente në këtë fushë. Ajo ka vite që studion, gjurmon dhe hulumton çdo të dhënë që lidhet me kulturën pellazge dhe sidomos me Tempullin e Dodonës, që konsiderohet si tempulli më i lashtë i Europës. Sipas shkrimeve të kohëve antike në këtë tempull ndodhej orakulli më i famshëm i antikitetit dhe vetëm pas lulëzimit të tij, shumë më vonë erdhi në histori Tempulli i Delfit. “Orakulli i Dodonës kishte prestigjin më të madh në botën antike, pasi ai ishte ngritur për nder të Zeusit dhe sipas legjendave, llogaritet që në vendin e Dodonës të ketë pasur një tempull qysh 3000 vjet para Krishtit. Sfida e arkeologëve dhe studiuesve shqiptarë dhe të huaj është që të kenë shtytjen dhe besimin për gjetjen e rrënojave të tempullit të tejlashtë, duke i shtuar një gur tjetër diamanti historisë botërore, për të shkuar drejt nxjerrjes në dritë të së vërtetës, pasi ende ka hipoteza dhe dyshime të shumta për vendndodhjen e vërtetë të këtij tempulli”, na thotë zonja Katheen Imholz. Javën e fundit, ajo ka vizituar manastirin dhe kishën e profetit Ilia në Stegopull dhe shumë kohë më parë ka vizituar Parkun Arkeologjik të Antigonesë dhe kishën e Labovës së kryqit dhe asaj i janë përforcuar dyshimet se rrënojat e shumta që hasen në këtë rajon janë ndërtime dhe qytetërime ndërtuar mbi një kulturë më të vjetër pellazgjike. “Kam vizituar Stegopulin dhe kam vërejtur se aty kanë ekzistuar rrënoja të qendrave të banuara, të cilat duke i vendosur në kontekstin e gjurmëve të antikitetit në qytetin e Antigonesë, kalanë e Labovës së Kryqit, Tranoshishtës, Latovishtës dhe manastirin e Spilesë mbi Saraqinishtë, të lënë të kuptosh se këto vendbanime nuk janë ngritur në një hapësirë boshe, por mbi rrënoja të një qytetërimi më të hershëm dhe në këtë kuptim ndoshta në këtë territor duhet kërkuar edhe Tempulli i Dodonës”, nënvizon zonja Katheen Imholz. Sipas saj edhe ndërtimet e mëvonshme sikurse janë edhe monumentet e kultit në këtë rajon kanë një arkitekturë të nivelit të lartë, siç është rasti i kishës së Labovës së Kryqit, manastiri i Shën Ilias, kisha e Shën Kollit në Saraqinishtë, manastiri i Spilesë në malin e Lunxhërisë. Nuk është rastësi ekzistenca në vendin e quajtur “Ara e Shore” e gurëve antikë në formë paralelepipedi të punuar të ngjashëm me ato të mureve rrethuese të Antigonesë. Dyshimet e zonjës Katheen Imholz, kësaj gruaje kurajoze dhe të përkushtuar ndaj arkeologjisë dhe historisë, shtohen dhe bëhen më sfiduese për arkeologët dhe institucionet studimore dhe menaxhuese të trashëgimisë së lashtë shqiptare, kur sikurse shprehet arkeologu gjirokastrit, Vladimir Qirjaqi, në krejt hapësirën e luginës së Drinos janë zbuluar, identifikuar dhe studiuar më shumë se 15 vendbanime antike që i përkasin periudhës para lindjes së Krishtit.

Epilog

Në përfundim edhe të këtij udhëtimi në Labovën e Kryqit në atmosferën e festës së Pashkëve, epilogu është pothuajse i njëjtë: Ndonëse pasuritë e trashëgimisë tonë kulturore të lashtësisë, antikitetit dhe periudhave të tjera të zhvillimit të jetës njerëzore, qytete antike, kështjella, objekte kulti, manastire dhe kishat e pasura me ikonostase, afreske, ikona, antikuarë, orendi e vepra arti dhe artizanati me vlerë të jashtëzakonshme, janë të shumta, edhe pse disa janë grabitur dhe shkatërruar, ato që kanë mundur të shpëtojnë janë të shumta dhe duhet të ruhen të paprekura si thesare të kulturës dhe trashëgimisë. Në këta 25 vjetët e fundit disa nga këto vlerat për shkak të papërgjegjshmërisë së institucioneve të specializuara të shtetit për monumentet ato janë vënë në shënjestër të trafikut të veprave të artit dhe antikuarëve dhe ndonjëherë edhe të abuzimeve pseudoshkencore që rroken të mohojnë apo shtrembërojnë historinë.Mjafton të përmendim goditjen e rëndë që kanë marrë vlerat e antikitetit nga gërmimet e paligjshme dhe vlerat e ikonografisë nga grabitjet e kishave dhe manastireve. Në fillim të këtij rrënimi shënohet grabitja dhe zhdukja e Kryqit nga kisha e Labovës së Kryqit, një objekt i rrallë që ishte ruajtur në shekuj nga banorët e zonës. Shumë nga këto perla të qytetërimit vendas që përbëjnë dhe vlera botërore vazhdojnë të mbeten të harruara dhe në rrënim të përditshëm. Madhështia e vlerave historike, shpirtërore e artistike, zbehen përditë e më shumë si pasojë e harresës apo kujdesit minimal që tregohet për to.









Comments are closed.