Lidhje te rendesishme Rrjetet tona shoqërore Shqip merr pjesë në programe të ndryshme marketingu ku mund të përfitojë komisione për produktet e zgjedhura në artikujt e publikuar.

Koment

BLAIR "PRO BONO", GRUAJA E TIJ ME BONUS

ARBEN MANAJ

Arben ManajHistorikisht kam votuar për Blerin dhe Laburistët dhe, vetëm herën e fundit dhe për herë të fundit, për Konservatorët. Për bindjet e mija politike e kam të pakollajtë të shkruaj për një njeri që e kam pasur idhull politik, falë edhe asaj që e dimë të gjithë; ndihmës dhe detyrimit që kemi si shqiptarë për atë që ka bërë për Kosovën. Por sot po shkruaj për Toni Blerin biznesmen dhe jo atë politikan dhe aq.

Vullnetarizmi i deklamuar i Blerit në angazhimin e tij konsultativ në Shqipëri dhe frytet e tij, ku pjesëtarë të familjes së tij të afërt, si gruaja (edhe pse flitet për divorc të shpejt mes tyre, po t’u besosh tabloidëve britanikë) po përfitojnë tenderë, apo njerëz të afërt politikisht me të, po punësohen apo po shtrijnë aktivitetet e tyre afariste në Shqipëri, nuk ka sesi të mos arrish në konkluzionin se kronizmi blerian i heq gjethen e fikut si këshilltar pro bono, apo thënë ndryshe "pa pagesë".

Personalisht nuk kam besuar që në krye të herës dhe për këtë kam shkruar, se nuk besoj në "vullnetarizmin" e Blerit dhe kam paralajmëruar për atë që po ndodh realisht; pikërisht marrjen e tenderëve shqiptarë nga njerëz të afërm të ish-kryeministrit britanik.

Faktet janë në Tiranë dhe njerëzit dhe kontratat po aty.

Nuk ka asgjë të keqe që këto kompani apo studio ligjore, si në rastin e gruas së tij, Sheri Bler (Cherie Blair) të fitojnë tenderë apo kontrata në Shqipëri.

Por koincidenca është e pashpjegueshme. Madje në rastin e studios ligjore të gruas së ish-kryeministrit britanik, rezulton se qeveria shqiptare siç raportohet edhe nga media të afërta me qeverinë, ka shkelur tenderin që kjo studio ligjore britanike ta fitojë atë, edhe pse nuk paska përmbushur kriterin e pasjes pesë vite aktivitet si studio konsulence ligjore, kur ajo qenka krijuar në 2011.

Nëse kjo rezulton e vërtetë vetëm bën më të besueshëm kritizerët dhe skeptikët që thonë se qeveria i përkul kriteret për të favorizuar të preferuarit.

E sërish nëse kjo qëndron është më e ndershme, jo domosdoshmërisht të pranohet se kjo është e vërteta, të mos trumbetohet më se Bleri punon pa përfitime ose pa interesa të tjera indirekte apo të kamufluara në Shqipëri.

Meqenëse qeveria shqiptare ka parë se në studion e gruas së Blerit ka juristë me përvojë mbi 5-vjeçare, ju siguroj se në Londër e Britani, ka studio që janë me mbi pesë vjet në këtë praktikë ligjore dhe juristë me po aq mjekër sa në studion e zonjës Bler, e cila e fitoi këtë tender.

Mungesa e frikshme e transparencës qeveritare e cila shkon deri në arrogancë, si dhe heshtja skandaloze e opozitës që merret me "gurin e hedhur në lumë" të Tom Doshit, e nuk kërkon llogaridhënie për këta tenderë, të cilët synojnë të zhbëjnë ata tenderë që ka dhënë kur ka qenë në pushtet, është shembull i akullt i pashpresës në atë vend, që ka luksin të bëjë bixhoz dhe rrezikon të humbasë deri në afro 360 milionë dollarë nëpër arbitrazhe ndërkombëtare, si me qenë i pasur sa ndonjë Emirat arab.

Bonuset për Blerin pro bono, mbetet të shpresohet të jenë tarifa normale dhe të merituara për shërbime juridike që do të mund të shmangin kosto jo të vogla financiare nga padi arbitrazhi ndaj Shqipërisë së varfër, për këtë kontratë koncesionare amerikane apo nënkontraktorë shqiptarë, në fushën e doganave dhe kontrollit kufitar, ku sërish për koincidencë një biznes britanik është prezent në doganat shqiptare.

Denonco

Keni informacion në interes të publikut? Dërgojeni në Shqip duke klikuar këtu.

 

Biznes

Ndiqni të gjitha lajmet e fundit
në rrjetet tona shoqërore