Sherr për pronën, përplas kokën në trotuar, vdes një 54-vjeçar

Tiranë

Pranga personit tjetër, akuzohet për vrasje nga pakujdesia

POLICIA-VENDNGJARJE1_1Një sherr i dhunshëm për shkaqe pronësie mes dy personave mbi 50 vjeç, përfundoi keq mbrëmjen e së enjtes, kur njëri prej tyre mbeti i vdekur. Në fakt, policia e ka cilësuar si vdekje aksidentale dhe të paqëllimshme nga ana e autorit, i cili tashmë është vënë në pranga për “vrasje nga pakujdesia”, por që gjithsesi rrezikon deri në pesë vite burg. Ngjarja ka ndodhur në orët e vona të 12 marsit, në rrugën “Princ Vidi” në periferi të Tiranës, kur Niazi Daci, 56 vjeç, banues në Paskuqan, u konfliktua me 54-vjeçarin Xhavit Xhepa, banues në Tiranë. Nga ajo që rrëfyen dëshmitarët për policinë dhe nga vetë dëshmia e autorit të ngjarjes, u mësua se Daci e shtyu me duar Xhepën dhe nuk kishte për qëllim ta vriste. Por, mesa duket, fati i keq e ka ndjekur 54-vjeçarin, i cili përplasi kokën në çimento, gjatë rënies dhe humbi jetën teksa po dërgohej me urgjencë për në Spitalin e Traumës. Nga burimet e policisë mësohet se ka qenë vetë 56-vjeçari Daci ai që kërkoi ndihmën e parë dhe u kujdes që Xhepa të dërgohej sa më shpejt në spital. Ndërkaq, me mbërritjen në vendin e ngjarjes, policia mori dëshminë e banorëve në zonën ku ndodhi ngjarja. Sipas tyre, mes dy personave kishte nisur një sherr, fillimisht me fjalë dhe më pas degjeneroi në fyerje e grushte. Në çastin fatal, sipas dëshmitarëve, Daci e ka shtyrë me duar Xhepën, i cili përplasi kokën në trotuar. Policia e arrestoi 56-vjeçarin me akuzën e vrasjes nga pakujdesia dhe tashmë ai rrezikon nga gjobë deri në pesë vite burg. Në dëshminë e tij, Daci ka thënë se mes tij dhe Xhepës kishte nisur një konflikt pronësie, i cili ishte bërë shkak edhe për sherrin e së enjtes, kur dy personat kishin vendosur ta sqaronin këtë problem mes tyre. Ndërkaq, nuk bëhet e ditur nëse ka qenë një konflikt për pronësinë e ndonjë trualli apo ndërtese dhe çfarë interesash ka pasur mes tyre. Disa burime të pakonfirmuara nga policia thanë se viktima, para disa kohësh, ka qenë zyrtar lokal në një komunë në Tiranë dhe më parë ka pasur procese gjyqësore me disa persona, të cilët pretendonin pronësinë e një trualli. Mirëpo, përderisa Policia e Tiranës nuk ka dhënë ndonjë informacion zyrtar rreth shkakut të sherrit, ende nuk është konfirmuar nëse protagonistët e kësaj ngjarjeje kanë pasur ose jo lidhje me këtë proces gjyqësor. Gjatë shoqërimit për në polici, Daci ka shfaqur pendesë dhe është shprehur se nuk kishte për qëllim ta vriste Xhepën dhe se gjithçka ishte aksidentale.

 



SHKRIME TË TJERA ME INTERES
[related_posts limit=”5″]

©Copyright Gazeta SHQIP




LEXO MË TEJ:

Comments are closed.