Leka dhe Qëndro përfaqësojnë Shqipërinë në Lajpcig

Panairi

Arian Leka dhe Gëzim Qëndro janë dy autorët shqiptarë që do të prezantojnë tendën e letrave shqipe në Panairin e Librit, i cili do të mbahet nga data 12-15 mars në Lajpcig. Leka do të marrë pjesë në debatin me temë “Mbi damarët mesdhetarë dhe venat ballkanike”. Ky aktivitet organizohet nga Traduki dhe Ministria e Kulturës dhe në panel do të flitet për qytetin e Durrësit, si zbulimi i një qyteti shqiptar mesdhetar. Shqipëria ka zënë hapësirë edhe në programin zyrtar të panairit, ku shkruhet: “Shqipëria është ende vendi më misterioz i Europës, jo vetëm për shkak të izolimit të saj të gjatë dhe veçantive gjuhësore. Enver Hoxha dhe një qind mijë bunkerë tashmë përbëjnë një terminologji të fiksuar për shumë njerëz…”. Poeti Arian Leka i ka kushtuar një pjesë të veprës së tij artistike identitetit mesdhetar të Shqipërisë dhe qytetit të tij të lindjes, Durrësit. Panairi i Librit në Lajpcig kthehet në një festë të vërtetë për krijuesit e rinj. Gjatë ditëve të panairit organizohen takime dhe debate që kanë në qendër librin dhe autorët e rinj. Këtë vit, autorët dhe botuesit shqiptarë do të jenë pjesë e familjes së madhe të më shumë se 40 shkrimtarëve nga Juglindja e Europës, nga Sllovenia në Bullgari, nga Rumania deri në Bosnjë e Mal të Zi. Kritiku dhe studiuesi i artit, Gëzim Qendro, do të marrë pjesë në “Natën Ballkanike”, e cila krijon mundësinë e leximeve autoriale, debateve, bisedave e shkëmbimeve mes autorëve dhe shtëpive botuese.









Comments are closed.