Reportazh: Ferrasi i përmbytur në sytë e fëmijëve

Ferrasi - kepucet e ErionitKanë kaluar gati katër javë qëkurse lumi i Gjanicës vendosi të ngrejë krye e të zgjerojë shtratin, duke gllabëruar brenda vetes dhjetëra shtëpi. Tmerri i atyre orëve, kur uji nisi të depërtojë brenda mureve të shtëpive, duke marrë çdo gjë të dashur e të ndërtuar me shumë sakrificë, ende lexohet në sytë e fëmijëve, por edhe të të rriturve. Tërheqja e ujit nxori në sipërfaqe llumin e brendshëm të dhjetëra shtëpive, atë që zor se largohet për pak kohë.

Ne u ndalëm në shkollën nëntëvjeçare “Thoma Sema” në fshatin Ferras të Komunës së Levanit, ku nxënësit në oborr po pastrojnë baltën e mbetur e që nuk do të largohet. Drejtoresha e shkollës, Eva Hema, tregon se kjo ndërtesë e ngritur dekada më parë është përfshirë disa herë nga uji, që ka arritur deri në 1 metër. Gjendja u bë edhe më e vështirë në shkollë kur ujërat e zeza u përzien me ato të bardha, pasi rrjeti është i vjetruar. Për dy javë, shkolla ka qëndruar e mbyllur. Banka, libra, tryeza u mbuluan nga uji. Një pjesë e këtyre objekteve qëndrojnë heshturazi në diell me shpresën se do të kthehen sërish në jetë. Tanimë uji është larguar. Vendin ia ka zënë era e rëndë e lagështirës dhe myku që është shtrirë kudo. 120 fëmijë të këtij fshati mësojnë në këtë shkollë. Gjysma e tyre janë ende të traumatizuar nga përmbytja e shtëpive.

 

Në shtëpinë e Anisës

Anisa ne FerrasAnisa është ende e frikësuar nga përmbytja e shtëpisë së saj, ku humbi gjithçka, rrobat, librat dhe të gjitha gjërat e saj personale. 13-vjeçares i rrjedhin lotët kur nis të na rrëfejë për ditën kur shtëpia e saj u mbulua nga uji: “Kisha frikë për lepujt të cilët i kam rritur që kur ishin fare të vegjël. Nuk doja që ata të ngordhnin. Arrita t’i merrja me vete, te gjyshja. Por, humba shumë gjëra të miat, mes tyre edhe shumë foto”. Vajza ul kokën. Nuk do të qajë më. Është e frikësuar nga lumi përballë shtëpisë, i cili disa herë ia ka pushtuar shtëpinë, rrëmbimthi, duke i marrë gjithçka. Por edhe tani që uji është larguar, qëndrimi në shtëpi është i vështirë. “Kam shumë ftohtë këtu. Jam e mërzitur. Është hera e disatë që na hyn uji në shtëpi. Nuk dua të rri më në shtëpinë e gjyshes, por as këtu”. Shtëpia përbëhet nga tre dhoma të ftohta, ku myku i zi duket ngado. Në çdo dhomë ka objekte të nderura që presin të thahen. Nuk ke ku rri, ku të ulesh… është ftohtë dhe duket se çdo gjë është në pritje të diçkaje…

FerrasiEcim pak metra më tutje, në shtëpinë karshi asaj të Anisës. Jashtë gjejmë këpucët e Erion R., djalit 9-vjeçar i cili e ka të gjallë pamjen e lumit të egërsuar që afrohej me shpejtësi drejt shtëpisë së tij. Ai doli nga dritarja e dhomës, për t’u futur direkt në makinën e gjyshit, ku do të ishte edhe i sigurt. Erioni na thotë se: “Nuk kam lodra por kisha frikë për shtëpinë, dhe për një tavolinë që mami ma ka blerë për të bërë detyrat”. Shtëpia dhe të gjitha pajisjet elektroshtëpiake nuk mundën t’i shpëtonin përmbytjes, por tavolina e tij e vogël mbeti e thatë dhe e paprekur nga lumi. Erioni jeton i vetëm me motrën dhe mamanë. Babai ka kohë që nuk jeton më. “Unë nuk i humba librat ndërsa lodra nuk kam. Luaj me gurë jashtë shtëpisë me shokët, me të cilët zihemi edhe me grushte”. Por lumi është treguar i pamëshirshëm me shumë fëmijë në këtë fshat. Edhe shoqja e tij e klasës Beatris N., është shumë e trishtuar. Ajo ka humbur librat, rrobat, kukullat. Uji i ka marrë çdo gjë dhe nuk është hera e parë. Edhe Beatrisa jeton në shtëpi vetëm me të ëmën dhe dy motrat. Babai i saj është ndarë nga jeta vite më parë.

“Jam e mërzitur. Nuk e di as vetë arsyen. Do të doja të kishim një shtëpi tjetër, ku uji të mos vinte”. Ul sytë e kaltër dhe shton “mërziten edhe kur mamin e dëgjoj duke qarë”.

 

Florenta

Në shtëpinë e Florentës, vajzës 6-vjeçare, na presin dy gjyshërit Thëllëza e Ramiz N.. Pak më herët, mësuesja e saj na tregoi se Florenta është një nxënëse e heshtur dhe pret me mall të takohet me prindërit që i ka larg. Ajo nuk e di se e ëma, e cila jeton në Greqi, vuan nga një sëmundje e rëndë dhe mjekët nuk mund ta shpëtojnë. Ndërsa i ati ka nisur një jetë të re. Të vetmit të cilët mund të kujdesen për të janë gjyshërit, të cilët u duhet të bashkëjetojnë me varfërinë dhe dhimbjen. Sëmundja e vajzës së tyre, e cila i ka ditët e numëruara, i lëndon thellë dhe pamundësia për ta rritur mbesën e tyre në një shtëpi të ngrohtë i bën edhe më të pashpresë. Shtëpia e tyre ka kohë që është përmbytur nga lotët e dhimbjes. Në oborr janë ende gjurmët e baltës që erdhi nga lumi, edhe pse shtëpia është larg tij. Gjyshja e Florentës, Thëllëza, kërkon ndihmë, ndërsa Ramizi qëndron i heshtur me kokën ulur në oborr. Ai, me sa duket, nuk ka më fuqi të përballet e luftojë mbi fatkeqësitë e mëdha që rëndojnë në çatinë prej teneqeje të shtëpisë së tij…

 

“Kozeta” e kohëve moderne

Por në këtë shkollë të vogël fshati, nuk do ta mendonim kurrë se do të takonim Anxhela B., vajzën 9-vjeçare, e cila ishte kthyer prej një viti në një kryefamiljare. Pas vdekjes së nënës, Anxhela u detyrua të ushqente, lante, vishte dhe të dërgonte në shkollë dy motrat e saj më të vogla Fjorelën, 7 vjeçe, dhe Merjaelin 2 vjeçe. Anxhela ka veshur një pardesy ngjyrë rozë dhe flokët i ka të kapura bisht. Vjen në kopsht për të marrë motrën e saj të vogël, të cilën teksa bisedon me ne, e vë në prehër. “Zgjohem çdo ditë në orën 6:00. Ushqej dhe vesh motrat e pastaj nisemi për në shkollë. Pas mësimit ikim për në shtëpi, ku u bëj drekën. Sot do skuq vezë, por gatuaj edhe makarona, fasule, jahni me qepë. Ç’të kem në shtëpi. Pastaj bëj punët dhe në orën katër bëj mësimet. Në orën 7:00 shtrihem me motrat për të fjetur. “Ajo nuk e përmend mamanë. Ajo është rritur tashmë, para kohe dhe nga sytë e saj të lodhur nuk gjejmë asnjë fije gëzimi. Anxhela është e vetme në shtëpi dhe përgjegjëse për dy motrat. Babai i vajzave është i papunë dhe merret me blegtori. Është bari. Prania e tij është fare e pakët në këtë shtëpi kaq të madhe për shpatullat e brishta të Anxhelës. Edhe shtëpia e tyre u mbush me ujë. Anxhelës iu desh të pastrojë llumin e të lajë rrobat. Ajo nuk ankohet. Nuk qan. Thjesht përpiqet me çdo lëvizje të mbrojë dy motrat e saj më të vogla e të tregojë se jeta e saj është normale. Gjyshërit i sjellin ndonjë ushqim, ndërsa tezet u blejnë teshat që u nevojiten, por në shtëpi nuk është askush që të kujdeset për to.

Këto javë të ftohta dimri, shtëpitë e mbi tre mijë fëmijëve u përmbytën. Tmerri se nuk janë të sigurt as brenda mureve të shtëpive të tyre lexohet ende në sytë e shumë prej tyre. Por veç frikës, një pjesë e madhe po përballen me mungesa në ushqime. rroba dhe me shtëpi të ftohta e të lagështa.

Klodiana Kapo

Shkurt 2015

 

[callout]UNICEF

“Fëmijët duhen ndihmuar të parët në emergjenca”

Agjencia lider për të drejtat e fëmijëve UNICEF, është e angazhuar të mbrojë të drejtat e fëmijëve, sidomos në situata emergjence ku ato janë më të ekspozuar ndaj rreziqeve. Antonella Scolamiero, përfaqësuesja e UNICEF në Shqipëri, thotë se “Nevojat për rehabilitim psiko–social të fëmijëve të frikësuar dhe të traumatizuar nga përmbytjet, duhen adresuar sa më shpejt. Ne në UNICEF besojmë se veçanërisht në situata emergjente, gjendja e fëmijëve duhet monitoruar me kujdes dhe mirëqenia e tyre, duhet të jetë në qendër të parapërgatitjeve për çdo emergjencë”.[/callout]









Comments are closed.