Ish-zyrtarët e ALUIZNI-t në gjyq, legalizuan objekt në rrezik përmbytjeje

Fier

Prokuroria kërkoi “arrest me burg” në fshehtësi ndaj të akuzuarve, në Apel edhe mbrojtësit

ALUIZNIProkuroria e Fierit ka përfunduar hetimet dhe dërgoi për gjykim pesë ish-zyrtarë të ALUIZNI-t të këtij rrethi, mes tyre edhe ish-drejtorin rajonal, pasi akuzohen për ndërtimin e një objekti në kundërshtim me ligjin. Sipas njoftimit të Prokurorisë së Përgjithshme, pesë të pandehurit janë; Arjan Hasani, ish-drejtor rajonal i ALUIZNI-t, Fier, Anesti Dhima, Ridvan Beqiraj, Luiza Balla, e Marjana Zisi, të gjithë ish-përgjegjës pranë këtij institucioni. Sipas prokurorisë, ata akuzohen se kanë legalizuar një objekt në një zonë që ka rrezik të vazhdueshëm përmbytjeje, gjë e cila është e ndaluar nga ligji për legalizimet. Mësohet se hetimi për këtë rast ka nisur pas një konflikti ligjor ndërmjet dy familjeve që pretendonin pronësinë e të njëjtës sipërfaqe toke. Në përfundim të hetimit, prokuroria ka konkluduar në faktin se asnjë prej dy familjeve “rivale” nuk ka të drejtë për pronësinë mbi objektin, pasi legalizimi i tij është bërë në kundërshtim me ligjin. Ndërkohë, ky konflikt ka nxjerrë në pah edhe përgjegjësinë ligjore të pesë ish-zyrtarëve. Ndërkohë, prokuroria ka sqaruar të gjithë zanafillën e shkeljes ligjore, duke bërë të ditur se më datë 24 mars 2005, qytetarja me inicialet M. P., ka aplikuar pranë Drejtorisë Rajonale të ALUIZNI-t Fier, për të legalizuar një godinë shërbimi 1-katëshe, e cila ndodhet në lagjen “11 Janari” të këtij qyteti. Sipas përmbajtjes së aktit të kualifikimit, i cili është nënshkruar nga të pandehurit Marjan Zisi, Anesti Dhimo, Ritvan Beqiraj, Luiza Balla dhe drejtorit Arjan Hasani ka rezultuar se sipërfaqja e objektit dhe ajo ndërtimore, ndodhen brenda vijës së verdhë, në tokë shtetërore e private dhe nuk shkel vijën e verdhë të ndërtimit për rrugët e kategorisë së parë, të dytë dhe të tretë. Gjithashtu, aty është evidentuar edhe fakti se objekti është ndërtuar në zonë me rrezik përmbytjeje. Pasi aplikuesja ka bërë pagesën më datë 12 maj 2011 për taksën e infrastrukturës, është lidhur kontrata për kalimin e pronësisë mbi parcelën ndërtimore. Më tej, nga sektori i legalizimit është mbajtur procesverbali i vlerësimit të dosjes së legalizimit ku edhe këtu është konstatuar fakti, se objekti është i ndërtuar në zonë rrezik përmbytjeje. Më datë 1 qershor 2011, aplikuesja ka nënshkruar një deklaratë noteriale, sipas të cilës, ajo deklaronte se në rast përmbytje të objektit, të gjitha shpenzimet në lidhje me dëmet që mund të shkaktoheshin do të mbuloheshin prej saj dhe se nuk do t’u drejtohej institucioneve të administratës vendore e shtetërore për ndihmë. Kjo deklaratë është vendosur në dosjen e legalizimit, por pavarësisht kësaj, sipas prokurorisë, kualifikimi i objektit është kryer në kundërshtim me ligjin, pasi në zonën në fjalë nuk duhej të lejohej ndërtimi i objekteve të shërbimit. Ndaj pesë ish-zyrtarëve të akuzuar, Prokuroria e Fierit i kërkoi pak muaj më parë Gjykatës së Fierit caktimin e masës së sigurisë personale “arrest në burg” pa afat. Prokuroria kërkoi që masa e sigurisë të caktohej pa dijeninë e të pandehurve, gjë e cila u respektua nga Gjykata e Fierit, por që vendosi një masë më të lehtë nga ajo e kërkuara, atë të “detyrim-paraqitjes”. Në këto kushte, Prokuroria e Fierit e apeloi vendimin e dhënë nga shkalla e parë, duke kërkuar në Gjykatën e Apelit Vlorë, ndryshimin e masës së dhënë nga Gjykata e Fierit dhe lënien në burg të të pandehurve. Por, në zhvillimin e seancës në Gjykatën e Apelit Vlorë, pavarësisht se prokuroria kërkonte caktimin e masës së sigurisë ndaj të pandehurve në fshehtësi, mbrojtësit e tyre ligjorë ishin të pranishëm, pasi ishin njoftuar për pjesëmarrje. Nga burime të gazetës mësohet se njoftimi i të pandehurve për të marrë pjesë në masën e sigurisë në Gjykatën e Apelit Vlorë, që duhej të zhvillohej në fshehtësi, ka dekonspiruar hetimet e prokurorisë.

E.Hoxhaj

 



SHKRIME TË TJERA ME INTERES
[related_posts limit=”5″]

©Copyright Gazeta SHQIP




LEXO MË TEJ:

Comments are closed.