Trojet në zonat turistike, afat i ri për shitjen

Lame: Pronarët e apartamenteve dhe vilave në bregdet mund të privatizojnë tokën

Procedura

Pronarët – ALUIZNI kalon pronësinë e truallit në favor të subjektit nëse prona nuk i është kthyer si kompensim fizik pronarit

Kompensimi – Ish-pronarët që preken nga privatizimi i këtyre trojeve do të kompensohen në vlerë sipas procedurave të ALUIZNI-t



Çmimi – Çmimi i truallit brenda zonës së stimuluar përcaktohet në bazë të hartës së vlerës së tokës, të miratuar nga qeveria

Penaliteti – Mospagimi i çmimit, brenda gjashtë muajve nga njoftimi me shkrim, sjell penalitetin 10% të çmimit të truallit për çdo muaj vonesë

Zamir Alushi

Artan LameTrojet shtetërore në zonat turistike mund të privatizohen nga pronarët e apartamenteve dhe vilave të ndërtuara në dy dekadat e fundit. “Sot po dalim përpara publikut për të lajmëruar hapjen e afatit të ri për paraqitjen nga ana e qytetarëve të kërkesave për blerjen e truallit, që do të mundësonte më pas edhe regjistrimin pranë ZRPP të pronës së tyre si të ligjshme”, tha dje, drejtori i ALUIZNI-t, Artan Lame, në konferencën për shtyp. Pas kësaj mundësie të re, të gjithë qytetarët që kanë blerë në bregdet apartamente prej kompanive ndërtuese, të cilët nuk kanë pronësi mbi truallin, brenda 60 ditësh mund të dorëzojnë pranë zyrave të ALUIZNI-t kërkesën për t’u bërë pronarë të truallit. “Pikërisht për t’i hapur rrugë zgjidhjes së problemit të kësaj mase qytetarësh, po rihapim edhe procesin e deklarimeve të tyre. Deklarimi do të jetë i mundur në një afat prej 60 ditësh, prej ditës së hënë dt. 23 shkurt deri më 24 prill 2015”, tha Lame. Duke dhënë disa statistika për gjendjen e kësaj mase qytetarësh, Lame deklaroi se, “nga evidentimi faktik, rezulton që deri tani të kenë aplikuar 91 subjekte me rreth 1200 apartamente që përfshihen në këtë kategori”. Por, nga ana tjetër, sipas drejtorit Lame, janë edhe disa qindra subjekte, me rreth katër deri në pesë mijë apartamente të ndërtuara dhe të shitura qytetarëve, të cilët nuk mund t’i regjistrojnë këto prona, sepse nuk kanë mundur t’i deklarojnë sipas ligjit të vitit 2009”. Këto apartamente gjenden të ndërtuara kryesish në zonat e Velipojës, të gjirit të Lalëzit, dhe pjesa masive në plazhet e Golemit dhe të Malit të Robit”, saktësoi Lame. Sipas verifikimeve, vazhdoi Lame, rezulton se një pjesë e madhe e subjekteve ndërtues dhe qytetarëve të interesuar, nuk kanë mundur të bëjnë vetëdeklarimet brenda afateve të përcaktuara dhe si rrjedhim nuk mund të procedojnë më tej për fitimin e pronësisë së truallit. “Vjet ne miratuam në Kuvend ndryshimet përkatëse në këtë ligj dhe pastaj dalëngadalë dhe aktet nënligjore që e bënin atë operativ”, deklaroi Lame për shtesat e bëra në ligjin “Për rregullimin e pronësisë mbi truallin shtetëror në zonat me përparësi turizmin”. “Një nga dështimet më të dukshme të politikave ekonomike në këtë vend në gjithë këtë çerekshekull, është edhe dështimi jetëgjatë i zhvillimit të zonave të stimuluara turistike në bregdetin shqiptar”, tha Lame. Ligji i miratuar për këtë gjë në vitin 1993, sipas Lames, në vend që të krijonte struktura turistike pritëse të organizuara, degradoi vit pas viti thjesht në ndërtimin e apartamenteve që u shiteshin më pas qytetarëve të veçantë. “Ky proces krijoi një situatë absurde ku, nga njëra anë shteti njihte vetëm pak qindra subjekte, të cilëve u kishte dhënë të drejtën të ndërtonin fshatra dhe struktura turistike, që nuk funksionuan asnjëherë dhe, nga ana tjetër, ishin mijëra e mijëra qytetarë që i kishin blerë këto apartamente, por pa pasur asnjë të drejtë ligjore mbi to”, deklaroi Lame. Në vitin 2009, shpjegoi Lame, qeveria e atëhershme ndërmori një nismë ligjore për zgjidhjen e këtij ngërçi shumëvjeçar, nismë si çdo gjë që bënte ajo qeveri, që edhe gjërat e mira i bënte keq. “Nisma ligjore e vitit 2009, kishte për qëllim që të krijonte mundësinë që, përmes shitjes së truallit subjekteve ndërtuese, t’u jepte mundësi qytetarëve që kishin blerë apartamente në bregdet, të ligjëronin pronën e tyre. Për fat të keq, nga ligji i vitit 2009 ia dolën të përfitonin vetëm fare pak subjekte, ato të lidhura direkt me pushtetin, që përmes atij ligji mundën t’i blinin këto troje”, deklaroi Lame. “Nëse ju kujtohet Saliu kur mallkonte ‘vaskat e florinjta’ të vilave të bregdetit, në fakt ju krijoi mundësi që me ligjin e vitit 2010 të blinin truallin dhe të legalizoheshin shpejt e shpejt vetëm vaskat e florinjta, ndërsa mijëra qytetarë të tjerë me vaskat prej llamarine dhe ata pa vaskë fare, nuk patën mundësi të rregullonin gjendjen juridike të apartamenteve të tyre”, akuzoi Lame ish-kryeministrin. Sipas Lames, nga dita e sotme, ALUIZNI do të bëjë publike detajet e procedurës së aplikimit dhe dokumentacionin e nevojshëm.

Dokumentet

  1. Marrëveshje e qirasë apo e zhvillimit, e lidhur ndërmjet personit të stimuluar dhe qiradhënësit;
  2. Leje e ndërtimit ose lejen e sheshit të ndërtimit;
  3. Projekti arkitektonik i miratuar;
  4. Vërtetim nga Agjencia Kombëtare e Turizmit për detyrimet e marrëveshjes së qirasë, të llogaritura deri në momentin e zgjidhjes së marrëveshjeve;
  5. Vendimi i organeve kompetente për dhënien e titullit person i stimuluar.
©Copyright Gazeta SHQIP




LEXO MË TEJ:

Comments are closed.