“Lirohen” në arrati zyrtarët e ALUIZNI-t!

Gjykata e Apelit u zëvendëson masat e ish-drejtuesve që legalizuan dhjetëra ndërtime në Tiranë

[callout]

Të dhëna

Kolegji Penal – Kolegji Penal i Gjykatës së Apelit të Tiranës, që vendosi për ndryshimet e masave të sigurisë, kryesohej nga Aludin Mala dhe me anëtarë Agim Bendon dhe Zamir Podën



Arratia – Kreshnik Bozho, ish-drejtuesi i ALUIZNI-t në Tiranë, u arratis nga Shqipëria disa ditë para se Gjykata e Tiranës të vendoste masën e arrestit burg pa afat

Ndërtimet – Ditën që u dhanë masat në Shkallën e Parë, Florian Hajdini, drejtues i “Tirana 3”, iu fsheh policisë. Ai u shpall në kërkim, por që prej dy ditësh, ai tashmë është sërish i lirë[/callout]

Sokol Çobo

apeli_1Dy ish-drejtues të lartë të ALUIZNI-t në Tiranë, që ishin shpallur në kërkim policor që nga 20 janari, janë “liruar” nga Gjykata e Apelit të Tiranës. Një kolegj penal i kryesuar nga kreu i kësaj gjykate, Alaudin Malaj, dhe me anëtarë Agim Bendon dhe Zamir Podën, ka vendosur para dy ditësh se Kreshnik Bozho, ish-drejtues i ALUIZNI-t të Tiranës, dhe Florian Hajdini, të hetohen të lirë, megjithëse ata ishin shpallur në kërkim. Prokuroria është befasuar nga ky vendim i paprecedentë, pasi dy të pandehurit kishin abuzuar hapur me detyrën dhe duke qenë se ata iu shmangën arrestimit, mund të vendosej ndaj tyre të paktën arresti me burg në mungesë. Por, e kundërta ka ndodhur, ku ish-drejtuesit që kanë legalizuar dhjetëra ndërtime, madje edhe në mes të Tiranës, tashmë do të hetohen të lirë, pa asnjë masë shtrënguese.

Akuza thotë se ende nuk ka marrë vendimin e zbardhur, ndërsa në këtë fazë, dërgimi i rekursit në Gjykatën e Lartë do të ishte i kotë, pasi kjo çështje mund të presë disa muaj dhe se dosja do të jetë dërguar për gjykim. Në lidhje me provat, grupi hetimor saktëson se ka analizuar qindra vendime të këtyre drejtuesve dhe se ka gjetur një mori shkeljesh, ndërsa me këto prova ka kërkuar edhe arrestimin. Shkalla e Parë pranoi kërkesat e prokurorisë, për të gjithë të pandehurit, ndërsa çuditërisht Apeli ka ndryshuar masat e sigurisë për dy drejtuesit, duke mbajtur në qeli vartësit e tyre.

Madje, këta dy ish-drejtues iu janë shmangur edhe drejtësisë. Më konkretisht, katër ditë para se të jepej masa e sigurisë, Kreshnik Bozho është larguar jashtë vendit. Ndërkohë, ditën e zhvillimit të masës së sigurisë, Florjan Hajdini nuk është gjetur në banesë dhe gjatë dy javëve të fundit, është “arratisur”.

Prokuroria thotë se hetimi ka nisur pas një kallëzimi të KLSH-së, për disa ish-zyrtarë të ALUIZNI-t, për të cilët janë krijuar dyshime të arsyeshme se kanë dhënë leje legalizimi në kundërshtim me ligjin, ku vetëm në 16 raste është konstatuar një dëm për shtetin në total në vlerën e mbi 20 milionë lekëve të reja. Madje, Ministria e Zhvillimit Urban ka kallëzuar sërish ALUIZNI-n për këta zyrtarë, që legalizuan, në kundërshtim me ligjin, disa objekte tregtare (lokale) në Korpusin e Universitetit të Tiranës dhe në sheshin rreth tij.

Në lidhje me 16 rastet, akuza thotë se tre objekte janë legalizuar me faturë financiare me vlera shumë më të vogla se sa parashikon ligji dhe aktet nënligjore. Në një rast, është legalizuar një objekt 4-katësh, i cili në momentin e aplikimit nga poseduesi i saj ka qenë një kat. Ndërsa, deri në shqyrtimin e dosjes nga ALUIZNI, objekti ka vijuar ndërtimin në 4 kate dhe ALUIZNI, në kundërshtim me ligjin, i ka dhënë lejen e legalizimit. Madje, është legalizuar, në kundërshtim me ligjin, e njëjta parcelë, me sipërfaqe rreth 800 metra katrorë në dy emra të ndryshëm, të cilët rezultojnë të jenë bashkëshortë, ndërkohë që aplikimi duhet të bëhej për një parcelë.

Në lidhje me legalizimin e objekteve te sheshi “Nënë Tereza”, akuza thotë se janë 7 objekte tregtare, të cilat përfshihen në zonën brenda aksit kryesor dhe qendrës historike të qytetit të Tiranës, të shpallur monument kulture. Përfshihet zona përgjatë rrugës që përfshin stadiumin “Qemal Stafa”, duke përfshirë 100 metra në thellësi në jug të rrugës përpara Universitetit Politeknik, përpara Gardës së Republikës. Nga hetimi konstatohet se, nga legalizimi në kundërshtim me ligjin i këtyre objekteve, i ka ardhur një dëm i konsiderueshëm interesave të ligjshme të shtetit, i cili në vitin 2014, për interesa publike, ka dëmshpërblyer personat dhe subjektet që kanë legalizuar objektet e tyre në këtë zonë.

©Copyright Gazeta SHQIP




LEXO MË TEJ:

Comments are closed.