Zgjedhjet në Greqi dhe shqetësimet e europianëve 

cipras papulias_1Rezultati i zgjedhjeve në Greqi ka ringjallur shqetësimet se blloku europian i monedhës së përbashkët mund të zhytet në kaos. Ministrat e Financave të Bashkimit Europian u mblodhën dje për të diskutuar se sa mund të ndikohet euroja nga zhvillimet e fundit politike në Greqi.

Ndikimi mbi euron ishte i menjëhershëm: monedha e përbashkët rrëshqiti në nivelin më të ulët në dekadën e fundit mëngjesin e djeshëm në tregjet aziatike, ndërsa tregu grek i aksioneve pësoi rënie me 5%.
Kreu i eurogrupit, Jeroen Dijsselbloem, tha se qeveria greke duhet t’u përmbahet marrëveshjeve të shpëtimit financiar dhe se brenda eurozonës ka pak mbështetje për falje të borxheve. Dijsselbloem u citua të deklaronte me këtë rast se: “Pres që ata (grekët) të punojnë me ne për të forcuar ekonominë greke, gjë që ka rëndësi të dorës së parë. E kuptojmë se duhet bërë shumë punë dhe jemi të gatshëm t’i mbështesim. Natyrisht, anëtarësia në eurozonë nënkupton gjithashtu që secili vend t’u përmbahet atyre gjërave, për të cilat kemi rënë dakord me njëri-tjetrin”. Triumfi i një partie të re si Syriza, e patestuar ndonjëherë më parë në pushtet, dëshmoi qartë se pesë vite zbatimi të bindur të rregullave fiskale në Europë, e kthyen politikën kokëposhtë, thotë ‘The Guardian’, dhe padyshim se ky vendim ndëshkues popullor është një sinjal për të gjithë elitën politike të Bashkimit Europian, përmbyll ajo në shenjë paralajmërimi për establishmentet politike aktuale në kontinent. Kreu i ri i kabinetit grek, Cipras, ka deklaruar se do të rinegociojë kreditë e shpëtimit financiar të Greqisë, e cila ka arritur në rreth 300 miliardë dollarë dhe se është miratuar vitet e fundit nga Bashkimi Europian, Banka Qendrore Europiane dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar. Ai është zotuar gjithashtu të refuzojë kërkesat e kreditorëve, që përfshijnë shkurtime të pensioneve dhe të pagave. Ndërkaq, Kryeministri britanik, David Cameron, ka paralajmëruar se zgjedhjet e Greqisë mund të shtojnë pasigurinë ekonomike kudo në Europë. Nga ana tjetër, edhe administrata Obama, pa përmendur çështjet ekonomike, e ka uruar dje Greqinë për mbajtjen me sukses të zgjedhjeve, duke u shprehur se presin të punojnë nga afër me qeverinë e re greke.





Comments are closed.