Aleksis Cipras betohet si Kryeministër i ri i Greqisë

Ai do të kryesojë një koalicion plot sfida e risi bashkë me radikalët e djathtë 

Aleksander CiprasPas shpalljes zyrtare të rezultateve të zgjedhjeve të së dielës në Greqi, lideri i grupimit të majtë radikal, Syriza, Aleksis Cipras, ka bërë dje betimin para Presidentit Karolios Papulias, si Kryeministri më i ri i vendit, pas formimit të një aleance me një parti të vogël të krahut të djathtë. Cipras, partia e të cilit fitoi shumicën në zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Republikën Helenike, duke marrë më shumë se 36 për qind të votave të përgjithshme, ka deklaruar se do t’u japë fund politikave disavjeçare të shtrëngimit ekonomik. “Greqia ishte zgjedhur si kavje për politikat e shtrëngimit ekonomik. U provua se kjo ishte një politikë e dështuar dhe katastrofike”, u shpreh Cipras menjëherë pas lajmit të fitores dje në Athinë, duke vijuar me fjalët: “Ne mundëm Greqinë e oligarkëve”. Ndërsa kryeministri Samaras tha, ndër të tjera, se po dorëzon një Greqi anëtare të BE-së dhe se shpresonte që të gjitha arritjet e siguruara, të ruhen nga qeveria e re. Ndryshe nga tradita, kur kryeministrat betoheshin në prani të përfaqësuesve më të lartë të Klerit Ortodoks Grek, dje betimi i Kryeministrit të ri u zhvillua me një ceremoni laike, duke u mjaftuar tashmë vetëm me një dorë të vënë mbi Kushtetutë, çka u pa si një risi absolute në traditën zgjedhore greke dhe jo vetëm. Fitorja e së dielës e bën Cipras edhe të parin Kryeministër grek në 150 vitet e fundit që e ushtron këtë detyrë në moshën më të re të regjistruar në historinë e shtetit helen.
epaselect GREECE PARLIAMENTARY ELECTIONSKoalicion qeveritar me të djathtë “të vegjël” 

Gjithçka ka ardhur pasi formacioni politik Syriza, dhe udhëheqësi i saj 40-vjeçar, Cipras, lanë prapa në vend të dytë konservatorët e Demokracisë së Re të kryeministrit Antonis Samaras. Syriza ka arritur të fitojë 149 mandate, duke mos e arritur dot shumicën absolute që do ia mundësonte krijimin e një kabineti qeveritar njëpartiak, vetëm për dy mandate. Ndërkaq, kabineti i ri qeveritar, pritet të jetë i reduktuar me vetëm 10 ministri. Grekët e Pavarur, formacioni i cili mori vetëm 4.7 për qind të votave të përgjithshme, duke zënë kështu 13 vende në Parlamentin 300 vendesh grek, është një parti e djathtë që ende kërkon identitetin e saj politik mes qendrës dhe ekstremit të këtij spektri, dhe flitet se do të marrë çelësat e Ministrisë së Mbrojtjes, për të përforcuar dhe pozicionimet e tyre të rrepta në çështjet kombëtare, si marrëdhëniet me Turqinë, Shkupin, çështjen qipriote apo politikën e emigracionit, ku mund të preken edhe emigrantët shqiptarë. Vlen të shënohet se kreu i këtij formacioni, i njohur ndryshe edhe si ANEL, Panos Kamenos, e kishte shprehur që në fillim të fushatës zgjedhore vullnetin e tij politik për koalicion me Syriza, duke evidentuar edhe “pikat e nxehta”, ku kjo forcë mban një qëndrim të palëkundur, siç janë edhe temat e sipërpërmendura.

 

Politika e jashtme mund të pësojë ndryshime 

Me interes pritet edhe Ministria e Drejtësisë, që mbulon burgjet greke, duke mbajtur parasysh se Syriza e ka kritikuar shpesh sistemin penitenciar helen dhe ka kërkuar përmirësimin e tij. Për postin e kreut të Ministrisë së Jashtme përflitet emri i një profesori të shquar të politikave ndërkombëtare dhe të marrëdhënieve ndërshtetërore në Universitetin e Pireut, Nikos Kocias. Analistët shprehen se ky zhvillim mund të jetë interesant, pasi politika e jashtme e Greqisë, tradicionalisht nuk ka njohur ndryshime, por ardhja e një partie të këtij spektri, mund të sjellë ndryshime jo vetëm për diplomacinë greke në përgjithësi, por edhe për marrëdhëniet në lidhje me Shqipërinë.
Risi, Ministria e Emigracionit

Sipas informacioneve të fundit nga mediat vendase, Nikos Papas, pritet të jetë ministër i Shtetit, me kompetenca edhe të zëdhënësit të qeverisë. Ndërsa ish-zëdhënësi i shtypit të Syriza-s, thuhet të jetë në postin e ministrit të Brendshëm. Si bartës i një pozite kyçe në kabinetin e ri qeveritar, në postin e zëvendëskryeministrit, shihet një prej emrave më të fuqishëm të fushës së financave, Janis Dragasakis, i cili pritet të udhëheqë edhe negociatat “e vështira” me huadhënësit ndërkombëtarë. Janis Varufakis Dragasakis apo Janis Milios, dy prej specialistëve më të mirë në këtë fushë, pritet të marrin postet e ministrave të Financave dhe të Zhvillimit Ekonomik. Në deklaratat e para të Cipras, ka theksuar se Greqia do të kërkojë për herë të parë negociata esenciale me partnerët, me propozim të qartë e argumente të plota, me një plan 4-vjeçar rezultativ. Ai është shprehur i sigurt se diskutimet do të rezultojnë në zgjidhje të drejtë e favorizuese për të dyja palët. Me këtë objektiv, maksimumi deri sot pasdite, pritet të betohen edhe ministrat e kabinetit të ri qeveritar. Ndërkaq, po sipas informacioneve e spekulimeve të mediave vendase dje në Greqi, thuhet se në krye të Ministrisë së Arsimit pritet të vendoset Aristidhis Baltas. Një risi e qeverisë pritet të jetë Ministria e Emigracionit me në krye Tasia Hristodhulopulu, avokate dhe sindikaliste prej vitesh.

 

Rezultatet zgjedhore të 25 janarit 2015

  • Lidhja e Radikalëve të Majtë, Syriza 36 %
  • Demokracia e Re, ND, 27.8%
  • Agimi i Artë, CA, 6.3%
  • Lëvizja “Lumi”, POTAMI, 6.0 %
  • Partia Komuniste, KKE, 5.5%
  • Grekët e Pavarur, ANEL, 4.8 %
  • Partia Socialiste, PASOK, 4.7%
  • Lëvizja e Demokratëve Socialistë, KIDISO, 2.5 %

 

Kush është Aleksis Cipras? 

Kryeministri i ri i Greqisë, Aleksis Cipras, për shumë analistë vlerësohet si një mjeshtër i real-politikës. I mbarsur me një karizëm për t’u admiruar, ai shihet si një njeri shumë miqësor, i thjeshtë e i drejtpërdrejtë, çka e ka treguar vazhdimisht nëpër takimet politike e elektorale që ka zhvilluar. Por si ka ardhur lideri i Syriza-s deri këtu dhe çfarë të reje sjell në politikë? Këtë e dëshmon më së miri vetë biografia e tij. Në vitin historik 1989, zëdhënësi i nxënësve, Cipras, anëtarësohet në organizatën e rinisë së Partisë Komuniste Greke, KKE, një parti që ende ka në logon e vet draprin dhe çekanin. Pak vite më vonë, ai e sheh veten si pjesë e “Koalicionit të Majtë dhe Përparimit” – një formacion politik që i parapriu Syriza-s. Por kulmi politik apo dita me fat e Aleksis Cipras do të vinte vetëm në zgjedhjet lokale të vitit 2006. Ish-kreu i koalicionit të majtë, Alekos Alavanos, e pati hapur partinë asokohe edhe për lëvizje e grupime të tjera jashtëparlamentare. Duke shënjuar nevojën për një fytyrë të re, të pakonsumuar, shpejt 32-vjeçari u pa si kandidati më i përshtatshëm për postin e kryetarit të bashkisë së kryeqytetit dhe arrin kësisoj një sukses jo të vogël e madje sensacional, ndërsa 10,5% e athinasve e votojnë, duke e renditur Partinë e Majtë tri herë më lart se në zgjedhjet parlamentare të vitit 2004. Në kongresin e Partisë Syriza në vitin 2008, ish-kryetari Alvanos tërhiqet për arsye shëndetësore, duke i dhënë kësisoj një ndihmë direkte Cipras të ngjitet në krye të partisë – përkundër rezistencës së fortë të politikanëve me emër. Zhvillimet e mëpasme treguan se përplasjet e brendshme partiake në lidhje me pikëpamjet e ndryshme për qëndrimin e Greqisë në eurozonë e jo vetëm, e forcuan edhe më shumë lidershipin e Cipras, duke e bërë të marrë distancë edhe nga maoistët, komunistët e vijës së ashpër e trockistët. Në aspektin njerëzor, Cipras di të jetë miqësor. Ai jeton fare thjeshtë në qendër të Athinës, me dy djemtë dhe dashurinë e kohës së rinisë, përzihet me popullin dhe i pëlqen të ngasë motoçikletën. I sjellshëm dhe i drejtpërdrejtë. Po kur duhet të krijojë mazhoranca të reja, situata ndryshon, sikurse po bën me gatishmërinë për të bërë koalicion edhe me Partinë populiste djathtiste, Grekët e Pavarur, pasi konstatoi se nuk kishte më asnjë mundësi të gjente një partner tjetër koalicioni që t’i shkonte pas “tekave” të tij.

 

Dinastitë politike ose rënia e mitit të dyerve të mëdha 

Përveç risive të shumta që sollën këto zgjedhje, ra në sy edhe njëra syresh: për herë të parë pas vitit 1923, Parlamenti grek nuk do të ketë më një pinjoll të familjes Papandreu. Ka qenë traditë në politikën greke, që familjet e liderëve madhorë, të kryeministrave, presidentëve dhe ministrave e deputetëve, të pasoheshin nga pinjollët e tyre. Jorgos Papandreu është pikërisht njëri prej shembujve më të qartë të këtyre dinastive politike që tashmë po veniten. Partia e tij e re Lëvizja e Demokratëve Socialistë, ka arritur të marrë vetëm 2.6 për qind të votave në zgjedhjet parlamentare, duke mos mundur të kalojë pragun e nevojshëm elektoral për të hyrë në Parlament.
Papandreu, djali i ish-kryeministrit grek dhe themeluesit të PASOK-ut, Andreas Papandreu, dhe nip i ish-kryeministrit Jorgos Papandreu, pati udhëhequr socialistët grekë nga viti 2004 deri në 2012 dhe qeverinë greke pas zgjedhjeve të 2009-s, por kriza ekonomike dhe futja e Greqisë në memorandumin e ndihmave të huadhënësve, sollën edhe rënien e tij politike. Në fillim ai u mënjanua nga lideri aktual i PASOK-ut, Evangjelos Venizellos, dhe më pas, 23 ditë para zgjedhjeve të 25 janarit, krijoi partinë e tij të re. I kritikuar së fundmi edhe nga Venizellos për përçarje të socialistëve grekë, ai u pa si sabotator i objektivave të tyre për të qenë kësisoj të paktën forca e tretë politike në vend, pavarësisht rënies së përqindjes së tyre në elektorat dhe pagimit të kostove të masave antikrizë. Gjithsesi, në politikën aktive greke, mbeten ende emrat e disa politikanëve që vijnë nga dyert e mëdha politike, si Dora Bakojanis dhe Kiriakos Micotaqis, që janë fëmijët e ish-kryeministrit Kostandin Micotaqis. Po ashtu, edhe ish-kryeministri grek, Kostas Karamanlis, i cili është nipi i presidentit të famshëm të Greqisë dhe themeluesit të Demokracisë së Re, Konstandin Karamanlis. I mënjanuar vitet e fundit nga partia e tij vlerësohet se ai ose mund të pretendojë lidershipin e konservatorëve bashkë me Bakojanis pas disfatës së Antonis Samaras, ose siç përflitet, mund të jetë edhe njëri nga emrat e kandidatëve për president të propozuar nga Radikalët e Majtë të Syriza-s. Nëse asgjë nga këto nuk do të ndodhë, atëherë vërtet se këto zhvillime do të shënonin edhe fundin e dinastive politike greke që patën arritur deri në përmasat e mitit.

 

Festa e mbështetësve të Syriza-s mbush rrugët e Athinës 

Megjithëse akoma nuk ishin bërë të ditura rezultatet përfundimtare zyrtare, kanë mjaftuar rezultatet e Exit Poll-eve që nxirrnin fitues Partinë e së majtës radikale Syriza, që rrugët e Athinës të ndizeshin nga festimet. Qindra grekë u mblodhën në zyrat e kësaj partie në rrugët e Athinës, duke festuar me flamuj në dorë fitoren e partisë së tyre.





Comments are closed.