Vendoret, beteja për të ndalur mandatin e katërt të PD-së në Peshkopi

Qarku i Dibrës

Emrat potencialë që përfliten sipas partive në katër bashkitë e Qarkut Dibër

Hysen Likdisha

Herion Mesi

Zgjedhjet qe po afrojneDegët e partive kryesore në Qarkun e Dibrës, kanë nisur të mendojnë për kandidatët garues në fushatën e zgjedhjeve vendore të 21 qershorit. Edhe pse jo zyrtarisht, në korridoret e këtyre degëve, ka ditë që përfliten emrat e kandidatëve garues në zgjedhjet vendore të 21 qershorit. Sipas hartës së re të ndarjes territoriale, Qarku i Dibrës do ketë gjithsej 4 bashki, atë të Peshkopisë, Bulqizës, Klosit dhe Burrelit.

Bashkia e Peshkopisë

Bashkia e Peshkopisë, si qendër e Qarkut të Dibrës, natyrshëm që mbetet njësia vendore më e rëndësishme për t’u fituar në vendoret e 21 qershorit. Kjo për faktin se fitorja e të majtëve në këtë bashki mbetet e vështirë, pasi për tri mandate radhazi, kjo bashki administrohet nga të djathtët. Pavarësisht kësaj, në korridoret e degëve të PS-së, PD-së, por edhe të LSI-së, ka nisur artikulimi i emrave të mundshëm për këtë garë. Nga radhët e PS-së për të kandiduar në bashkinë më të madhe të këtij qarku, atë të Peshkopisë, është emri i deputetit aktual të kësaj partie, Ulsi Manja. Ndërsa për LSI-në, një nga kandidaturat është edhe ajo e prefektit aktual të këtij qarku, Melaim Damzi, njëherësh kryetar i degës së LSI-së për Dibrën, i cili në rast kandidimi të mundshëm do të japë dorëheqjen në krye të Prefekturës së Dibrës. Por për shkak të koalicionit mes tyre, mendohet se PS-ja mund të tërhiqet nga kjo garë për t’i lënë zonë të lirë LSI-së. Ndërsa, në koalicionin e djathtë nuk pritet të ketë ndonjë përfaqësim të partive të tjera, ku PD-ja duket se do të jetë forca e vetme që do të kandidojë. Brenda kësaj partie përfliten dy kandidatura mjaft të forta: ai i kryetarit aktual të kësaj bashkie, Ilir Krosi, i cili vijon në krye të saj, me mandatin e tretë të marrë radhazi. Por, një kandidaturë tjetër potente është edhe ajo e kryetarit të degës së PD-së, ish-deputetit demokrat, Rrahim Kaleci.

Bashkia e Bulqizës

Edhe gara për marrjen e Bashkisë së Bulqizës, pritet të jetë interesante, si për nga emrat garues brenda dy koalicioneve, sidomos atij të majtë. Pesha specifike për marrjen e kësaj bashkie, nga secila prej forcave politike garuese, duket se rritet ndjeshëm për shkak të Minierës së Kromit Bulqizë, e cila mban peshën kryesore të eksporteve në vendin tonë. Emri më i përfolur nga PS-ja për në krye të listës garuese për Bashkinë e Bulqizës, padyshim që mbetet ai i kryetarit aktual të kësaj bashkie, Myfit Duriçi. Por, së fundmi, ka nisur të përflitet edhe një tjetër kandidaturë brenda radhëve të PS-së, ajo e Rakip Hoxhës, i cili është njohur si një ish-administrator i mirë në krye të degës së “Raifaissen Bank” të Bulqizës. Por në këtë garë nuk mbetet prapa edhe LSI-ja, ku përfliten për garim emra të njohur me mjaft influencë e reputacion, si ai i Ylli Spahiut, aktualisht drejtor i Drejtorisë Rajonale të Shfrytëzimit të Automjeteve Tiranë. Gjithashtu, edhe kryetari i Degës së LSI-së Bulqizë, Ilir Balla, i kontaktuar nga gazeta për këtë çështje, nuk e ka përjashtuar një gjë të tillë. Nga radhët e opozitës, përflitet se PD-ja do ta ketë të lehtë emrin e kandidatit garues, për Bashkinë e Bulqizës, që do të jetë ai i kryetarit aktual të kësaj partie, Durim Balla.

Bashkia e Klosit

Një nga emrat më të përfolur për të vënë kandidaturën për Bashkinë e Klosit, nga PS-ja është Hashim Doma, ish-kandidat për deputet i kësaj partie në zgjedhjet e 23 qershorit 2013. Ndërsa, surpriza në garën për kreun e kësaj bashkie do jetë kandidatura e LSI-së, ku përflitet ajo e një femre, Lutfie Meta. Ndër emrat e të djathtës të mundshëm për t’u kandiduar mbeten ai i ekonomistit Basir Çupa, ish-drejtor i Postës Burrel para 23 qershorit dhe Bedri Hoxha, aktualisht deputet i Kuvendit të Shqipërisë, i cili pak gjasa ka që të lërë mandatin e deputetit.

Bashkia e Burrelit

Në zgjedhjet për Bashkinë e Burrelit, nga e majta pritet të ketë një garë të fortë brenda PS-së, ku përfliten të garojnë Adelina Farrici, kryetarja aktuale e Bashkisë Burrel dhe Hasan Ceni, aktualisht kryetar i degës së PS-së Burrel, ish-kandidat i kësaj partie në zgjedhjet e 23 qershorit 2013 për deputet. Edhe pse është femër dhe kryetare aktuale e kësaj bashkie, Adelina Farrici, përflitet se do ta ketë shumë të vështirë vendosjen e kandidaturës, pasi mjeku Hasan Ceni, ka një reputacion mjaft të spikatur në gjithë Rrethin e Burrelit, gjë që e bën mjaft oportune vendosjen nga e majta të kandidaturës së tij në këto zgjedhje. Ndërsa, LSI-ja nuk ka ndonjë preferencë të veçantë për të vendosur kandidaturë të saj për të garuar për këtë bashki, gjë për të cilën me lehtësi mund ta lërë atë të lirë për aleatin e madh PS-në. Megjithatë, nëse do kërkohet kandidaturë e vetmja që përflitet është ajo e kryetarit aktual të degës së LSI-së Burrel, Agim Hysa, biznesmen i njohur dhe i suksesshëm. Deri më tani duket se PD-ja, nuk ka shumë ambicie për një rimarrje të Bashkisë së Burrelit. Kjo për faktin se ende në zyrat e degës së kësaj partie, nuk janë ndezur diskutimet në artikulimin e emrave të mundshëm garues në zgjedhjet e pritshme vendore që po afrojnë. Megjithatë, i vetmi emër deri më tani që ka nisur të lakohet është ai i Nezir Rizvanit, me profesion financier.





Comments are closed.