Lidhje te rendesishme Rrjetet tona shoqërore Shqip merr pjesë në programe të ndryshme marketingu ku mund të përfitojë komisione për produktet e zgjedhura në artikujt e publikuar.

Bota

Separatistët marrin Aeroportin e Donjeckut

BE, me një paketë të re propozimesh, "për të zbutur" Rusinë. Kievi forcon mobilizimin 

aeroporti i DonjeckSeparatistët pro-rusë deklaruan dje se kanë shtënë në dorë tashmë kontrollin e terminalit të aeroportit në qytetin lindor ukrainas Donjeck, pas luftimeve të fundit që ata kanë zhvilluar me anëtarët e forcave ushtarake pro-qeveritare ukrainase. Separatistët me frymëzim pro-rus e njoftuan lajmin përmes mediave pranë tyre, ndërsa një gazetar i “Associated Press” pohoi se kishte parë një flamur të separatistëve të ngritur në njërën nga ndërtesat e aeroportit, që shihet si një bastion simbolik i separatistëve dhe objektiv primar i Kievit. Ndonëse separatistët kontrollojnë shumicën e qytetit Donjeck, forcat qeveritare ukrainase kanë arritur të mbajnë kontrollin për muaj të tërë mbi pozicionet rreth aeroportit të qytetit. Shumë ndërtesa përreth aeroportit janë shkatërruar ndërkaq nga luftimet atje. Departamenti Amerikan i Shtetit tha, nga ana tjetër gjatë së mërkurës se luftimet intensive përreth aeroportit, shihen si shkeljet më të fundit flagrante nga ana e separatistëve të mbështetur nga Rusia, të marrëveshjeve të arritura më parë nga palët ndërluftuese.

 

Ukraina miraton planin e mobilizimit

Ndërkaq, Parlamenti i Ukrainës ka miratuar dje një plan special për mobilizimin e ushtarëve gjatë tri periudhave të vitit 2015, në kohën kur konflikti me separatistët pro-rusë ende nuk po njeh fund. 268 nga 269 deputetët kanë votuar pro dekretit të Presidentit Petro Poroshenko. Vala e parë e mobilizimit është parashikuar që të nisë më 20 janar, e dyta në muajin prill dhe e treta në fund të qershorit.

Shefi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Ukrainës, Oleksandr Turchynov, tha dje se prioritet duhet t’u jepet qytetarëve patriotë, të cilët janë të gatshëm që në mënyrë vullnetare ta mbrojnë vendin e tyre. Ministri i Mbrojtjes, Stepan Poltorak, tha gjatë javës së kaluar, se shpreson që gjatë vitit të mobilizojë 104 mijë ushtarë.

 

BE-ja, paketë propozimesh për Moskën 

Ndërkaq, përderisa iniciativat e fundit për të nxitur një proces të qëndrueshëm paqeje e arritur një marrëveshje armëpushimi mes palëve të përfshira në konflikt deri më tani kanë dështuar, duket se Bashkimi Europian po kërkon ndërmarrjen e disa hapave të rinj për të “nxitur ndryshimin e politikës së Rusisë” gjatë konfliktit në Ukrainë. Zyra e shefes për Politikë të Jashtme e Bashkimit Europian, Federica Mogherini, ka përshkruar disa hapa të mundshëm se si duhet bërë konkretisht një gjë e tillë. Ky ndryshim, sipas një dokumenti të servirur dje nga radio “Europa e Lirë”, do të përfshinte edhe angazhimin e mundshëm të Ukrainës në Unionin Ekonomik të Euroazisë. Dokumenti me propozime pritet që të diskutohet nga ministrat e Jashtëm, gjatë së martës. Sugjerimet përfshijnë edhe rinisjen e negociatave mbi një marrëveshje të vizave me Moskën, një marrëveshje të re politike mes BE-së dhe Rusisë, si dhe përfundimin e pezullimit të shkëmbimit të studentëve. Dokumenti saktëson se propozimet do të jenë të lidhura ngushtë me zbatimin e plotë të marrëveshjes së arritur në shtator në Minsk, e cila ka për qëllim armëpushimin dhe dhënien fund të konfliktit mes forcave pro-qeveritare të Kievit dhe separatistëve pro-rusë.

[callout]Putin: OJQ-të të mos kundërshtojnë qeverinë 

Presidenti rus, Vladimir Putin, tha dje se organizatat joqeveritare duhet të ndihmojnë për të arritur qëllimet e përbashkëta kombëtare dhe nuk duhet ta kundërshtojnë qeverinë. Ndërsa ka folur në forumin “Shteti dhe shoqëria civile”, i cili është transmetuar drejtpërdrejtë në televizion, Putin ka thënë se OJQ-të nuk duhet të përfshihen në garën mes autoriteteve dhe opozitës. Putin u ka bërë thirrje autoriteteve rajonale që t'i mbështesin OJQ-të, duke shtuar se ai dëshiron t’i përdorë OJQ-të si krah të qeverisë. Putin ka thënë se mund të ketë ulje të taksave për OJQ-të, nëse ato qëndrojnë jashtë politikës. OJQ-të në Rusi ballafaqohen me probleme të mëdha që nga viti 2012, kur Putin u rizgjodh president.[/callout]

Denonco

Keni informacion në interes të publikut? Dërgojeni në Shqip duke klikuar këtu.

 

Biznes

Ndiqni të gjitha lajmet e fundit
në rrjetet tona shoqërore