Lidhje te rendesishme Rrjetet tona shoqërore Shqip merr pjesë në programe të ndryshme marketingu ku mund të përfitojë komisione për produktet e zgjedhura në artikujt e publikuar.

Bota

Erdogan: Perëndimi po nxit islamofobinë!

Presidenti turk reagon ashpër pas ngjarjeve të Parisit

ErdoganPas një vale solidariteti ku u përfshinë shumë liderë ndërkombëtarë nga shumë shtete e rajone të botës, me viktimat e sulmeve të datës 7 e 8 janar 2014 në Paris, ndër ta edhe Kryeministri turk, Davutoglu, ka ardhur dje edhe një reagim i ashpër nga Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan. “Reagimi i Perëndimit ndaj sulmeve në Paris, ka qenë i mbushur me islamofobi”. Ky ka qenë thelbi i deklaratave të kreut autoritar të shtetit turk, gjatë një konference të përbashkët për shtyp dje në Ankara me liderin palestinez, Mahmud Abaz. Më konkretisht, Erdogan ka deklaruar se: “Hipokrizia e Perëndimit është e thjeshtë për t’u parë”. “Ne, si myslimanë, kurrë nuk kemi mbajtur anën e terrorizmit, kurrë nuk kemi mbajtur anën e masakrave. Ajo çfarë qëndron pas këtyre masakrave, është racizëm, gjuhë e urrejtjes, islamofobi”. Ndërkaq, edhe Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanjahu, i cili tashmë është kthyer në një shënjestër të rregullt të kritikave të Erdoganit, u kritikua po ashtu për pjesëmarrjen në një marshim paqeje e uniteti, siç ishte ai i Parisit, më 11 janar. “Unë – tha lideri karizmatik turk - pyes se çfarë bën ky person, i cili kryen terrorizëm shtetëror, duke masakruar 2500 njerëz në Gaza”. Erdogan po ashtu tha se sulmet në Francë, që u morën jetën 17 personave, kanë qenë dështim i forcave franceze të sigurisë, sepse të dyshuarit kishin qenë së fundmi subjekt i drejtësisë franceze, duke kaluar vite në burgjet vendase. Presidenti i Turqisë, që e mori këtë post në shtator të vitit 2014, posedon tashmë fuqi më të plota sesa paraardhësit e tij, falë edhe mënyrës së re të votimit që u aplikua në zgjedhjet e fundit parlamentare, me zgjedhje direkte nga populli, çka bëri që ai të rikonfirmohej politikisht dhe të forconte edhe më shumë pozitat e tij, të cilat mendohej se ishin tronditur pas zhvillimeve të dy viteve më parë me protestat masive në Stamboll dhe skandaleve për korrupsion që përfshinë asokohe anëtarë të qeverisë së tij. Tanimë ai mendohet se e ka rifituar tërësisht terrenin pas një vale shkarkimesh e arrestimesh të zyrtarëve të lidhur me rivalin e tij, Fetullah Gylen, një ish-aleat i tij, klerik me banim në SHBA. Kritikat e Erdogan për Perëndimin, vijnë si rrjedhojë logjike e shumë deklaratave të mëparshme që ai ka kryer në adresë të tij në lidhje me çështjen e islamofobisë e trajtimit joadekuat të qytetarëve myslimanë në vendet e BE-së. Gjithashtu, Erdogan shpesh ia ka bërë të qartë Brukselit se durimi i Turqisë në lidhje me çështjen e anëtarësimit në unionin më të madh politiko-ekonomik kontinental, po soset dhe se arsyet për këtë dështim, duhen gjendur pikërisht në qëndrimet jorealiste, sipas tij, dhe politikat islamofobe të Brukselit.

Denonco

Keni informacion në interes të publikut? Dërgojeni në Shqip duke klikuar këtu.

 

Biznes

Ndiqni të gjitha lajmet e fundit
në rrjetet tona shoqërore