Lidhje te rendesishme Rrjetet tona shoqërore Shqip merr pjesë në programe të ndryshme marketingu ku mund të përfitojë komisione për produktet e zgjedhura në artikujt e publikuar.

Bota

Anulohet samiti i Astanas për paqen në Ukrainë

Shkak, dështimi i marrëveshjes së Minskut. Në Donjeck qëllohet autobusi me 10 civilë  

SamitiNdërkohë që gjakderdhja vijon në përplasjet mes forcave qeveritare dhe rebelëve në rajonet lindore të Ukrainës, Kievi zyrtar, Moska, Berlini dhe Parisi kanë kthyer mbrapsht planet për një samit të përbashkët gjatë kësaj jave mbi konfliktin e përgjakshëm mes separatistëve pro-rusë e ndjekësve të Kievit, kjo për shkak të mungesës së progresit në implementimin e marrëveshjes 4-mujore të armëpushimit të dakordësuar më parë mes palëve në Minsk të Bjellorusisë. Udhëheqësit rusë, gjermanë dhe francezë ishin ftuar të uleshin në bisedime këtë të enjte në kryeqytetin e Kazakistanit, Astana, nga Presidenti ukrainas, Petro Poroshenko, për t?i dhënë fund konfliktit në lindje të vendit, që deri më tani ka shkaktuar mbi 4700 viktima përgjatë 9 muajve të fundit. Por, ministrat e Jashtëm të katër vendeve respektive, njoftuan se bisedimet në Berlin gjatë së hënës dështuan të implementonin tërësisht marrëveshjen e paqes, ndaj dhe nevoja për të dakordësuar mënyrat se si të ofrohet ndihmë ndaj civilëve të bllokuar dhe si të bëhet lirimi i të burgosurve, kërkon "më tepër punë në vazhdim", përpara se të zhvillohet samiti. "Dallimet në opinionet e gjithsecilit prej të pranishmëve, e bënë të qartë se sa e vështirë është të bësh progres drejt një zgjidhjeje politike apo një samiti në Astana, nga e cila pritet shumë, pasi po kaq të mëdha janë edhe përgatitjet për këtë takim", tha dje me këtë rast ministri i Jashtëm gjerman, Frank-Walter Steinmeier. Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, tha nga ana tjetër se ishte rënë dakord mes të gjithëve se vetëm një armëpushim i përcaktuar qartë, do t?u hapte rrugë liderëve të 4 vendeve të takoheshin në Astana. Separatistët dhe forcat qeveritare fajësojnë njëri-tjetrin për shkelje të vazhdueshme të armëpushimit, që hyri teknikisht në fuqi më 5 shtator, si pjesë e një protokolli paqeje prej 12 pikash të nënshkruar në Minsk të Bjellorusisë.

 

Raketë autobusit me civilë

Ndërkaq, një shpërthim fatal ka përfshirë një autobus në lindje të Ukrainës, duke vrarë të paktën 10 civilë dhe plagosur shumë të tjerë. Lajmin e bënin të ditur dje zyrtarë të Ministrisë ukrainase të Mbrojtjes. Në një deklaratë të saj thuhet se ngjarja është verifikuar pranë një pike kontrolli të trupave qeveritare në lokalitetin Buhas, rreth 35 km në jugperëndim të Donjeckut, që njihet tashmë si bastion primar i rebelëve. Autoritetet rajonale të këtij qyteti, të cilat i përgjigjen qeverisë së Kievit, deklarojnë se kanë qenë rebelët ata që kanë hedhur mjetin shpërthyes te pika e kontrollit. Një informacion i ardhur ndërkohë nga burime të tjera sugjeron se autobusi po transportonte civilë nga qyteti bregdetar i Mariupolit. Vjaçesllav Abroskin, drejtues i Ministrisë rajonale të Brendshme në Donjeck, tha se bëhet fjalë për një raketë të qëlluar nga një zonë pranë qytetit Volnovaka, por që kishte dalë nga kursi. "Raketa u qëllua posaçërisht për të goditur autobusin interurban. Ngjarja po hetohet, ndërkohë që rruga mes Donjeckut dhe Mariupolit është mbyllur", deklaroi Abroskin.

Në komunikatën e saj dje me këtë rast, ushtria ukrainase shtonte se, mendohet që raketa të jetë qëlluar nga një raketahedhës i shumëfishtë i llojit "Grad". Nga ana tjetër, agjencia ruse e lajmeve "Tass", citonte krerë të rebelëve që mohonin përfshirjen e tyre në këtë sulm.

Më herët gjatë së martës, shpërthime të fuqishme dhe të shtëna artilerish u dëgjuan edhe në aeroportin e Donjeckut, pavarësisht përpjekjeve për të negociuar mbi dhënien fund të luftimeve. Korrespondentët e mediave ndërkombëtare, të vendosur në afërsi të zonës së aeroportit strategjik, raportuan për re të zeza tymi që kishin parë të ngriheshin prej andej. Sipas korrespondentëve, pjesa dërrmuese e kullës shumëkatëshe të aeroportit, e konsideruar si simbol i rezistencës antiruse, tashmë është shkatërruar. Zëdhënësi i ushtrisë, Andriy Lysenko, në një prononcim për mediat, saktësoi se nga luftimet e orëve të natës, një ushtar ukrainas kishte mbetur i vrarë dhe 10 të tjerë të plagosur. Luftimet në lindje të Ukrainës janë intensifikuar së fundmi, pavarësisht marrëveshjes për armëpushim të arritur në shtator, në raundin e radhës të negociatave në Minsk, çka i kanë dhënë shkas edhe dështimit të samitit të Berlinit dhe pezullimit të atij të Astanasë.

Denonco

Keni informacion në interes të publikut? Dërgojeni në Shqip duke klikuar këtu.

Poll

Biznes

Ndiqni të gjitha lajmet e fundit
në rrjetet tona shoqërore