Lidhje te rendesishme Rrjetet tona shoqërore Shqip merr pjesë në programe të ndryshme marketingu ku mund të përfitojë komisione për produktet e zgjedhura në artikujt e publikuar.

Biznes

Prokurimi: Tenderët publikë, hapet loja me kriteret e reja

Hiqet garancia 2% për shumat deri në 1.2 mld lekë. Garë, edhe me një ofertë. Kushte të reja për punët publike

Kohëzgjatja e një marrëveshjeje kuadër nuk mund të jetë më shumë se katër vjet.

Centralizimi - Ministrat ose institucionet e tjera mund të përdorin blerjen e përqendruar, duke nxjerrë udhëzimet e duhura.

Vlera të vogla - Procedura e prokurimit me vlerë të vogël përdoret kur shuma është më e ulët se 800 mijë lekë në vit.

Vendimi - Sipas rregullit të ri, që të vazhdojë procesi i përzgjedhjes së fituesit, duhet të paktën 1 ofertë e vlefshme

Zamir Alushi

tenderet_1Ndryshojnë rregullat e prokurimit publik. Në mbledhjen e fundit të vitit 2014, qeveria ka miratuar vendimin për tenderët publikë, i cili synon kufizimin e hapësirës së autoriteteve për abuzime, ndërsa hiqen disa pengesa për pjesëmarrësit në garat për fondet shtetërore.

Tender, edhe me një pjesëmarrës

Vendimi parashikon rastin e ?mungesës së konkurrencës?. Kjo situatë shkaktohet shpesh artificialisht nga firmat që kanë për qëllim shtyrjen e zhvillimit të tenderit. Sipas rregullit të ri, që të vazhdojë procesi i përzgjedhjes së fituesit në një  procedurë prokurimi, duhet të pranohet të paktën 1 ofertë e vlefshme. Në të kundërt, autoriteti kontraktor anulon procedurën dhe hap nga e para tenderin.

Ofertat ?e ulëta?

Mund të skualifikohesh edhe kur e ul shumë pazarin. Qeveria ka vendosur të shmangë rastet kur kompanitë bëjnë oferta shumë të ulëta në kurriz të cilësisë. Sipas vendimit, oferta vlerësohet anomalisht e ulët kur ajo zbret më shumë se 25% të fondit limit të përllogaritur. Gjithashtu, oferta vlerësohet anomalisht e ulët nëse vlera e saj do të jetë më e vogël se 85% e mesatares së tri ofertave të vlefshme.

Sigurimi i ofertës

Në bazë të vendimit të qeverisë, mbështetur në ndryshimet e sapobëra në ligj, hiqet barriera e sigurimit të ofertës. ?Në procedurat e prokurimit me vlerë më të lartë se kufiri i lartë monetar, autoriteti kontraktor mund t?u kërkojë ofertuesve të paraqesin sigurimin e ofertës?, theksohet në vendim. Pra, për tenderët me vlerë nën tavanin e caktuar nuk kërkohet siguri oferte. Kur komisioni e kërkon, ofertuesit ose kandidatët e kualifikuar duhet të paraqesin sigurimin e ofertës, në vlerën 2% të vlerës limit, të përcaktuar në dokumentet e tenderit.

Kufijtë monetarë

Sipas vendimit, kufiri i lartë monetar është një miliard e dyqind milionë lekë për kontratat e punëve publike dhe 200 milionë lekë për kontratat publike të shërbimeve dhe mallrave. Ndërsa kufiri i ulët monetar është 12 milionë lekë për kontratat e punëve publike dhe 8 milionë lekë për kontratat publike të shërbimeve dhe të mallrave. Për prokurimet, vlera e përllogaritur e të cilave, brenda një viti kalendarik, nuk është më e madhe se 800 mijë lekë, autoriteti kontraktor mund të përdorë procedurën për prokurim me vlerë të vogël. Sipas vendimit, asnjë kontratë publike nuk mund të ndahet për shmangien e kufirit monetar apo të procedurave. Vlera limit e kontratës publike është shuma totale, pa TVSH, e llogaritur nga autoriteti kontraktor përpara nxjerrjes së urdhrit të prokurimit.

Punimet publike

Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve ndalohet të kualifikojë për punë publike, të prokuruara sipas ligjit, operatorët ekonomikë që janë fitues apo kanë në proces tenderë të tjerë. Duke synuar shmangien e përqendrimit në pak duar, vendimi i qeverisë thekson se, nuk duhet të pranohen në garë kompanitë që në të njëjtën kohë, si kontraktorë ose nënkontraktorë, marrin pjesë në një investim tjetër, të cilat në çastin e hapjes së ofertave nuk i kanë përfunduar punimet fizike, në masën 70% të vëllimeve të përgjithshme të punës.

Nënkontraktorët

Në dokumentet e tenderit, tani duhet të përcaktohet qartë nëse lejohet ose jo nënkontraktimi, si dhe nëse autoriteti kontraktor do t?i bëjë pagesa të drejtpërdrejta nënkontraktorit. Në asnjë rast nënkontraktimi nuk duhet të tejkalojë 40% të vlerës së kontratës. Gjithashtu, me dorëzimin e ofertave, ofertuesit duhet të deklarojnë punët, shërbimet, mallrat ose një pjesë të tyre, që ata kanë qëllim të nënkontraktojnë, në rast se shpallen fitues, si dhe emrin e nënkontraktorit.

Ushqimi i burgjeve

Sipas vendimit, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ndalohet të kualifikojë operatorët ekonomikë, që janë fitues apo kanë në proces, në të njëjtën kohë, si kontraktorë ose nënkontraktorë për furnizimin, blerjen e ushqimeve të freskëta në subjekte të tjera shtetërore, të cilat në çastin e hapjes së ofertave nuk i ka përfunduar në masën 70%. Ndërkaq, vendoset si kriter vlerësimi për furnizimin me karburant, gazoil, benzol dhe karburant për ngrohje do të jetë çmimi më i ulët, bazuar në çmimin e bursës, sipas "Reuters", i cili dërgohet për publikim, çdo javë, në Buletinin e Njoftimeve Publike nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave.

Marrëveshja kuadër

Një përkufizim i veçantë bëhet në këtë vendim për marrëveshjen  kuadër. E tillë është një marrëveshje ndërmjet një apo më shumë institucioneve dhe një apo më shumë operatorëve ekonomikë, qëllimi i së cilës është të vendosë kushtet e kontratave që do të prokurohen gjatë një periudhe të caktuar kohore, veçanërisht ato që kanë lidhje me çmimin dhe, aty ku është e përshtatshme, me sasitë e parashikuara. Me qëllim që të shmanget abuzimi, të gjithë operatorët ekonomikë, që janë pjesë e marrëveshjes duhet të listohen në marrëveshje dhe nuk është e lejueshme të pranohen operatorë ekonomikë të tjerë në marrëveshje, pas përfundimit të procesit të prokurimit. Në rastin kur objekt i marrëveshjes kuadër janë biletat e transportit ajror  ndërkombëtar, në vend të çmimit do të përdoret marzhi i fitimit i shprehur në përqindje.

 

Llojet e tenderëve

  1. a) Procedurë e hapur;
  2. b) Procedurë e kufizuar;
  3. c) Procedurë me negocim, me shpallje

paraprake të njoftimit të kontratës;

ç) Procedurë me negocim, pa shpallje paraprake

të njoftimit të kontratës;

  1. d) Shërbim konsulence;
  2. dh) Konkurs projektimi;
  3. e) Kërkesë për propozime;

ë) Prokurim me vlerë të vogël

Denonco

Keni informacion në interes të publikut? Dërgojeni në Shqip duke klikuar këtu.

Poll

Biznes

Ndiqni të gjitha lajmet e fundit
në rrjetet tona shoqërore