Lidhje te rendesishme Rrjetet tona shoqërore Shqip merr pjesë në programe të ndryshme marketingu ku mund të përfitojë komisione për produktet e zgjedhura në artikujt e publikuar.

Bota

Franca mobilizon 10.000 forca shtese për sigurinë

Ministri francez i Mbrojtjes tha dje se "kërcënimi është ende evident" 

ushtare franceze duke patrulluarNdërsa grupe njerëzish vazhduan edhe dje të bënin homazhe në Sheshin e Republikës në Paris, duke sjellë lule e duke ndezur qirinj, qeveria ka deklaruar se po mobilizon dhjetë mijë forca sigurie shtesë për të mbrojtur popullatën, në kërkim të bashkëpunëtorëve të mundshëm në sulmet e javës së kaluar që lanë të vrarë 17 vetë, si dhe 3 persona të armatosur. Autoritetet në Paris thanë se kërkimi i bashkëpunëtorëve është çështje e ngutshme, sepse "kërcënimi është ende evident". Ministri francez i Mbrojtjes, Jean-Yves Le Drian, tha se mobilizimi i forcave të sigurisë do të përfundojë të martën mbrëma dhe se ai do të përqendrohet në pikat më të ndjeshme. Kjo përbën të parën herë që ka të tilla lëvizje ushtarake të këtyre përmasave brenda Francës, por për Le Drian, masat ishin të nevojshme sepse kërcënimi mbetet real. Urdhrin e dislokimit të trupave e dha presidenti Francois Hollande, gjatë mbledhjes urgjente të ministrave të kabinetit, boshtin e së cilës e ka përbërë siguria kombëtare pas episodeve të dhunës që tronditën vendin e mbarë botën perëndimore.

Kryeministri francez: Kemi pasur dështime

Takimi erdhi në mesin e pyetjeve sesi mundën militantë të njohur për autoritetet e rendit të organizonin goditje të tilla në Paris. Përse munguan informacionet e inteligjencës që mund të kishin parandaluar masakrën në zyrat e revistës satirike ‘Charlie Hebdo’, vrasjen e oficeres 26-vjeçare Clarisa Jean-Ohilipe, sulmin në supermarketin hebraik ku humbën jetën 4 vetë. Përpos kryeministrit Manuel Valls dhe ministrit të Brendshëm Bernard Cazeneuve, në mbledhjen me Presidentin ishin të pranishëm edhe krerët e policisë dhe shërbimeve të sigurisë. Valls e pranoi se ka pasur dështime kur u bë e qartë se tre personat e përfshirë në incidentet e dhunshme: Said e Cherif Kouachi dhe Amedy Coulibaly kishin lidhje me ekstremizmin e nuk ishin të panjohur për policinë. Sipas ministrit të Brendshëm Cazeneuve, Franca do të jetë në gjendje alarmi përgjatë gjithë javëve në vazhdim. Ai drejtoi mëngjesin e së dielës takimin e homologëve nga e gjithë Europa, përfshirë ministren e Brendshme britanike, Theresa May, kryefjala e të cilit ishte kërcënimi nga ekstremizmi.

Terroristët, edhe në listat londineze

Po në të njëjtën kohë në Londër, Kryeministri David Cameron është duke u konsultuar me zyrtarë të lartë të shërbimeve të inteligjencës e të sigurisë mbi reagimin që do të ketë Britania ndaj sulmeve në Francë. Vëllezërit Kouachi rezultojnë që të dy në listat britanike e amerikane të të dyshuarve për terrorizëm që duhen mbajtur nën vëzhgim, ndërsa Coulibaly ishte dënuar për komplotin e lirimit nga burgu të një militanti të njohur. Coulibaly ishte takuar me Cherif Kouachi pikërisht gjatë kohës së kaluar prapa hekurave. Po ashtu, sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, tha se do të jetë në Francë të enjten dhe të premten për të diskutuar mbi masat kundër terrorizmit. Ndërkaq, sipas ministrit të Jashtëm të Turqisë, e veja e njërit prej atyre që sulmuan, kaloi në Siri të enjten, një ditë pas masakrës në "Charlie Hebdo" dhe të njëjtën ditë që bashkëshorti i saj vrau një polic në periferi të Parisit.

Marshimi, më i madhi në histori

Kryeqyteti francez gradualisht iu kthye dje normalitetit, një ditë pas marshimit të më shumë se një milion njerëzve nëpër bulevarde, të prirë nga liderët më të mëdhenj botërorë. Aktiviteti i fundit për unitetin dhe solidaritetin është cilësuar si marshimi më i madh në historinë e Francës. Një ngjarje të tillë, për herë të fundit, Parisi - sipas mediave - e kishte përjetuar në një mënyrë të ngjashme, ndoshta vetëm kur ishte çliruar nga nazistët në gusht të vitit 1944.

[callout]

SHBA: Në shkurt, takim kundër terrorizmit

Shtetet e Bashkuara thonë se do të organizojnë një takim të nivelit të lartë në Uashington muajin e ardhshëm për masat për parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm, ndërsa udhëheqësit europianë dhe amerikanë bëjnë thirrje për masa të rrepta për të vëzhguar veprimtarinë e njerëzve në internet dhe në kufi. Nga Parisi, Prokurori i Përgjithshëm Eric Holder njoftoi për takimin e 18 shkurtit. Në një deklaratë, Shtëpia e Bardhë tha se takimi do ta vërë theksin te “praktikat më të mira dhe përpjekjet” e disa komuniteteve që kanë programe pilot për të luftuar ekstremizmin.

Pendohet autori i videos së vrasjes së policit

Videoja që shfaqte vrasjen e një oficeri policie nga njëri prej vëllezërve Kouachi pas sulmit terrorist mbi redaksinë e satirikes ‘Charlie Hebdo’, jo vetëm që hapi debate etike mbi shpërndarjen e imazheve në rrjetet sociale, por ka bërë që të pendohet edhe vetë autori i regjistrimit, i cili tani është i bindur që ka vepruar gabim.

Jordi Mir, inxhinier francez 50-vjeçar me origjinë nga Katalonja i cili regjistroi pamjet, tha për ‘AP’: “Më vjen shumë keq dhe dua që ta dinë se bëra të pamundurën që ajo video të mos shpërndahej. Por, shumë e shpërndanë pa lejen time”.

Vetëvritet hetuesi i sulmit në "Charlie Hebdo"

Mediat franceze raportojnë se inspektori i ngarkuar me hetimin e masakrës së ndodhur disa ditë më parë në redaksinë e revistës satirike "Charlie Hebdo" ka vrarë veten. Fred Erlik, me një karrierë të gjatë në polici, dyshohet se i ka dhënë fund jetës teksa ndodhej në zyrën e tij në Limoges, pak pas takimit që kishte zhvilluar me familjen e një prej 12 viktimave të shënuara nga sulmi i armatosur i 7 janarit.

Fred, 45 vjeç, i cili e kishte nisur karrierën në polici që në vitin 1997, dyshohet se vuante nga depresioni ndërkohë që kanë nisur hetimet për të zbardhur plotësisht ngjarjen e rëndë.[/callout]

Denonco

Keni informacion në interes të publikut? Dërgojeni në Shqip duke klikuar këtu.

 

Biznes

Ndiqni të gjitha lajmet e fundit
në rrjetet tona shoqërore