Lidhje te rendesishme Rrjetet tona shoqërore Shqip merr pjesë në programe të ndryshme marketingu ku mund të përfitojë komisione për produktet e zgjedhura në artikujt e publikuar.

Bota

Koment: Ukraina, pa pushime Krishtlindjesh. Nga Kievi pritet shumë

Gjermania mbështet Ukrainën. Megjithatë pa kompromise me Moskën s'do të ketë paqe

ukraina gjermaniaPër pushime Krishtlindjesh politika në Kiev nuk ka kohë. Kryeministri Arseni Jazenjuk dhe dy ministra, ai i Ekonomisë dhe i Financave, shfrytëzuan ditët e pushimeve në Ukrainë për të zhvilluar vizitën në Berlin. Gjermania dhe Ukraina po zgjerojnë bashkëpunimin. E me të përfshihet edhe e ardhmja e Ukrainës, të cilën shumica e ukrainasve duan ta shohin në Bashkimin Europian. Por gjendja aktuale e Ukrainës të jep pak shkas, që kjo shpresë e kësisoj edhe dëshira e njerëzve për një jetë më të mirë, mund të bëhet shpejt realitet. Vendi ndodhet ende në luftë: Krimeja në jug është aneksuar prej Rusisë dhe pjesë të tjera në lindje, ku ndodhen zonat e rëndësishme industriale, janë rrënuar. Lufta e vështirëson gjendjen gjithsesi të rënduar ekonomike. Një falimentim i shtetit është i mundshëm. Vetëm me ndihma masive financiare nga jashtë Ukraina mund t'i përballojë muajt e ardhshëm.

Shpresa të vakëta për ndonjë sukses të grupit të kontaktit

Jazenjuk për këtë arsye në radhë të parë kërkoi nga Gjermania mbështetje. Ndihma është e nevojshme për zgjidhjen e konfliktit me separatistët prorusë. Ata e kanë zhytur në një luftë Lindjen e Ukrainës dhe për këtë furnizohen me para, armë dhe luftëtarë prej Rusisë. Armëpushimi është i brishtë. Njerëzit vazhdojnë të vriten, ndër ta edhe civilë. Për një zgjidhje politike nuk duket të ketë perspektivë. Shpresat varen te një ndërmjetësim i ri europian në kuadër të grupit ndërkombëtar të kontaktit. Me këtë synohet të parandalohet një shkallëzim i mëtejshëm ushtarak. Por, nëse Samiti i synuar i krizës do të realizohet, kjo është e pasigurt. Kancelarja Angela Merkel dukej skeptike. Megjithatë në bisedë me Jazenjuk ajo edhe një herë e mbështeti me vendosmëri këtë nismë. Njëkohësisht ajo bën të qartë se Rusia duhet të respektojë integritetin territorial të Ukrainës.

Rindërtimi dhe reformat në vend të armatimit

Ukraina nuk e ka nisur këtë luftë. Megjithatë Berlini ndjek gjithnjë e më shumë me shqetësim faktin që qeveria në Kiev po ndjek një program të gjerë armatimi ushtarak. Politikanë ukrainas në postet më të larta shtetërore flasin madje, se vendi i tyre mund të fitojë ushtarakisht. Të tilla tone luftarake pasqyrojnë atmosferën e ndezur në Ukrainë. Por edhe nëse grushtet shtrëngohen ndër xhepa, ukrainasit duhet ta kenë të qartë, se ata nuk mund ta fitojnë një luftë, për aq kohë sa Rusia mbështet veprimet e dhunshme të separatistëve. Paqe për Ukrainën mund të ketë vetëm nëse vihet në lëvizje rindërtimi dhe u hapen perspektiva njerëzve në rajonet e konfliktit. Për rindërtimin në lindje, Gjermania do t'i vërë në dispozicion Ukrainës kredi në vlerën e një gjysmë miliardi euro. Në kuadër të Bashkimit Europian, ndërkohë, po përgatiten ndihma të tjera në shuma miliardëshe për ta mbështetur ekonominë e rrënuar të Ukrainës. Por kushtet vendimtare duhet t'i krijojë vet qeveria në Kiev: ajo duhet të realizojë reformat e shpallura. Ndër këto reforma janë lufta kundër korrupsionit dhe arbitraritetit të autoriteteve shtetërore. Në këtë drejtim nuk është bërë ende sa duhet. Një gjë është e qartë, investitorët e rinj do të vijnë në Ukrainë vetëm nëse çohet përpara në mënyrë konsekuente modernizimi. Edhe lufta duhet të marrë fund. Kjo arrihet vetëm përmes kompromiseve të dhembshme me Moskën, e cila gjithashtu duhet të lëvizë. Jazenjuk vlerësohet si partner bisedimesh në Gjermani, por ai duhet të dëshmojë nëse qeveria e tij vërtet do të ndjekë një politikë të re. Këtë ai duhet ta tregojë me prova.

“Deutsche Welle”

Denonco

Keni informacion në interes të publikut? Dërgojeni në Shqip duke klikuar këtu.

 

Biznes

Ndiqni të gjitha lajmet e fundit
në rrjetet tona shoqërore