Lidhje te rendesishme Rrjetet tona shoqërore Shqip merr pjesë në programe të ndryshme marketingu ku mund të përfitojë komisione për produktet e zgjedhura në artikujt e publikuar.

Kryesoret

Tirana zyrtare dënon aktin: Luftë pa kompromis ndaj terrorizmit

Reagojnë Nishani, Meta, Rama, Bushati dhe Basha

Kryetar i Kuvendit, Ilir Meta, duke folur gjate seances se fundit parlamentare per vitin 2014_1Masakra e ndodhur në Francë ndaj gazetarëve në redaksinë e revistës “Charlie Hebdo” ka shokuar shoqërinë dhe shtetin shqiptar. Drejtuesit më të lartë të piramidës shtetërore kanë reaguar, duke e dënuar ashpër aktin terrorist dhe duke deklaruar njëherësh se janë përkrah Francës në këto momente. Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, i dërgoi një mesazh ngushëllimi homologut të tij François Hollande, për viktimat dhe të plagosurit. “I nderuar zoti President! Jam tërësisht i shokuar nga atentati i sotëm terrorist në zyrat e revistës 'Charlie Hebdo' në Paris, ku humbën jetën një numër i konsiderueshëm gazetarësh dhe oficerësh të policisë, si dhe u plagosën shumë të tjerë. Me ndjenjë të thellë trishtimi, u shpreh ngushëllimet e mia më të sinqerta e të ndiera familjarëve të viktimave, popullit francez, Juve dhe qeverisë suaj. Ju siguroj se në këto momente të vështira, unë dhe populli shqiptar jemi pranë familjarëve të viktimave dhe popullit francez, si dhe urojmë shërim sa më të shpejtë për personat e plagosur. Ky akt barbar e i patolerueshëm terrorist ndaj shtypit e fjalës së lirë, na bën edhe më të ndërgjegjshëm e më solidarë për intensifikimin e luftës sonë të përbashkët kundër terrorizmit” – përfundon mesazhi i Presidentit të Republikës.

Rama: Trishtim, solidaritet, revoltë!

Kryeministri Edi Rama shkruan në rrjetet sociale: “Çfarë dhunimi për Francën e lirisë, barazisë dhe vëllazërimit kasaphana mbi redaksinë e revistës së famshme satirike! Trishtim, solidaritet, revoltë!”. Kryeministri i ka dërguar dhe një letër homologut francez, Valls. “Shqiptarët po e përjetojnë me dhembje dhe me revoltë të patregueshme ndodhinë në zemrën e qytetërimit europian të lirive dhe të drejtave të njeriut. Jam i bindur se megjithatë askush nuk mund ta përjetojë dhembjen për plagën e hapur sot, siç e përjetojnë vetë francezët, prandaj më lejoni, i nderuar Kryeministër, t’Ju shpreh ngushëllimet dhe solidaritetin më të ndjerë të Shqipërisë ndaj Francës”, shkruan Rama. Sipas tij, “goditja barbare e një monumenti të gjallë të lirisë si 'Charlie Hebdo', do të rrisë përpjekjen e përbashkët dhe pa asnjë iluzion të të gjithëve ne kundër errësirës terroriste, në këtë përballje të egër ku edhe Shqipëria e vëllazërisë fetare dhe e përkatësisë pa ekuivok në krahun e duhur të historisë, do të vazhdojë të luajë vendosmërisht rolin e saj”.

Kreu i Kuvendit: Ndëshkim maksimal autorëve

Reagim për këtë ngjarje ka mbajtur dhe kryeparlamentari Ilir Meta, duke theksuar se “në këto çaste të rënda, ngushëllimet më të thella shkojnë për të afërmit e viktimave dhe lutje për shërimin sa më shpejtë të të lënduarve”. Kryetari i Kuvendit u shpreh se akti terrorist kundër qytetarëve të pafajshëm dhe për më tepër kundër medias së lirë kërkon ndëshkim maksimal të autorëve dhe frymëzuesve të tyre. “Demokracia perëndimore në përgjithësi, toleranca e bashkëjetesa mes të ndryshmëve në origjinë, bindje apo dhe përkatësi fetare dhe liria e fjalës në veçanti, janë institucione të cilat qëndrojnë në themel të së sotmes e të së ardhmes europiane dhe ato nuk mund të kërcënohen e shantazhohen prej asnjë ndërhyrjeje nga jashtë”, tha Meta.

MPJ: Shqipëria bashkohet me dhembjen e francezëve

Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Shqipërisë dënon me vendosmëri atentatin e ndodhur sot në selinë e revistës “Charlie Hebdo” në Paris, si një akt i rëndë terrorist që tronditi popullin francez dhe gjithë komunitetin e medias botërore. “Ministria e Punëve të Jashtme nënvizon se asgjë nuk mund ta justifikojë sulmin ndaj fjalës së lirë. Republika e Shqipërisë bashkohet me dhembjen e popullit francez dhe u shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjarëve të viktimave dhe autoriteteve franceze. Akti i sotshëm në Paris është dëshmi e qartë se terrorizmi është kërcënim për të gjithë popujt, shtetet, i cili mund të sulmojë në çdo kohë, duke dëshmuar sërish se duhet luftuar me forcë dhe pa kompromise, thuhet në deklaratën zyrtare të MPJ-së.

Basha: Qëndrojmë krah Francës

Ndërsa kryedemokrati Lulzim Basha shprehet se “sulmi dhe vrasjet që ndodhën në Paris ndaj revistës 'Charlie Hebdo' dhe stafit të saj ishin thellësisht tronditëse. Duke i dënuar me ashpërsinë më të madhe këto akte terroriste dhe përcjellë ngushëllimet më të ndjera për jetët e humbura, si dhe shpresën e përmirësimit për jetët e rrezikuara, Partia Demokratike qëndron përkrah Francës e aleatëve në luftën kundër terrorizmit dhe në mbrojtjen e përhershme të lirisë e fjalës së lirë”.

[callout]

Deklarata

KMSH: Sulm i ulët e i dënueshëm nga çdo normë morale e fetare

Ka reaguar dje edhe Komuniteti Mysliman i Shqipërisë, i cili e ka dënuar ashpër sulmin e djeshëm terrorist mbi zyrat e revistës satirike franceze “Charlie Hebdo” në Paris, duke shprehur me këtë rast ngushëllimet më të sinqerta për viktimat e kësaj ngjarjeje. “Ne dënojmë me ashpërsinë më të madhe këtë akt barbar ndaj gazetarëve, oficerëve të policisë dhe të lënduarve të tjerë në këtë ngjarje. Kjo masakër dhe ky akt është një nëpërkëmbje arrogante ndaj çdo vlere njerëzore dhe një sulm i ulët e i dënueshëm nga çdo normë morale, fetare e universale. Terrori nuk mund të jetë kurrë pjesë e ndonjë arritjeje apo shpëtimi, terrori nuk prodhon veçse kaos e ligësi. Ai merr jetë njerëzish të pafajshëm dhe është një goditje kundër vlerave demokratike universale e vlerave njerëzore. Komuniteti Mysliman i Shqipërisë u shpreh edhe një herë ngushëllimet familjarëve të viktimave dhe mbarë popullit francez, si dhe u uron shërim të shpejtë të lënduarve. Ne bashkohemi me dhembjen e tyre dhe urojmë që drejtësia të veprojë sa më shpejt”, thuhet në reagimin e KMSH-së.

Politika kosovare dënon ashpër sulmin terrorist në Paris

Edhe qeveria e Kosovës ka reaguar dje ndaj sulmit terrorist në Paris, duke u shprehur se ndihet thellësisht e tronditur me atë akt. Në një deklaratë të publikuar në faqen zyrtare në internet të qeverisë së Kosovës, theksohet se “Qeveria e Republikës së Kosovës dënon në mënyrën më të fuqishme këtë akt barbar dhe qyqar ndaj qytetarëve francezë, policisë dhe gazetarëve”. “Në këto momente të rënda, ne shprehim ngushëllimet më të sinqerta dhe sigurojmë që populli i Kosovës qëndron pranë popullit francez në luftën kundër terrorit e në mbrojtje të vlerave të lirisë”, thuhet në fund të deklaratës së qeverisë së Kosovës. Po ashtu, sulmin e djeshëm në Paris, e kanë dënuar edhe zyrtarët e tjerë të lartë të Kosovës, si dhe liderë të partive politike.[/callout]

Denonco

Keni informacion në interes të publikut? Dërgojeni në Shqip duke klikuar këtu.

 

Biznes

Ndiqni të gjitha lajmet e fundit
në rrjetet tona shoqërore