Lidhje te rendesishme Rrjetet tona shoqërore Shqip merr pjesë në programe të ndryshme marketingu ku mund të përfitojë komisione për produktet e zgjedhura në artikujt e publikuar.

Bota

Lajme bote shkurt

Shqetësimet për Greqinë tronditin tregjet globale

GreqiaTregjet e aksioneve shënuan dje rënie për të dytën ditë me radhë, për shkak të rënies së çmimeve të naftës dhe shqetësimeve se Greqia mund të largohet nga eurozona. Këto shqetësime kanë nxitur më tej dyshimet rreth perspektivës së rritjes ekonomike globale. Çështja nëse Europa mund ta përballojë dot një tjetër krizë në Greqi, ka shtuar pasiguritë financiare për eurozonën, ndërkohë që vendet anëtare përpiqen të krijojnë rritje ekonomike dhe vende pune. Disa analistë dhe politikanë thonë se një krizë tjetër në Greqi nuk do të ishte aq e rëndë për eurozonën sa ajo e para dhe problemet e borxhit me të cilat u përball Greqia në vitet 2010-2012. Ata thonë se blloku i eurozonës ka garanci të reja parandaluese. Fidel Helmer, ekspert i Bankës Hauck and Aufhause në Frankfurt, thotë se duhet të ndodhë diçka shumë e madhe për të krijuar dëme serioze në Eurozonë. "Nuk e shoh euron aspak në rrezik. Edhe sikur në Greqi të vijë një qeveri e majtë, ajo do të detyrohet të formojë koalicion dhe do të duhet t'i plotësojë patjetër kontratat ekzistuese." Zoti Helmer thotë se rënia e euros dhe çmimet e ulëta të naftës duhet të shihen me optimizëm, sepse ato mund të veprojnë si stimuj për ekonominë europiane. Mundësia që në Greqi t'i fitojë zgjedhjet partia e majtë Syriza, e cila është kundër masave shtrënguese financiare, ka ngjallur dyshime nëse vendi do t'i zbatojë kushtet e paketës së shpëtimit dhe do të qëndrojë në eurozonë. Gjermania ka paralajmëruar se kushtet e paketës financiare duhet të zbatohen. Euroja, ndërkohë, vazhdon të jetë nën trysni, edhe për shkak të dyshimeve ndaj perspektivës së rritjes ekonomike në rajon dhe ndaj mundësisë që Banka Qendrore Europiane të zgjerojë stimulin monetar. VOA

 

Izrael

Burg palestinezit që ndezi konfliktin 50-ditor

Policia izraelNjë gjykatë ushtarake në Izrael dënoi dje me burgim të përjetshëm Hussam Qawasmeh, i shpallur fajtor për rrëmbimin dhe më pas vrasjen e tre izraelitëve në Bregun Perëndimor. Veç dënimit maksimal në burg, Qawasmeh, një anëtar i Hamasit, duhet të paguajë edhe 63 mijë dollarë dëmshpërblim për familjarët e viktimave. Ngjarja e ndodhur në muajin qershor, kur Qawasmeh, së bashku me dy persona të tjerë, morën peng dhe më pas ekzekutuan tre të rinjtë izraelitë, ngjalli reagimin e Tel Avivit që ndërmori një fushatë të ashpër 50-ditore në Rripin e Gazës kundër Hamasit. Dy nga tre personat e akuzuar u vranë gjatë shkëmbimit të zjarrit me ushtrinë izraelite dhe i vetmi që përfundoi në pranga ishte Hussam Wawasmeh. Në muajin gusht, Hamasi pranoi që vrasja e tre adoleshentëve kishte ndodhur nga strukturat e tij, por tha se veprimi ishte kryer pa marrë urdhër nga drejtuesit e organizatës, që Izraeli e konsideron terroriste.

 

Dekreti

Rusia pranon “mercenarë” të huaj në ushtri

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, ka nënshkruar një dekret të posaçëm, sipas të cilit u mundësohet edhe shtetasve të huaj të shërbejnë në ushtrinë ruse. Dekreti lejon të huajt rusishtfolës, nga mosha 18 deri në 30 vjeç, që të nënshkruajnë kontrata pesëvjeçare me forcat e armatosura ruse, trupat e Ministrisë së Brendshme ose shërbimet zjarrfikëse. Analistët ushtarakë thonë se deri më tani, shtetasve të huaj u është dashur të marrin shtetësinë ruse për të shërbyer në ushtrinë ruse. Dekreti po ashtu thotë se ushtarët e huaj mund të dërgohen jashtë vendit, në situata lufte. Megjithatë, ai nuk duket se është i lidhur drejtpërdrejt me konfliktin në Lindje të Ukrainës, një pretendim ky që shumë analistëve u shkon menjëherë ndërmend, duke mbajtur parasysh mbështetësit e Rusisë, sidomos nga Ballkani. Shumë vende europiane kanë aplikuar ndërkaq ligje që dënojnë pjesëmarrjen në luftëra të huaja.

 

Misteri

Zgjerohen kërkimet për avionin e “AirAsia”-s

Zyrtarët në Indonezi kanë zgjeruar zonën e kërkimit për aeroplanin e rrëzuar të kompanisë "AirAsia". Aeroplani, i cili ka qenë duke fluturuar nga Indonezia në Singapor, ra në det më 28 dhjetor të vitit që lamë pas. Të 162 njerëzit në bord humbën jetën, ndërsa ekipet e kërkimit kanë gjetur deri më tani vetëm 37 trupa. Zyrtarët besojnë se kanë gjetur bishtin e aeroplanit, i cili mban edhe kutinë e zezë. Por, moti i keq ka shtyrë vazhdimisht përpjekjet për të arritur deri te pjesët e aeroplanit dhe për t’i sjellë ato në tokë. Mbetet ende mister se çfarë e ka shkaktuar aksidentin dhe, pavarësisht kërkimeve masive, pjesa kryesore e aeroplanit nuk është gjetur ende. Duke folur dje në Xhakartë, kreu i Agjencisë së Emergjencave të Indonezisë, Henry Bambang Soelistyo, tha se është zgjeruar zona e kërkimit. Ai ka thënë se kushtet e motit janë përmirësuar dhe se disa pajisje nënujore janë dislokuar.

Denonco

Keni informacion në interes të publikut? Dërgojeni në Shqip duke klikuar këtu.

 

Biznes

Ndiqni të gjitha lajmet e fundit
në rrjetet tona shoqërore