Lidhje te rendesishme Rrjetet tona shoqërore Shqip merr pjesë në programe të ndryshme marketingu ku mund të përfitojë komisione për produktet e zgjedhura në artikujt e publikuar.

Bota

Gazetari që i shpëtoi IS-it rrëfen për torturat

Zyrtarët e burgut kanë qenë luftëtarë të huaj nga Franca, Tunizia, Maroku

Isis_1Një gazetar, i cili i ka mbijetuar burgut të Shtetit Islamik (IS) në Siri, ka treguar për Radion “Iraku i Lirë”, për torturat e tmerrshme dhe abuzimin psikologjik që ka përjetuar. Louay Abdul-Jood, aktivist dhe gazetar sirian, është mbajtur nga militantët e Shtetit Islamik për gjashtë muaj peng. Ai është liruar nga mesi i vitit të kaluar, në bazë të një marrëveshjeje për shkëmbim të të burgosurve midis Ushtrisë së Lirë Siriane dhe Shtetit Islamik në Alepo. Abdul-Jood dhe një kameraman i agjencisë franceze të lajmeve AFP, janë rrëmbyer nga Shteti Islamik më 28 nëntor të vitit 2013, në një zonë të Alepos. Në burg, Abdul-Jood ka thënë se ka njohur një numër të gazetarëve. Trembëdhjetë prej tyre kanë qenë të huaj, përfshirë dhe gazetarin James Foley. Foley është ekzekutuar nga militantët e Shtetit Islamik në muajin gusht. Abdul-Jood ka thënë se zyrtarët e burgut kanë qenë luftëtarë të huaj nga Franca, Tunizia, Maroku, ndërsa një rus i quajtur Khaled, ka qenë përgjegjës për torturimin e të burgosurve. “Shumica e të burgosurve nuk janë rrahur, por kanë qenë subjekt i metodave psikologjike. Atyre u është vënë një thikë pranë qafës dhe u është thënë se do të theren. Ky trajtim ka qenë i gjatë dhe ka pasur efekt më të madh se abuzimi fizik”, ka thënë Abdul-Jood për Radion “Iraku i Lirë”. Rrëmbyesit e kanë akuzuar Abdul-Joodin se është laik dhe se i përket Ushtrisë së Lirë Siriane. “Më kanë akuzuar se i përkas Unionit të Gazetarëve dhe se jam në një marrëdhënie mëkatare me një aktiviste”, ka rrëfyer Abdul-Jood. Kur ai dhe disa gazetarë të tjerë janë transferuar në një burg tjetër, Abdul-Jood ka thënë se ka parë që të burgosurit e tjerë, jo gazetarë, kanë qenë të nënshtruar ndaj torturës ekstreme fizike. “Për shembull, një burrë ka qenë i varur me kokë poshtë. Këmbët i janë prerë me makina të rrojës dhe mbi plagë i është hedhur alkool”, ka thënë Abdul-Jood. Sipas tij, burgu që ka përdorur Shteti Islamik ka qenë fillimisht një depo e patateve në një zonë industriale. Ai ka thënë se të burgosurit janë mbajtur në qeli të izoluara, në errësirë totale. “… Pastaj, një burrë hynte dhe thoshte: Ti do të vritesh, por jo sot. Nesër, me vullnetin e Zotit”, ka rrëfyer Abdul-Jood. Ai po ashtu ka thënë se është dënuar me vdekje nga një gjyqtar me emrin Abu Ammar al-Massri, porse Ushtria e Lirë Siriane ka kërkuar lirimin e tij si pjesë e marrëveshjes për shkëmbim të të burgosurve. Militantët e Shtetit Islamik kanë rrëmbyer një numër gazetarësh sirianë dhe të huaj në Siri e Irak. Grupi militant ka ekzekutuar dy gazetarë perëndimorë, amerikanët James Foley dhe Steven Sotloff, si dhe dy punëtorë të ndihmës, britanikun David Haines dhe amerikanin Abdul-Rahman Kassig. Një tjetër gazetar britanik, John Cantlie, mbetet ende peng. Sipas Reporterëve pa Kufij, gazetarët sirianë përbëjnë shumicën e 22 gazetarëve që po mbahen peng nga grupi i Shtetit Islamik. Në fillim të dhjetorit është raportuar për rrëmbimin edhe të dy gazetarëve kurdë në kufirin Siri-Irak.

REL

Denonco

Keni informacion në interes të publikut? Dërgojeni në Shqip duke klikuar këtu.

 

Biznes

Ndiqni të gjitha lajmet e fundit
në rrjetet tona shoqërore