Ditmir Bushati: 2015-a do të sjellë një trajtim më të mirë për diplomatët

Intervista

ditmir bushati sot_1Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, z. Ditmir Bushati, në një intervistë për “Shqip” në këtë fundviti, e quan politikën e jashtme të vendit ‘dinamike’, ndërsa shprehet i kënaqur për nismën e parë rajonale me seli në Tiranë atë të Fondit për Ballkanin Perëndimor, të realizuar sipas modelit të vendeve të Vishegradit.

Midis të tjerave, z. Bushati nënvizon faktin se në 2015 pritet të miratohet ligji i ri i shërbimit të jashtëm që do të garantojë një trajtim më të mirë për diplomatët shqiptarë. Sa u takon marrëdhënieve me Serbinë, ministri, megjithëse i vetëdijshëm se historia nuk mund të tejkalohet lehtë, kërkon komunikim të vërtetë dhe përpjekje nga të dyja palët.





 

Z. ministër, besoj një vit plot takime, punë, udhëtime, pra gjithmonë në lëvizje. Si arritët ta përballonit?

Në fakt, unë besoj se një nga elementët më sfidues dhe më përcaktues në detyrën e ministrit të Jashtëm është menaxhimi më i drejtë i kohës që i duhet atij ta kalojë jashtë vendit (për më tepër që jemi një vend i vogël dhe na duhet të prezantohemi sa më mirë). Dhe duke marrë parasysh krizat e shumta ndërkombëtare dhe përfshirjen e Shqipërisë dhe ndërveprueshmërinë e saj me shumë aktorë dhe institucione të tjera kryesisht me NATO-n dhe OSBE-në, më duhet të udhëtoj shpesh jashtë vendit. Kështu, problem mbetet gjithmonë balanca midis përfaqësimit jashtë vendit dhe menaxhimit të përditshmërisë brenda vendit, si dhe një koordinim më i mirë midis asaj që ndodh brenda dhe përfaqësimit jashtë.

 

Si do ta përkufizonit politikën e jashtme të Shqipërisë nën drejtimin tuaj?

Pikësëpari, jemi përpjekur që konstruktivitetin që ka Shqipëria në rajon ta ushtrojmë në mënyrë sa më dinamike. Dhe disa zhvillime pozitive u shënuan gjatë vitit që po lëmë pas. Mund ta fillojmë me 11 janarin – kur ne për herë të parë firmosëm jo thjesht partneritetin strategjik me Kosovën por institucionalizuam si praktikë mbledhjen e përbashkët midis dy qeverive dhe shtrimë në një gamë më të gjerë bashkëpunimin midis nesh. Ne shpresojmë dhe besojmë ta thellojmë këtë bashkëpunim edhe me qeverinë e re të Kosovës sepse ky është një partneritet midis dy vendeve dhe jo midis dy qeverive. Sa u takon proceseve integruese europiane, mund të them se statusi i vendit kandidat ishte një moment kulmor, por tani e tutje gjërat do të bëhen edhe më sfiduese. Brenda NATO-s jemi përpjekur të jemi sa më aktiv duke kontribuar në operacionet e NATO-s me sa kemi mundësi. Gjithashtu kemi filluar të shkundim pluhurin e bashkëpunimit me aktorë të tretë që janë të interesuar për rajonin, si Kina, Izraeli, vendet e Gjirit Persik e të tjerë që mund të kenë projekte në rajon. Mund të them se kursi i politikës sonë të jashtme mbetet i pandryshueshëm: Euro-Atlantizmi. Jam i kënaqur që ia dolëm këtë vit të kemi nismën e parë rajonale me seli në Tiranë, që do të jetë Fondi për Ballkanin Perëndimor, i cili është modeli i vendeve të Vishegradit i pasqyruar edhe për rajonin.

 

Këtë vit, një provë e vështirë për ju ishte edhe incidenti Shqipëri-Serbi. A nxorët ndonjë mësim prej tij?

Po e filloj me habinë sepse në media është spekuluar shumë me habinë kur unë kam deklaruar se i kam kërkuar bisedë telefonike homologut tim, Ivica Daçiç dhe nuk ka pasur asnjë sinjal nga pala serbe. Kjo është një praktikë më se normale pune në marrëdhëniet midis dy ministrave apo midis dy shteteve. Nuk jemi më në periudhën e luftës së ftohtë apo fill pas saj kur qëndrohej në pozita pritjeje derisa vinte takimi tjetër apo lëshohej një notë proteste. Në qoftë se do të flisja sot për ‘habi’, habia e madhe kishte të bënte me mungesën e reagimit nga pala serbe. Sepse dy vendet janë sovrane, secila ka qëndrimin e vet, secili mund të ketë leximin e vet për një ngjarje por komunikimi nuk duhet të mungojë në asnjë lloj rrethane. Dhe komunikimi duhet të jetë i vërtetë. Siç ishte komunikimi në Serbi midis dy kryeministrave. Ai ishte një komunikim i vërtetë sado që Kryeministri Rama dhe ai serb, Vuçiç, kanë pikëpamje komplet ndryshe për një çështje siç ishte çështja e Kosovës apo të drejtat që duhet të gëzojnë shqiptarët në Luginën e Preshevës. Por komunikimi i vërtetë është gjithmonë i domosdoshëm edhe kur ti nuk bie dakord. Kjo ishte habia ime më e madhe. Ndërkohë që unë e di dhe përpiqem të jem realist se marrëdhëniet midis Serbisë dhe Shqipërisë janë të domosdoshme. Një normalizim i këtyre marrëdhënieve është i domosdoshëm jo thjesht për stabilizimin demokratik të rajonit, por edhe për zbatimin e disa projekteve me një impakt rajonal. Por nuk kam iluzionin se kjo do të jetë një marrëdhënie e thjeshtë apo se historia do të tejkalohet lehtë. Ne do të duhet të punojmë fort, si Shqipëria ashtu edhe Serbia, në mënyrë që kjo marrëdhënie të fillojë të kultivohet.

 

A do të sjellë 2015 ndonjë ndryshim në shërbimin diplomatik sa u takon emërimeve të ambasadorëve, buxhetit për ambasadat, trajtimit të ambasadorëve e të tjera si këto?

Ne presim që në 2015 të miratojmë ligjin e ri të shërbimit të jashtëm i cili sanksionon më mirë jo thjesht parimet dhe procedurat mbi të cilat do të duhet të funksionojë shërbimi. Them më mirë, sepse nuk funksionojmë në vakum. Ekziston një ligj i vitit 2003. Kanë kaluar rreth 12 vjet dhe ka disa zhvillime që duhet të reflektohen në këtë ligj. Gjithashtu ai sanksionon më mirë raportin midis ministrisë, shërbimit të jashtëm dhe gjithë hallkave të tjera shtetërore. Në këtë ligj, ne parashikojmë edhe një trajtim më të mirë financiar, një paketë më të mirë për diplomatin. Dhe kur them diplomatin, kam parasysh edhe bashkëshorten apo bashkëshortin, fëmijët e tij/e saj, çka nuk ka ndodhur deri më sot. Gjithashtu synojmë një përfaqësim më të mirë dhe disa kritere për postin e ambasadorit. Të gjitha këto besojmë se do të kenë një impakt pozitiv sa u takon burimeve njerëzore në shërbimin diplomatik.

Bisedoi: Rudina HOXHA 





1 Comment
  1. BLEND says

    Po e filloj Faleminderit zoti Ministër dhe zoti Kryeministër! Në fund të fundit njerëzit e qytetëruar do t’a bëjnë Shqipërinë. Nisma juaj ligjore për trajtimin financiar edhe të familjarëve të diplomatëve shqiptarë, ndoshta është lëvizja më e rëndësishme dhe më përafruese që mund të jetë bërë ndonjëherë në sistemin e shërbimit të jashtëm të Shqipërisë. Një strateg ushtarak ka thënë:”…pa qetësi dhe siguri në prapavija nuk ka betejë të fuqishme në front….”. Duke e patur mendjen tek kursimet e kacidheve e qindarkave dhe duke shpenzuar çdo kursim familjar nuk mund të bëhet diplomaci, përkundrazi bëhesh qesharak. Mendimi im është se kjo nismë ligjore dhe jo vetëm tepër largpamëse shpreh më së miri atë që duhet t’a pranojnë të gjithë RILINDJEN e shërbimit të jashtëm të Shqipërisë, i cili ishte katandisur në pocaqi e rrumpallë për t’i bërë qejfin të gjithë klientëve nga ata familjarë deri tek shoferët e seksioneve të partisë. Edhe një herë qytetarët dhe njerëzit e kulturuar do t’a bëjnë Shqipërinë o miq.

Comments are closed.