Maks Velo: Nënë Tereza, pa një monument përfaqësues

Dy monumentet kushtuar Nënë Terezës, ai i Luan Mulliqit në Aeroportin “Nënë Tereza” dhe ai i skulptorit Thoma Thomai pranë Universitetit, nuk përfaqësojnë figurën e Nënë Terezës

Shtatorja e Nënë Terezës, me trupin e saj hollak, që si një shtizë dukej se po tretej drejt qiellit, vendosur prej shtatë vitesh në Aeroportin që mban emrin e saj, ishte ndjesia e parë që një i huaj që vizitonte Shqipërinë, krijonte për këtë grua të famshme që kishte dëgjuar aq shumë. A përfaqësonte kjo shtatore realizuar nga artisti i njohur nga Kosova Luan Mulliqi, atë çfarë mishëron në të vërtetë figura e Nënës Terezë? A krijonte ajo ndjesinë e paqes, fjala e vetme që të vjen në mendje sa herë kujton emrin e kësaj gruaje? A ishte kjo shtatore një përfaqësim krenarie për një figurë që e ka lartësuar emrin dhe dinjitetin shqiptar në të gjithë botën? Maks Velo, artist dhe një nga vizatuesit më të mirë të portretit të Nënë Terezës ka qenë një ndër kritikët e parë të kësaj vepre që kur ajo u vendos disa vite më parë, pas një konkursi të realizuar në Galerinë e Arteve. Sipas tij, vendosja e asaj shtatoreje në Aeroportin e Rinasit ishte një gabim nga komisioni përzgjedhës. “Statujës së Mulliqit i mungonin një sërë elementesh, duke nisur nga imazhi i shpirtërores që përcjell figura e saj. Ai e kishte konceptuar një imazh modern, si një raketë krejt ndryshe nga ajo çfarë në të vërtetë është Nënë Tereza. Modernia nuk shkon për një figurë të tillë kaq paqësore. Pjesa e poshtme e kësaj skulpture ishte antiestetike, fytyra pa konstrukt njerëzor. Mulliqi nuk mundi të bënte lidhjen e modernitetit me figurën e Nënë Terezës”, thotë Velo. Ideja e artistit Mulliqi ishte që shtatorja të krijonte ndjesinë që humanistja po bënte një lutje universale. Duart ishin vendosur në një mënyrë të tillë, sikur po lutej, e në të njëjtën kohë t’i uronte mirëseardhjen çdo njeriu që mbërrinte në Aeroport. Shtatorja prekte tokën duke u ngritur në tërë lartësinë e saj, duke u ngritur si një shigjetë drejt qiellit. “Ideja ka qenë që secili vizitor që mbërrin në Tiranë, përmes aeroportit të vetëm në Shqipëri, të ketë ndjenjën se shtatorja e Nënës Terezës është aty për t’i uruar mirëseardhjen. Në pjesën e poshtme të saj, shtatorja është modeluar në formën e një drapri të lehtë për të vazhduar në lartësi përmes një forme elegante që e arrin monumentalitetin e saj përmes bashkimit të duarve”, është shprehur Mulliqi shtatë vite më parë. Por për Velon, Mulliqi ka gabuar në konceptimin e tij, duke deformuar imazhin e humanistes. I dhënë pas skulpturave, sidomos atyre të parqeve, Velo fotografon çdo vepër të tillë në udhëtimet që ka jashtë vendit, ndaj e quan turp përfaqësimin e simbolit tonë shpirtëror si popull me këtë skulpturë. Sipas tij “Nënë Tereza është një figurë e vështirë për t’u realizuar, pasi është tepër e thjeshtë”. “Unë e njoh mirë portretin e saj, kam botuar një album me vizatime për Nënë Terezën, dhe e njoh dimensionin e thjeshtësisë së saj”, thotë Velo. Rreth 2 mijë libra janë në botë kushtuar figurës së Nënë Terezës, dhe Velo është i vetmi që ka sjellë një libër me vizatime për këtë figurë. Kur ish-presidenti Alfred Moisiu i dhuroi Papa Ratsingierit librin e Velos, ai do të shprehej i entuziazmuar nga konceptimi i figurës së shenjtores. Largimin e kësaj skulpture nga Aeroporti i Rinasit, Velo e quan një lëvizje të vonuar. Por sa e përfaqëson figurën e Nënë Terezës shtatorja tjetër, ajo e realizuar nga skulptori Thoma Thomai, që këto vite ka qenë e vendosur në një kënd pranë Korpusit Universitar. “Shtatorja e Thomait, nuk ka krahasim me atë të Mulliqit. Por as ai nuk arriti të bënte dot një monument të përsosur, që do të ishte më i mirë nga të tjerat, megjithëse si punë ka vlera. Kjo ishte arsyeja që ajo u la pak mënjanë, në një vend jo shumë të përshtatshëm”, thotë Velo. Idetë e hedhura që kjo shtatore të vendoset në mes të sheshit, Velo i quan të gabuara, pasi estetikisht ajo nuk është ndërtuar për hapësirë aq të madhe. Dimensioni i saj është punuar për t’u vështruar nga afër, dhe jo nga larg”. Duhet të ishte konceptuar ndryshe për t’u parë nga larg, është një skulpturë inferiore dhe shihet vetëm nga afër…”, thotë Velo. Sipas tij, ka ardhur koha për të menduar për realizimin e një shtatore, e cila vërtet do të mishëronte këtë krenari kombëtare. “Unë me dëshirë do të merrja pjesë për të punuar për atë figurë”, thotë ai. Ky vit shënjoi dhe 104-vjetorin e lindjes së Nënë Terezës, një përvjetor që kaloi në heshtje. Pavarësisht librave, apo shtatoreve të vogla të realizuara për të, ka ardhur koha që kjo figurë historike të përfaqësohet denjësisht, me një skulpturë e cila të tregojë thjeshtësinë dhe madhështinë e punës dhe jetës së saj. Një skulpturë që mjafton ta vështrosh dhe të njohësh dimensionin e një gruaje që gjithë jetën e saj ia dhuroi ndihmës ndaj njerëzve në nevojë. Për Velon, figura e saj është e rëndësishme për shqiptarët, ndaj duhet vlerësuar me seriozitetin e duhur. Por si e sheh artisti vizitën e Papa Françeskut në Shqipëri më 21 shtator? “Papa është i vetmi njeri në botë me një vlerë të madhe shpirtërore. Mjaftojmë të kujtojmë pritjen që atij iu bë në Korenë e Jugut, një pritje e jashtëzakonshme për të kuptuar forcën që ka figura e tij. Papa është simbol i së mirës, i së ardhmes, i dashurisë njerëzore. Është diçka e rrallë që ai vjen, kështu unë e quaj një moment të bukur, të cilin mezi e pres ta shoh e të marr pjesë në meshë”, thotë Velo.

©Copyright Gazeta SHQIP

Për t'u bërë pjesë e grupit mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t'ju aprovohet.
Komuniteti Gazeta Shqip: https://www.facebook.com/groups/gazetashqip/





LEXO MË TEJ:


Më të lexuarat

1 Comment
  1. kastriot says

    Per cdo gje qe flet dhe diskuton apo vlereson Maksi Velo, duket shija dhe diturija e nje artisti te kompletuar qofte ne rastin e monumenteve qofte dhe ne arkitekturen e qyteteve.
    Artiste si Velo, jane te pakte ne Shqiperi, por edhe mund te themi pa gabuar qe eshte i vetmi.

Comments are closed.